Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur dështim paraqitjen e delegacionit kosovarë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.
Veseli ka thënë se në SHBA, Kosova e ka humbur mundësinë që të arrihet marrëveshja përfundimtare.
“Ne e kemi bërë të qartë pozicionin e PDK-së, ne mendojmë që është shans i humbur takimi në Washington pra në Shtëpinë e Bardhë. Në kulmin e politikës botërore ku ka pasur shans të jetë delegacioni jonë, është pritur shumë gjatë nga qytetarët, ka qenë edhe një shpresë që një proces i dhimbshëm do të përfundonte dhe do të kishte një epilog i cili do të ishte pozitiv. Dhe do të kishim marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, pa cenuar sovranitetin dhe integritetin e vendeve. Ne mendojmë se është dështim i delegacionit tonë, kishim një zmbrapsje, kishim një befasi të pakëndshëm”, tha ai në Kanal 10, përcjell Telegrafi.
Veseli ka thënë se në dokumentet e nënshkruara po flitet për resurset e Kosovës, dhe jo për njohje.
“Ne kemi insistuar që SHBA të jetë pjesë e marrëveshjes finale. Aty flitet për Ujmanin dhe resurset tjera, por jo njohjen e Kosovës nga Serbia. Po ashtu u fol edhe për mini-shengen”, shtoi ai.