
5 raste të reja janë konfirmuar me Covid-19 mbrëmë në Prizren duke e çuar numrin e të infektuarve në 32, shkruan Front Online.
Të gjithë të prekurit janë raste kontakti.
Ndërsa, vatër për përhapjen e këtij virusi në këtë qytet është shpallur fshati Skorobishtë, e nga ky fshat sot priten të testohen edhe 10 persona të tjerë të cilët kanë pasur kontakte me të infektuarit.
Këtë për Front Online e ka konfirmuar drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu .
“Në komunën e Prizrenit janë 32 pacient të prekur me Coronavirus, nga këta një ka ndërruar jetë dhe dy të tjerë janë në gjendje më të rënduar, ndërsa mbrëmë janë rreth 15 mostrave që janë testuar, kanë rezultuar pozitivë pesë persona. Të gjithë ata që kanë dal pozitivë janë familjarë të personave që janë infektuar më herët, janë nga fshati Skorobishtë”, tha Shehu për Front Online.
Ai tha se sot ka kontaktuar edhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik ku pritet të testohen edhe 10 persona të tjerë nga kjo komunë.
“Sot kam biseduar me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe sipas informatave do të testohen së paku 10 persona, edhe pse kjo shifër mund të rritet”, tha ai.
Shehu ka treguar se janë në kontakt me familjet e të infektuarve dhe se iu kanë dërguar edhe ndihma.
“Si komunë jemi në kontakt me familjet që janë të izoluara të prekurit, i kemi dërguar edhe disa ndihma”, shtoi ai.
Ndërsa, sa i përket ndihmave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se ka furnizim të mfjaftueshëm.
“Kemi pasur ndihma nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, i kanë sjellë 3 kontingjente dhe gjëra të tjera si maska, dezinfektues, në komunën e Prizrenit nuk ka mungesë dhe gjendja është stabile”, përfundoi ai. /Front Online/