
Për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore është dërguar trupi 38-vjeçares së ndjerë nga Istogu. Kjo 38-vjeçare që kishte vdekur gjashtë ditë më parë, ishte llogaritur si viktima e tetë e koronavirusit në Kosovë.
Megjithatë, zhvarrosja e saj, sipas raportit 24-orësh të Policisë, lidhet me trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
“Me datën 18.04.2020 në vazhdën e hetimeve me urdhër të prokurorisë së shtetit nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore Prishtinë është bërë zhvarrimi i viktimës femër kosovare, e cila ka vdekur në QKUK me datën 13.04.2020”.
Policia në Pejë ndërkaq nuk ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke shtuar se kanë pasur vetëm rol asistues, raporton KOHA.
“Policia ka asistuar, se kjo është bërë me urdhër të prokurorisë së shtetit. Policia i ka asistuar, është zhvarrosur kufoma dhe është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, i ka thënë shkurt KOHËS përmes telefonit, togeri Fadil Gashi.Në anën tjetër nga Komuna e Istogut kanë bërë të ditur se e kanë në monitorim familjen e të ndjerës. “Kjo familje është në monitorim të shtabit emergjent”, është thënë nga komuna.
Sipas zëdhënësit të shtabit emergjent, Besart Dreshaj, viktima ka qenë nga Skenderaj e martuar në Istog. Sipas tij, viktimës pritet t’i bëhet edhe njëherë testi për koronavirus, derisa ka shtuar se për COVID-19 do të testohen edhe familjarët e saj.I pyetur për zhvarrimin, Dreshaj ka thënë se tanimë një gjë e tillë i takon prokurorisë.