
Gjilani është njëra ndër komunat më të prekura me Coronavirus në Kosovë.
Atje me këtë sëmundje janë identifikuar 29 persona.
Prej tyre një ka vdekur, 18 janë shëruar, derisa trajtim po marrin edhe 10 pacientë të tjerë.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online, nënkryetar i Gjilanit, Arbër Ismajli.
“Gjendja e këtyre 10 pacientëve është e mirë. 6 po marrin trajtim në shtëpi dhe 4 në Infektivë. Njëri prej këtyre katër personave herë pas here ka probleme”, u shpreh Ismajli për Front Online.
Përkundër faktit se numri i të infektuarve nuk është i ulët, Gjilani nuk është futur i tëri në karantinë.
Atje, Ministria e Shëndetësisë, e ka izoluar vetëm fshatin Vrapqiç.
Por, edhe këtij fshati po kërkohet t`i hiqet kjo masë, meqë aty të gjithë janë shëruar dhe nuk ka më të infektuar.
“Nuk jemi në karantinë. Vetëm fshati Vrapçiq është në karantinë. Aty tash nuk ka asnjë të infektuar. Kemi kërkuar që të hiqet nga karantina. Në Ministri po thonë se duhet ta presin edhe rekomandimin e ISHPK-së. Ky fshat nuk ka probleme me furnizim”, tregoi Ismajli.
Për dorëza, maska e barna, numri dy në Gjilan, thotë se i kanë grahur vetë punës për sigurimin e tyre.
Po të bazoheshin vetëm në ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas tij, nuk do të mund t`ia dilnin.
“Nuk kemi probleme. Herët i kemi marrë masat tona. Kemi bërë furnizime me mjete vetanake. Kemi pasur donacione të ndryshme prej afaristëve. Kemi pasur një sasi jo të mjaftueshme prej Ministrisë së Shëndetësisë. Me pas prit Ministrinë nuk kishum mujt me ia dalë”, u shpreh Ismajli.
Orari i lëvizjes, i vendosur nga Ministria e Shëndetësisë, po zbatohet më përpikëri nga qytetarët e Gjilanit./Front Online/