
Pas përhapjes së pandemisë me Covid-19, shumë kosovarë kanë mbetur të bllokuar në shtete të ndryshme të botës, raporton portali Front Online.
E për tu kthyer në Kosovë, këta persona, kanë kërkuar leje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit.
Në një intervistë për portalin Front Online, shefi i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Alban Zogaj, ka thënë se janë mbi 2 mijë persona nga vendet e ndryshme që kanë kërkuar të kthehen në Kosovë.
“Prej që janë mbyllur kufijtë dhe që nuk ka fluturime komerciale prej Kosovës, por edhe për në Kosovë, kemi pasur kërkesa të mëdha nga qytetarët që të kthehen. Kemi mbi 2000 mijë aplikime të cilat janë kryesisht nga vendet evropiane, por edhe nga SHBA-të”, tha Zogaj.
Zogaj për Front Online tha se kthimi i këtyre presova të cilët kryesisht janë të moshuar dhe me probleme të ndryshme shëndetësore do të bëhet të shtunën.
Ndërsa aeroplani i dytë i cili do të ateron në Kosovë është nga SHBA-të.
“Kemi dy fluturime. Një fluturim i cili do të vijë nga Zvicra që janë kryesisht të moshuar, por edhe pacientë me probleme të ndryshme shëndetësore i cili aeroplan vjen të shtunën dhe zbret në Prishtinë, pastaj e kemi edhe fluturimin nga SHBA-të me studentë, nxënës të shkollave të mesme, të cilët kthehen në Kosovë, por edhe me qytetarë të tjerë të cilët kanë urgjenca të ndryshëm të cilët kërkojnë që të kthehen sa më shpejt”, tha ai për Front Online.
Zogaj tha se personat të cilët kanë kërkuar që të kthehen në Kosovë, e që kthimi i tyre do të bëhet në fund të javës, një pjesë e tyre do të vendosen në karantinë ndërsa pjesa tjerë në vetizolim.
“Sipas rekomandimeve një pjesë e tyre shkojnë në vetizolim kurse pjesa tjetër do të vendoset në Qendrën e Karantinës në bazë të një rregullore dhe kushteve të cilat i ka shpallur ministria e Shëndetësisë”, tha ai për Front Online.
Kur do të hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”?
Pas përhapjes së pandemisë me Covis-19 edhe në Kosovë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” e ka reduktuar punën.
Shefi i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Alban Zogaj, për Front Online, tha se për hapjen e Aeroportit do të diskutohet në fillim të muajit qershor dhe hapja e tij do të bëhet në disa faza.
“Bisedat e para dhe planifikimet që po i bëjmë nga muaji qershor, javën e parë të qershorit do të ulemi dhe të shohim për hapjen eventuale të aeroportit në disa faza. Ne po i përcjellim dhe jemi në kontakt edhe me shtetet tjera dhe po shohim si po shkon ky proces në shtetet tjera pasi që fluturimet janë të lidhura me shtetet tjera dhe ne do t’iu njoftojmë sa më shpejt për planet që do t’i marrim”, tha ai për Front Online.
Lidhur me lajmet se kompanitë e linjave të autobusit do të protestojnë në rast se Qeveria e Kosovës nuk do t’i lejojnë të qarkullojnë nga 20 maji, Zogaj tha se hapja e linjave ndërurbane do të bëhet në fazën e tretë.
“Sipas planit të hapjes pas 18 majit d.m.th. në këtë fazën e tretë të hapjes veç se do të futemi në idenë e hapjes së linjave ndërurbane, kështu që linjat ndërurbane do të përcjellin një protokoll të caktuar nga ministria e Shëndetësisë dhe besoj që shpejt do të jemi në atë fazë”, tha ai për Front Online.