
Lëvizja Vetëvendosje së fundmi ka dështuar që të ofroj emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re tek presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ka qenë ky i fundit ai i cili dje bëri bashkë në një tryezë diskutimi të gjithë liderët e partive politike në vend, për të folur rreth qëndrimeve të tyre, për sa i përket formimit të qeverisë së re. Me përjashtim të VV-së, të tjera parti njëzëri u deklaruan kundër zgjedhjeve të reja.
Në ndërkohë sot veçse u bë zyrtar emri i kandidatit për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që pritet të hyjë në koalicion edhe AAK-në, AKR-në, Nismën dhe pakicat për të formuar qeverinë. Këtij koalicioni pritet t`i prijë Avdullah Hoti, emri i të cilit së shpejti do t`i dërgohet presidentit të vendit me shkrim për ta caktuar zyrtarisht edhe si mandatar për formim të qeverisë.
Për këto zhvillime për “Front Online”, ka folur edhe politologu Ramush Tahiri. Ai ka vlerësuar që zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend kanë marrë rrugë drejt zgjidhjes.
Për sa i përket qëndrimit të VV-së, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas kalimit të pandemisë COVID-19, Tahiri ka theksuar që kjo është një dëshirë e kësaj partie për të qëndruar në ekzekutiv deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar se formimi i qeverisë së re nga kuvendi është shkelje e Kushtetutës dhe u deklarua që vendi do të duhej të shkoj në zgjedhje dhe se kjo parti duhet të qëndroj në ekzekutiv deri në zgjedhjet e ardhshme , ani pse është e shkarkuar me 2/3 e votave”, ka thënë ai./Front Online
Tahiri: Qeveria e re bëhet javën e ardhshme, Kushtetuesja do e hedh poshtë kërkesën e VV-së