×
  • Lajme
  • Lajme

    Të mbijetuarat e dhunës seksuale kërkojnë të përfshihen në dialog

    FrontOnline
    29 Korrik 2020

    “Shpresë e vdekur” është për të mbijetuarat e dhunës seksuale, se një ditë shteti serb do të pranojë krimet e përjetimet makabre që ua shkaktoi rreth 20 mijë kosovarëve. Megjithatë, përfaqësues të 20 mijë zërave të padëgjuar të grave e burrave të cilët i mbijetuan dhunës seksuale, këmbëngulin që në tavolinën përballë Serbisë, Kosova të përfaqësohet nga kjo pjesë e dëmtuar e shoqërisë. Në të kundërtën, sipas tyre nuk duhet të arrihet asnjë marrëveshje.

    Pas rreth 20 muajsh, javë më parë ka rinisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Në tavolinën e bisedimeve, Kosova është përfaqësuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përballë presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq.

    Përfaqësues të organizatave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, kërkojnë nga kryeministri Hoti që të mos harrohen 20 mijë zërat e padëgjuar përballë shtetit serb.

    Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë se prapa atyre viktimave fshihen me mijëra familjarë që për më shumë se dy dekada kërkojnë drejtësinë e mohuar.

    Rushiti: Dialogu është i mangët nëse nuk diskutohet për viktimat e dhunës seksuale

    “Prapa atyre 20 mijave fshihen edhe mijëra familjarë të cilët edhe sot rënkojnë për fatin e tyre. Edhe sot nuk ka drejtësi për kriminelët të cilat e kanë ushtruar këtë krim gjatë luftës. Prandaj mendojmë që dialogu është i mangët vetëm me adresim e disa grupeve, ndërsa të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës nuk paraqiten ose nuk diskutohen se si të procesohet me to”, deklaron Rushiti.

    Rushiti kërkon nga kryeministri Avdullah Hoti që të jetë në bashkëpunim të ngushtë me organizatat të cilat i përfaqësojnë dhimbjet e 20 mijë grave e burrave të cilat janë dhunuar gjatë luftës. Kështu sipas saj, do të adresohen sa më qartë kërkesat e Kosovës në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

    Rushiti: Reperacioni duhet të jetë pjesë e diskutimit

    “E para çka duhet të kërkohet është qasja në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale, dhe pa pasur një bashkëpunim të mirëfilltë mes të dyja këto shteteve ne e dimë mirëfilltë që nuk mund të realizohet drejtësia për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Kërkesë kjo tani 20 vjet me radhë që vazhdon të jetë e të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre. Përtej kësaj është reperacioni duhet të jetë pjesë e diskutimit për faktin që ata ndërkombtarisht janë të obliguar të paguajnë dëmet të cilat i kanë shkaktuar gjatë luftës dhe në veçanti për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Kërkim falja publike po ashtu duhet të jetë pjesë e diskutimit, për faktin që kjo do të thotë shumë për të mbijetuarat e dhunës”, shton Rushiti për KosovaPress.

    E drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave në Drenas, Kadire Tahiraj, thotë se kërkesë e përditshme e grave të mbijetuara, është që delegacioni i Kosovës mos të nënshkruajë marrëveshje me shtetin serb, pa u njohur faktet, e rrëfimet e viktimave të dhunës seksuale.

    Tahiraj: Nuk guxojmë asnjëherë të kemi dialog me Serbinë pa u përmendur krimet

    “Fatkeqësisht që 20 vjet këto gra kanë kërkuar drejtësi por fatkeqësisht deri më tani nuk kemi gjetur drejtësi. Edhe kërkojmë që të kemi drejtësi, por nuk guxojmë asnjëherë të kemi dialog me Serbinë pa u përmendur këto krime të luftës të cilat janë bërë që 20 vjet lëndojnë, me lot, rënkim, por mbi të gjitha kanë gjetur forcë për të mbijetuar”, deklaron Tahiraj.

    Në këtë tavolinë bisedimesh, Tahiraj thotë se duhet të jenë vetë të mbijetuarat. Megjithatë sipas saj, për këto të fundit është “shpresë e vdekur”, se një ditë shteti serb do të kërkojë falje për krimet e bëra.

    Tahiraj: Këto krime duhet të përmenden në çdo tavolinë e dialog

    “Nuk besoj, të mbijetuarat tashmë kanë një shpresë të vdekur, por po shpresoj në qoftë se kanë vullnet dhe me të vërtetë dëshirojnë të mirën Kosovës, të mirën e qytetarëve, duhet që këto krime të përmendën në çdo tavolinë, në çdo konferencë dhe çdo dialog”, shton ajo.

    Vasfije Krasniqi Goodman, është gruaja e parë që rrëfeu publikisht për këto krime. Vëllai i saj, Drejtësi vazhdon të kërkojë edhe për motrën e tij, e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u morr e u dhunua nga dy paramilitarë serbë.

    Vasfije Krasniqi Goodman, është gruaja e parë që rrëfeu publikisht për këto krime. Vëllai i saj, Nafi Krasniqi vazhdon të kërkojë për motrën , e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u morr e u dhunua nga dy paramilitarë serbë.

    Krasniqi, që është edhe drejtor i organizatës “Drejtësi për të gjithë”, thotë për KosovaPress se pala kosovare duhet të ketë një platformë shumë serioze kur flitet për krimet dhe dëmet e luftës që kanë bërë në Kosovë.

    Krasniqi: Dhunimet seksuale duhet të përfshihen në platformën për dialogun

    “Ne gjithmonë kemi vlerësuar që dhunimet kanë qenë krime të organizuara ose qe janë bërë në mënyre sistematike nga aparati shtetëror serb. Ne besojmë se pala kosovare patjetër duhet të përfshijë në kuadër të negociatave të kësaj platforme për të negociuar me Serbinë, edhe dhunimet seksuale. Për shkak se në Kosovë sipas numrit që është nxjerrë nga organizatat e huaja thuhet se janë përafërsisht 20 mijë të dhunuar. Flasim për 20 mijë familje të prekura direkt dhe indirekt nga dhunimet, ku numri i të prekurve indirekt është shumë më i madh. Ku konsiderojmë se pakënaqësia është akumuluar aq shumë dhe gjithmonë është pakënaqësi që ka shumë elemente që na bëjnë neve te ndjehemi keq. Një prej tyre është edhe drejtësia”, deklaron Krasniqi.

    Ndërkohë në takimin që është planifikuar të mbahet të enjten ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, ne Bruksel, do të hartohet drafti i marrëveshjes finale për çështjen e personave të pagjetur. Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin Aleksander Vuçiq

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.