
Shifra e vdekjeve ditore në Spanjë ka rënë në nivelin më të ulët që një muaj, pasi në 24 orët e fundit janë regjistruar vetëm 367 vdekje.
Vdekjet e reja të regjistruara ishin një rritje prej vetëm 1,7 për qind në përgjithësi, derisa ditën e kaluar ishin regjistruar 440 vdekje.
Shifra e regjistruar e vdekjeve që është më e ulëta që nga 21 marsi ka nxitur optimizëm në Spanjë që më e keqja tashmë ka kaluar, transmeton Klan Kosova.
Megjithatë, me 22,524 vdekje në përgjithësi, Spanja është e treta në botë për nga numri i vdekjeve – pas SHBA-së dhe Italisë.
6700 rastet e reja e kanë ngritur shifrën e të infektuarve në 219,764, por rritja e infeksioneve të reja bazuar në testime më specifike ishte shumë më e ulët – 2796 – që nënkupton se numri i të shëruarve (3105) e ka kaluar numrin e të infektuarve – për herë të parë.
“Shpresojmë që ky trend do të vazhdojë në të ardhmen, dhe kjo varet kryesisht nga mënyra se si sillemi të gjithë pasi gradualisht kemi më pak kufizime në lëvizshmëri”, ka thënë Koordinatori i Urgjencës Shëndetësore Fernando Simon.