Kina raportoi pesë raste të tjera me koronavirus të enjten, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit në vend.
Tre prej këtyre rasteve ishin të importuara nga jashtë shtetit ndërsa dy ishin të transmetuara në mënyrë lokale në Pekin. Nga ana tjetër, të enjten nuk u regjistrua asnjë vdekje nga Covid-19.
Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në vend njoftoi po ashtu 5 raste asimptomatike, të cilat me sistemin kinez, numërohen më vete. Deri më tani një total prej 97 rastesh asimptomatike janë nën vëzhgim mjekësor.
Shifrat e reja e çojnë në 83,542 totalin e rasteve të konfirmuara simptomatike në vend ndërsa numri i vdekjeve është 4,634.
Gjatë javëve të fundit, autoritetet në vend janë përpjekur që ta mbajnë epideminë e re nën kontroll. Për shkak të një vatre të re ne Pekin, më shumë se 250 persona mbetën të infektuar ndërsa në provincën Hebei të paktën 400,000 banorë u vendosën sërish në karantinë pas zbulimit të një vatre të re.