
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se së shpejti do t’i kthehet fushatës zgjedhore, ndërsa destinacioni i tij i parë do të jetë Tulsa, Oklahoma.
Ai është duke synuar të rikthehet nga rëniet që ka pësuar në sondazhet e fundit për menaxhimin e situatës lidhur me pandeminë COVId-19 dhe po ashtu protestat masive kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit, shkruan agjencia Reuters.
Trump po ashtu i ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se së shpejti do të bëjë të ditur lokacionin për fjalimin e tij në gusht, pasi ka pranuar nominimin për president nga Partia Republikane.
Këshilltarët e kampanjës thonë se lokacioni pritet të jetë Jacksonville, Florida, ndonëse Trump ka shtuar se edhe Teksasi e Georgia janë në kombinim. Të enjten në Dallas, Trump do të marrë pjesë në kampanjën e mbledhjes së fondeve për pandeminë e koronavirusit.
Trump është shumë i vendosur që të fillojë me kampanjën për zgjedhjet që do të mbahen më 3 nëntor, pas ndalesës tremujore që ja sjellë koronavirusi, i cili ka shkaktuar vdekjen e më tepër se 112 mijë personave në SHBA.
Në sondazhe e fundit Trump po shihet prapa kundërkandidatit Joe Biden.
Trump e ka quajtur vdekjen e afroamerikanit George Floyd si tragjedi të madhe, por nuk ka ofruar ndonjë rrugë për përmirësim të marrëdhënieve racore.
Ai ka thënë se pret që më 19 qershor në Tulsa të mbajë tubimin e parë dhe të tjerët në Florida, Teksas e Arizona më pas.
19 qershor njihet si Juneteenth, dita për të përkujtuar emancipimin më 1865 të afro-amerikanëve të fundit të skllavëruar nga Konfederata. Tulsa është vendi ku banorët e bardhë sulmuan ata me ngjyrë dhe bizneset e tyre në vitin 1921 në atë që njihet si Masakra Racore e Tulsës.
Kamau Marshal, zëdhënës i kampanjës presidenciale të kundërshtarit nga ana e Demokratëve, Joe Biden, ka dënuar zgjedhjen e vendit për tubimin e parë, duke e quajtur si “raciste” këtë në Twitter.
Konventa Nacionale Republikane, ku Trumpi është nominuar, ishte planifikuar të mbahej në Charlotte, në Karolinën Veriore, por guvernatori demokrat i shtetit Roy Cooper ka refuzuar të lejojë masën e njerëzve që po kërkon Trup për arsye se nuk mund të mbahet distanca fizike, siç thotë ai.
Trump e ka përshkruar guvernatorin si “pak prapa” dhe ka shtuar, “për fat të keq nuk kemi zgjedhje tjetër pos të ndërrojmë lokacionin e konventës Republikane. Do të njoftohet së shpejti”.