Të gjitha gratë në Holandë që kanë mbushur moshën 30 vjeç do të marrin komplete vetë-testimi për kancerin e qafës së mitrës, ka njoftuar Instituti i Shëndetit Publik të vendit (RIVM).
Ky vendim është pjesë e programit kombëtar të monitorimit të kancerit të qafës së mitrës dhe do të zbatohet këtë javë, raporton NL Times.
Testi mund të zbulojë praninë e papillomavirusit njerëzor, ose HPV, një virus që mund të shkaktojë këtë lloj kanceri, dhe nëse virusi gjendet, gruaja e testuar do të ftohet të vizitojë mjekun e saj të përgjithshëm për një Pap test.
Sëmundja është më e zakonshme tek gratë e moshës 30 deri në 60 vjeç, dhe në baza vjetore, rreth 900 gra në Holandë sëmuren nga kanceri i qafës së mitrës dhe 200 prej tyre vdesin nga kjo sëmundje./FrontOnline/