×
  • Lajme
  • Lajme

    22 vjet nga rënia e heroike e Vezir Ademajt , hero i Kosovës

    FrontOnline
    25 Korrik 2020

    Sot bëhen 22 vjet nga rënia e heroike e heroit të Kosovës, Vezir Ademaj, i cili kishte ardhë nga diaspora për t’u përgjigj thirrjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të luftuar për çlirimin e vendit nga Serbia që dhunshëm u aneksua më 23 mars të vitit 1989, e që ka filluar më konferencën e Londrës dhe copëtimin e Shqipërisë pas një luftë gati gjysmë shekullore të popullit shqiptarë për çlirimin nga perandoria Osmane.

    Vezir Ademaj, u lind më 15 mars, 1971 në Sheremetaj, komuna Gjakovë. Ishte njëri prej tetë fëmijëve të prindërve: Hysen dhe Mejreme Ademaj, të cilët me dinjitetet e sakrificë rritën dhe edukuan në traditën shqiptare, duke i frymëzuar gjithherë për liri e pavarësi të Kosovës dhe dashuri njerëzore. Përveç Vezirit që ra në fushë-betejë, në radhët e UÇK-së ishin rekrutuar edhe dy vëllezërit e tij: Shaqiri dhe Rasimi. Ky i fundit kishte kaluar edhe nëpër burgjet sebe në Kosovë dhe Serbi. Dhe, kështu, e tërë familja Ademaj, me armë dhe ndihma të tjera, ishte në mbështetje të parezervë të UÇK-së. Kulla trikatëshe e babait të Vezir Ademajt, bëhet bazë ushtarake e UÇK-së.

    Në këtë kohë Kosova e vitit 1998, po rënkonte nën mizoritë serbe. Asaj duhej t’i dilej zot.

    ***

    Vezir Ademaj, i inspiruar nga librat që kishte lexuar dhe nga historia që kishte dëgjuar në kullën e tij si fëmijë, pasi kishte kryer shkollën e mesme në Deçan, regjistrohet në Fakultetin Filozofik, drejtimi i shkencave natyrore. Mirëpo, regjimi i Beogradit i ndërpreu shkollimin dhe e mobilizoi dhunshëm në shërbimin ushtarak jugosllav. Ishte viti 1989 kur dërgohet në Tivar, në Mal të Zi, në vendin ku në pranverën e vitit 1945 ishin masakruar mijëra shqiptarë të mobilizuar me dhunë dhe kësisoj, Serbia kishte projektuar shfarosjen e tyre.

    Veziri e dinte këtë histori të dhimbshme dhe vetë fakti që ishte në këtë vend, në Armatën Jugoslave, ai shqetësohej tej mase. Këtu, Vezir Ademaj u ndesh me përbuzje, urrejtje dhe provokime të lloj-llojshme nga eprorët ushtarakë serbë. Për shkak të aktivitetit të tij kombëtar që kishte pasur më para në Kosovë, si pjesëmarrës në demonstrata dhe protesta kundër dhunës serbe, e në anën tjetër i pabindur ndaj urdhërave të ushtrisë në të cilën shërbente, përcillej nga shërbimi sekret, si i dyshimtë. Veziri Ademaj shërbimin në këtë ushtri e ndjente të huaj dhe armiqësor.

    Pas zgjatjes së afatit të rregullt, Veziri arratiset nga shërbimi ushtarak dhe kthehet në Kosovë.

    Në rrethana të tilla acaruese pas kthimit, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, po as këtu nuk i lënë vend. E vetmja rrugë i mbeti dalja jashtë Kosovës, duke pasur në ndërgjegjen e tij të plotë se një ditë kur të vijë koha, do të kthehej për t’i dalë zot popullit të tij të robëruar.

    Vendoset në Zvicër, derisa këtu gjen mundësi për punë, shkollim dhe afirmim në rininë e tij. Në këtë shtet evropian bie në kontakt me shumë bashkatdhetarë që ishin dëbuar nga Kosova dhe aktivist të çështjes kombëtare.

