×
  • Opinione
  • Opinione

    T’i mbulosh dështimet me flamur

    Imer Mushkolaj
    18 Gusht 2023

    Me fjalime të zjarrta e flamuj kuq e zi në Tetovë, Albin Kurti u përpoq t’i mbulojë dështimet në Kosovë – në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, ekonomi… Por as dështimet e skandalet në qeverisje, as dyshimet për keqpërdorime milionëshe në vaj e grurë nuk mbulohen me flamur.

    Imer Mushkolaj

    Me plot entuziazëm u prit Albin Kurti para pak ditësh në Shkup e Tetovë. Kryeministri i Kosovës shkoi atje në një situatë mjaft të brishtë politike dhe haptazi shfaqi përkrahjen për parti opozitare shqiptare. Një vizitë dhe qasje e panevojshme.

    Gjatë tubimit në Tetovë, Kurti foli për projektin e rrugës Prizren-Tetovë në vlerë, siç tha, 200 milionë euro. Duke treguar atë që tashmë dihet, se marrëveshja ndërmjet dy shteteve është nënshkruar, ai nuk dha asnjë lajm të ri. Dhe qëllimi i vizitës së tij nuk ishte të jepte lajme. Rruga nuk ka filluar së ndërtuari ende dhe gjithçka mbetet ashtu siç ka qenë.

    Tetovarët e pritën Kurtin me brohorima, këngë e flamuj kuq e zi. Fjalimi i tij mund t’iu ketë ngjallur simpati e dashuri. Por, Kurti po fliste për projekt shumëmilionësh ndërshtetëror, ndërkohë që punët me infrastrukturën rrugore në Kosovë janë si mos më keq.

    Asnjëra nga rrugët që lidhin qytetet e Kosovës nuk është përfunduar. Vetëm mund ta paramendojmë si ndihen qytetarët e Pejës, Podujevës, Mitrovicës, Gjakovës, Gjilanit dhe të qyteteve të tjera kur e dëgjojnë kryeministrin të flasë për rrugën Prizren-Tetovë, ndërkohë që jeta iu është kthyer në makth teksa iu duhet të kalojnë çdo ditë nëpër rrugë të shkatërruara.

    Teksa Kurti flet për projektin gjigand me Maqedoninë e Veriut, gjendja e arsimit në Kosovë vazhdon të mbetet e keqe. Një ministre e dobët dhe me mungesë kompetence në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm nuk po ia del të çojë përpara reformat e premtuara e as të përmirësojë sistemin.

    Teksa Kurti flet për rrugën që po i lidhka dy qytete, thua se ajo qenka jetike për banorët këndej e andej kufirit, shëndetësia vazhdon të përballet me probleme të shumta. Qytetarët vazhdojnë të vuajnë mungesën e shërbimeve cilësore dhe të sigurimneve shëndetësore.

    Por, të gjitha këto duket t’i bëjnë pak përshtypje kryeministrit. Ai merret me “projekte të mëdha” dhe bën politikë të lartë, duke u përzier në punët e brendshme të një shteti fqinj. Ai vazhdon që me fraza të thata pseudopatriotike e folklorike të mbulojë mungesën e rezultateve konkrete në qeverisje.

    * * *

    Kur u publikuan përgjimet për pretendimet e keqpërdorimit të rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë e Ndërmarrësisë, ministrja Rozeta Hajdari në vend që t’i ftojë policinë e prokurorinë të hetojë, zgjodhi të ngre padi ndaj medias e gazetarit që kishin publikuar përgjimet.

    Në vend që të bëjnë thirrje për hetim të pretendimeve të ngritura e ndëshkim të përgjegjësve, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje merreshin me sulme ndaj gazetarëve dhe mediave, iu “gjenin” atyre lidhje me Serbinë, i linçonin e akuzonin se nuk po ia duan të mirën qeverisë dhe Kosovës.

    As Albin Kurti nuk deklarohej për zhvillimet në ministrinë e Hajdarit. Pushteti përpiqej t’i heshtte pretendimet, e jo t’i sqaronte. Njësoj siç veproi edhe në rastin e ambasadorit Martin Berishaj.

    Vetëvendosja ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha, me diskursin se gjithçka që është bërë është bërë keq dhe “ne do ta bëjmë mirë”. Tash, kur qeverisë i ka kaluar gjysma e mandatit, realizimi i premtimve është shumë larg.

    Qytetarët e kanë votuar Vetëvendosjen për arsim, shëndetësi, infrastrukturë e ekonomi më të mirë, e jo për premtime projektesh megalomane që i shërbejnë politikisht Kurtit, si rruga për Tetovë.

    Qytetarët e kanë votuar Vetëvendosjen për qeverisje me kompetencë, e jo që në krye të ministrive të vijnë zyrtarë të dobët partiakë, që nuk janë në gjendje të çojnë përpara diçka të hajrit.

    Andaj, është e qartë që në mungesë të rezultateve të pritshme, diskursi i pushtetit është i orientuar kah “lufta” me Serbinë, kah fjalimet e zjarrta nën flamujt kuq e zi në Maqedoni të Veriut e të tjera si këto.

    S’ka gjë të keqe që kryeministri t’i largojë nga detyra njerëzit e dyshuar për keqpërdorime dhe të paaftët në qeverisje. Insistimi me çdo kusht se janë të mirë e të pagabueshëm është gabim. S’mund të mbulohen me flamur.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme24 Nëntor 2024
    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook rreth kontratave me procedurë të negociuar....
    Lajme24 Nëntor 2024
    Java që po hyjmë pritet që të jetë me mot me diell e vranërisa. Nuk përjashtohen as të reshurat e shiut. Sipas...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kryetari i AKR’së Behgjet Pacolli, ka vazhduar ‘luftën’ online me Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, duke i kujtuar një video të para...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Ka vdekur Behgjet Hetemi, ish-ushar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga familjarët. Në njoftimin e publikuar thuhet...
    Vip24 Nëntor 2024
    Anisa dhe Xheneta e kanë vazhduar akoma më shumë debatin. “Për flokët ti je shkuar te frizeri im, flokët, krejt si unë”,...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Analisti politik, Arton Demhasaj, për FrontOnline, thotë se personat që akuzohen për korrupsion në aspektin moral e politik nuk do të duhej...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.