Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka bërë të ditur se sot është shënuar edhe një rast pozitiv me COVID-19 në këtë komunë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se personi i infektuar është nga Luboveci dhe se është rast kontakti nga Vushtrria, e cila është shndërruar në vatër të re të kësaj sëmundje.
“Pas marrjes së informatës nga IKSHP, kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe tani rasti është në izolim. Ky është rasti i tetë i infektuar në komunën tonë dhe të gjithë janë raste kontakti nga komunat tjera. Falë punës së përbashkët dhe disiplinës së treguar, deri më tani nuk e kemi asnjë rast të shpërndarjes së virusit nga këta persona te personat tjerë. Nga 8 persona deri më tani të infektuar në komunën tonë, 6 i kemi të shëruar më shumë se një muaj me parë, ndërsa dy raste i kemi ende aktive, por në izolim”, ka shkruar Jashari.
Ai edhe njëherë fton qytetarët t’iu përmbahen rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për mbajtjen e higjienës personale dhe distancës sociale si pjesë e masave parandaluese kundër përhapjes së coronavirusit.