Kompania “Bushgegu89” në pronësi të Milaim Bejtës është shpërblyer nga Komuna e Xhafer Tahirit me një tender në shumë prej mbi 152 mijë eurove.
Tenderi për furnizim me dru për ngrohje të shkollave fillore e të mesme të komunës së Vushtrrisë duket se do të përfundoj në duart të prokurorisë së shtetit pasi qe janë zbuluar një numër i madh i shkeljeve ligjore e dallavereve gjatë procesit të tenderimit.
Komuna e Vushtrrisë i dha tender kompanisë të dënuar për falsifikim dokumentesh. Përveç kësaj zgjodhi kompaninë për 30 mijë euro me çmim më të lartë se sa oferta tjetër më e favorshme, duke tejkaluar edhe çmimin e parashikuar për këtë proces të tenderimit. Këto “dallavere” tash rrezikojnë të gjitha shkollat e komunës së Vushtrrisë të mbesin pa ngrohje.
Kjo kompani u shpall fitues përkundër faktit qe kishte ofertën me çmimin me të lartë sesa operatori tjetër ekonomik, ishte mbi vlerën e parashikuar të kontratës dhe me renda kompania po del të jetë e dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për falsifikim të dokumenteve, shkruan Gazeta Infokus.
Këto shkelje ligjore të komunës së udhëhequr nga Xhafer Tahiri i LDK-së i ka nxjerrë në pah kompaninë “AOME sh.pk”.
Kjo kompani pretendon se i është bërë padrejtësi në këtë proces të tenderimit dhe e ka dërguar rastin në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) me pretendimet se vetë OSHP dhe komuna e Vushtrrisë bëri një serë shkeljesh ligjore gjatë procesit dhe shpalli fitues kompaninë “Bushgegu89”.
Fitues u shpall kompania me çmim mbi 31 mijë euro me të lartë se oferta e “AOME”
Një ndër shkeljet ligjore, sipas dokumenteve qe i ka siguruar Gazeta Infokus, kompania “AOME sh.pk” e ka përmendur dënimin e kompanisë “Bushgegu89” për falsifikim të dokumenteve.
Pronari i kësaj kompanie, Milaim Bejta në vitin 2017 u dënua nga Gjykata Themelor në Gjakovë për falsifikim të dokumenteve.
Këtë aktgjykim, gjyqtarja Iliriana Hoti e kishte shqiptuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari Bejta, të bërë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 korrik 2017.
Sipas prokurorisë, Milaim Bejta, akuzohej se në qershor 2012, në Gjakovë, me qëllim të shfrytëzimit si origjinal ndryshon dokumentin origjinal-vërtetimin e lëshuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës në emër të ndërmarrjes N.T.P “Bushgegu89”, me seli në Prishtinë.
Kjo me qëllim të konkurrimit në një tender për furnizimin me dru për nevoja të Komunës së Gjakovës, të cilin vërtetim e shfrytëzon si origjinal, duke lidhur kontratë me komunën e Gjakovës.
Me çka ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, nga neni 332 të Kodit të përkohshëm të Kosovës, shkruan në dokumentet e rastit në fjalë.
Mirëpo pronari i këtij operatori ekonomik, Miaim Bejta në një prononcim për Gazetën infokus, e ka mohuar se është i dënuar për falsifikim për dokumente.
“Jo një gjë e tillë është shpifje. Përzgjedhja e kompanisë sonë nuk është ne kundërshtime me ligjin. Ne i kemi pas të gjitha dokumentacionet në rregull për ta fituar këtë tender”, ka thënë Bejta për Infokus.
Por nuk është kjo shkelja e vetme ligjore në këtë proces. Komuna e Vushtrrisë sipas përfaqësuesit të kompanisë “AOME” shkeli ligjin edhe duke e shpallur fitues kompaninë e cila kishte çmimin për 31 mijë euro me të lartë se oferta e tyre.
Menaxheri i kompanisë “AOME”, Pajtim Makolli ka bërë të ditur se kompani e tyre ka qenë fituese e këtij tenderi me vendimin e parë nga komuna e Vushtrrisë por pas ankesës në OSHP fitues e komuna e shpalli operatorin ekonomik “Bushgegu89”.
“Ky operator ekonomik është i dënuar me vendim të Gjykatës Themelore, edhe në bazë të kritereve nuk kanë pasur të drejtë ligjore as të marrin pjesë fare në tender sepse është e paraparë qe 10 vite pas dënimit për falsifikim nuk mund të marr pjesë në procese tenderimi”, ka thënë për Gazetën Infokus menaxheri i kompanisë, Pajtim Makolli.
Ai ka sqaruar se në tenderin e shpallur në 22 maj të vitit 2020, për furnizim të druve për ngrohje, në garë për këtë tender ishin katër kompani të ndryshme. Në mesin e tyre ishte “Aome” sh.pk dhe kompania e Milaim Bejtës, “Bushgegu89”.
Kompania “AOME” fillimisht ishte shpallur fituese duke qenë oferta me çmimin me të lirë. Kjo kompani në bazë të njoftimit për dhënie të kontratës me 04.08.2020 kishte marrë këtë tender me çmim prej 121 mijë e 120 euro.
Por pas ankesës së “Bushgegut89”, në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik e kishte anuluar vendimi i Komunës së Vushtrrisë duke i dhënë të drejtë kompanisë ankuese pavarësisht çmimit më të lartë e problemeve tjera me ligjin.