Mendim të njëjtë se tërheqja e mjeteve nga Trusti do të ndihmonte qytetarët nga kriza ekonomike ka edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Imer Thaçi.
Ai thotë për Front Online, se Trusti duhet votuar për të parandaluar thellimin e një krize edhe më të rëndë.
Thaçi ka deklaruar se stina e dimrit do të jetë sfidë për qytetarët pas shtrenjtimit të peletit dhe energjisë.
“Pjesa e akumuluar e buxhetit duhet të shfrytëzohet për qytetarët dhe në të mirë të qytetarëve. Po iu afrohemi stinës se dimrit e cila pritet të ketë rritje edhe në shpenzimet e tyre të ngrohjes pasi që çmimi i peletit është rritur po ashtu edhe çmimi i energjisë ka shënuar një rritje rekorde e qe paraqet një dimër të rënd për qytetarët e Kosovës, pra thellim në krizë. Këto nuk mund të mbulohen ndryshe, prandaj duhet votuar tërheqja e kursimeve nga Trusti sepse në të kundërtën gjendja ekonomike e qytetarëve do të jetë e rënd dhe e papërballueshme gjatë muajve të dimrit”, theksoi Thaçi.
Ekonomisti, Thaçi ka theksuar se pas ngritjeve të çmimeve në vend Qeveria nuk ka reflektuar në rritjen e pagave për qytetarët.
“Familjet në Kosovë janë renduar shumë nga kjo rritje e papërballueshme e çmimeve me pagat e tyre të cilat po e rëndojnë shportën e tyre e sidomos rritja e çmimeve për produktet bazike që ka shënuar një rritje prej 41.34% e që kjo rritje asnjëherë nuk reflektoi edhe në rritjen e pagës ani pse rritja e çmimeve në përgjithësi ka ndikuar në rritjen e të hyrave buxhetore, pra Qeveria ka akumuluar më shumë para sepse rritja e çmimit rrit shumën e taksës së paguar nga qytetaret”, tha ai.
Ndryshe, organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit më 15 korrik kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkojnë të bindin ligjvënësit që t’iu plotësohet kjo kërkesë./Front Online
Inflacioni 14.1 % në Kosovë/ Kërkohet tërheqja e Trustit për t`i bërë ballë rritjes së çmimeve