Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka kërkuar që të aktivizohet plotësisht Plani Reagimit Kombëtar, pasi që siç ka thënë ai situata me pandeminë është rënduar në javët e fundit.
Hoti ka thënë se ka pasur pritje që numri i rasteve do të bie në fund apo fillim të korrikut, por ka ndodhur e kundërta.
Kryeministri ka thënë se me aktivizimin plotë të planit për reagimin kombëtar do të ketë angazhim të të gjitha ministrive dhe institucioneve përkatëse.
“Kërkoj që të aktivizohet plani i reagimit kombëtar. Pritjet tona kanë qenë që në fillim të korrikut rastet të bien. Unë kërkoj që të aktivizohet plotësisht plani i reagimit kombëtar i cili i parasheh angazhimet e të gjitha ministrive dhe institucioneve përkatëse. Duke qenë se jemi në fazë bukur të rëndë, kërkoj që nga sot të aktivizohet plotësisht plani i reagimit kombëtar”, u shpreh Hoti në mbledhjen e Qeverisë.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Qeveria ka miratuar një sërë masash kundër përhapjes së pandemisë.