Edhe pse nuk mungojnë vertikalja historike (gjurmët ilire të lokalitetit) dhe horizontalja gjeografike (qytetet e tjera kosovare), libri përqendrohet në një qytet, përkatësisht në kuzhinën e tij, saktësisht në mëlmesa e ushqime, ndër të cilat veçohet shafrani, i cili shfaqet edhe në titull të librit. (…) Tri punimet e para, “Shafrani në Kaçanik”, “Orizi dhe shafrani në Kosovë” dhe “Orizi, një ushqim strategjik”, nënvizojnë mëlmesën aristokrate (shafranin) dhe ushqimin strategjik (orizin); dy shkrimet e tjera, “Zerde, më shumë se ëmbëlsirë” dhe “Politika e imareteve, më shumë se kuzhinë”, fokusohen në receptin dhe rëndësinë e ëmbëlsirës (zerde) si reformë në pjatën ballkanike dhe në funksionin e kuzhinës publike (imaretit) si politikë dhe filozofi bamirësie. Ndërsa, shkrimet e tjera (“Arthur Evans, zbuluesi i zotit dardan në Kaçanik”, “Kisha në Pustenik”, “Bogdani dhe Luboteni”, “Mejdani i dyluftimit epik”) janë komentime mbi fakte të rëndësishme në historinë e qytetit, me të cilin, përveç Koxha Sinan Pashës, lidhen edhe emra të tjerë të shquar si: Kraleviç Marko (mbreti i Serbisë) dhe Musa Kesexhia (Teodor II Muzaka), Pjetër Bogdani (prift, prijës e shkrimtar) dhe Sir Arthur Evans (arkeolog anglez).
(Pjesë nga parathënia)