    Veziri shtathedhur, me pamje imponuese, kishte edhe dhunti të talentit sportiv. I pëlqente Kik-Boksi. Angazhohet në këtë disiplinë sportive dhe për një kohë shumë të shkurtër afirmohet, si më i miri në këtë vend.

    Në vitin 1994 shpallet kampion i Zvicrës. Një vit më vonë Ademaj, bëhet kampion evropian në Kik- boks.

    Jetën e kishte përpara dhe kur Kosova kishte nevojë për krah lufte, Vezir Ademaj i la të gjitha prapa dhe me uniformë të UÇK-së, mori rrugën për Kosovë, në Sheremetaj, në vendlindjen e tij. Pasi ishte përshëndetur me prindërit, sidomos me nënën e tij Mejremen, dhe anëtarët tjerë të familjes, fillon aktivitetin ushtarak, bie në kontakt me disa luftëtarë dhe komandantë të kësaj zone dhe me Shtabin e Luftës në Gllogjan, që udhëhiqej nga komandanti i Dukagjinit, Ramush Haradinaj, duke marrë përsipër përgatitjen e të rinjve në rajonin e Rekës së Keqe.

    Në oborrin e shkollës fillore në Sheremetaj, ai jep betimin dhe mban një fjalim se sa e rëndësishme është liria për Kosovën.

    Në shtabin e luftës në Gllogjan, kishte dorëzuar një shumë të madhe parashë për blerje të armatimit që aq shumë mungonte në Kosovë.

    Duke parë zotësinë e tij, ai emërohet komandant i njësisë speciale “Komando” për rajonin e Rekës së Keqe. Vezir Ademaj mbante nofkën “Alfredi”. Në këtë kohë kulla e familjes së tij në Sheremetaj bëhet bazë e rëndësishme ushtarake për luftëtarët e lirisë së Kosovës. Tregoi trimëri të jashtëzakonshme në luftimet në Smolicë, në pjesët tjera të Rekës së Keqe, pastaj në luftimet në Rahovec, në ofensivën në Baballoq dhe Prejlep.

    Ra heroikisht më 25 korrik 1998 në luftën e Junikut, në Kallavajë. Ishte vetëm 27 vjeç. Në luftimet disa ditëshe kundër forcave serbe ranë edhe shokët e tij, Hysen Arifi e Shaban Golaj. Ky i fundit në varrimin e Vezir Ademajt në Sheremetaj, ku merrnin pjesë shumë ushtarë të UÇK-së dhe banorë të kësaj zone, ishte betuar se do të hakmerrej kundër forcave serbe. Këtë amanet e kishte kryer duke i shkaktuar dëme të mëdha ushtrisë armike.

    Sot përveç shkollës fillore në Sheremetaj që mban emrin e tij dhe të bashkëluftëtarit Hysen Arifi, emrin e Vezir Ademajt e mbajnë edhe një rrugë në Gjakovë dhe një tjetër në vendlindjen e tij, në Sheremetaj.

    Këshilli i qytetit të New York-ut dhe Asambleja e këtij qyteti, kjo e fundit me iniciativën e Mark Gjonajt, atë kohë asamblist, nderoi me mirënjohje dëshmorin e kombit Vezir Ademaj. “Përkushtimi i tij ka qenë kauzë për liri dhe demokraci dhe në të njëjtën kohë inspirim, jo vetëm për komunitetin shqiptaro-amerikan në Bronx, por për të gjithë ata që kanë vuajtur për liri”.

    Për heroin, Vezir Ademaj kanë shkruar disa gazeta prestigjioze të New York-ut si Daily News, New York Post, Bronx Times si dhe Bronx Times Reporter.

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar dëshmorin e atdheut, Vezir Ademaj me urdhërin “Hero i Kosovës”, me motivacionin “Për Trimëri dhe Sakrificë për Lirinë e Kosovës.”

    Familja Ademaj, në truallin e saj në Sheremetaj, në shenjë respekti për veprën dhe jetën e Vezir Ademajt, krijoi një mini-muze, ku përmjet shkrimeve, dokumenteve dhe fotografive, rrëfehet historia e këtij dëshmori të kësaj ane./kp/

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.