Telekomi i Kosovës nuk ia kishte vazhduar një kontratë kompanisë “Dardafon”, e drejtuar nga Blerim Devolli, në lidhje me “Z-Mobile”, operator virtual i telefonisë mobile “Vala” në vitin 2019.
Këtë veprim tri vjet më pas Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit po e konsideron si shkelje, teksa në vendimin e shkurtit 2022 ajo detyron ndërmarrjen publike që për këtë arsye t`i paguajë mbi 11 milionë euro biznesit privat.
Telekomi dikur ishte kompani nga e cila shteti përfitonte miliona euro në vit, teksa tash është në telashe të mëdha financiare.
“Telekomi i Kosovës ka shkelur detyrimin sipas nenit 3.1. MSA për të negociuar një Marrëveshje të re për Mbështetjen e Operatorit të Rrjetit Virtual Mobile me mirëbesim”, thuhet në aktvendimin e Arbitrazhit, i siguruar nga “Front Online”.
Telekomi urdhërohet të japë 7,590,400.00 euro në lidhje me fitimet e humbura të DARDAFON.NET L.L.C. e 2,680,000.00 euro në lidhje me dëmet e likuiduara të DARDAFON.NET L.L.C. Krahas këtyre ndërmarrja publike duhet t`ia mbulojë edhe shpenzimet ligjore të “Dardafon” të cilat arrijnë vlerën e 1,290,770.67 eurove. Sikurse të mos mjaftonin këto, Telekomi urdhërohet të rimbursojë “Dardafonin” edhe me shumën e 117 mijë euro që lidhen me kostot e arbitrazhit të përcaktuara nga Gjykata e ICC-së, të paguara më parë nga “Dardafon”. Koha për pagesën e këtyre 1.4 milionë eurove është 30 ditë, ndërsa pas kësaj periudhe Telekomi ngarkohet me një normë të interesit prej 8 për qind.
Nga Bordi i Telekomit kanë thënë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të sfiduar këtë vendim.
“Ekspertët tanë ligjorë janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë Vendimin e ICC no. 2481 në gjykatat kompetente”, ka përfunduar Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës.
Kurse kreu i sindikatës së Punëtorëve në Telekomit, Lamih Balaj, tha për “Front Online” se në rast se ekzekutohet pagesa prej mbi 11 milionë eurosh, ndërmarrja rrezikon falimentimin.
Ky siguroi se nuk do të lejojnë që kjo shumë të paguhet nga “djersa” e punëtorëve.
“Vendimi është skandaloz. Si sindikatë nuk do të heshtim. Punëtorët e Telekomit më nuk do të lejojnë që më paret e tyre të paguhen hajnitë. I bëjmë thirrje edhe kryeministrit edhe prokurorisë t`i fillojë hetimet sa më parë”, u shpreh Balaj për “Front Online”.
Balaj nuk i përjashtoi edhe protestat.
“Do t`i shfrytëzojmë të gjitha mjetet që parashihen në ligjin për organizim sindikal nëse është nevoja. S`mund të tolerojmë situata të tilla. Ne tri herë ia kemi reduktu pagën vetës”, theksoi Balaj për “Front Online”.
Kjo nuk është hera e parë që “Dardafon” e fiton lëndën kundrejt Telekomit në Arbitrazh.
Në vitin 2016, kjo kompani kishte fituar 30 milionë euro, pas padisë që i kishte bërë Telekomit të Kosovës.
Rasti ishte ngritur për mosdhënien e 100 mijë numrave dhe mossigurimin e 3G dhe 4G për numrat e “Z-Mobile”.
/Front Online/