
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në një lidhje direkte për Front Online, tha se marrë parasysh edhe situatën pandemike me Covid-19, mund të supozohet se aktakuzat e para nga Gjykata Speciale do të ngritën në maj dhe qershor.
Ai tregon se në takimet që kanë pasur si OVL e UÇK-së me ndërkombëtarët janë pyetur se pas ngritjes se aktakuzave a do të protestojë kjo organizatë, e në bazë të kësaj, Gucati thotë se nënkupton se këto aktakuza do të jenë për komandantë të UÇK-së.
LEXO EDHE: Maji dhe Qershori të “nxehtë”, priten aktakuzat e para nga Specialja (Video)
“Në bazë të gjitha rrethanave dhe takimeve që kemi pasur me ndërkombëtarët në vitin e kaluar në nëntor dhe dhjetor, në bazë të asaj që ata na kanë thënë neve, pas disa emrave që na janë përmendur, na thanë që a do të protestoni apo do të dilni në demonstrata, na kanë lënë përshtypje se aktakuzat do të jenë për komandantët e lartë, që kanë qenë në hierarkinë e lartë”, tha ai për Front Online.
Gucati në këtë intervistë nuk ka përjashtuar mundësinë e protestave në raste të ngritjes së aktakuzave të para. Por, këtë vendim, sipas tij, do ta marrin bashkë me Kryesinë e Këshillin drejtues.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e protestave. Ne do të ulemi dhe do të bisedojmë me Kryesinë dhe Këshillin drejtues se si do të veprojmë . Ne prapë do ta ngrisim zërin dhe do t’i tregojmë një pjese të qytetarëve që nuk po e dinë ende që UÇK-ja nuk ka bërë krime dhe ka luftuar për vendin e vet”, ka thënë Gucati. /FrontOnline/