Shkruan: Elton Tota
Ndihma e lejueshme
Në parim, dhënia e çdo lloj ndihme shtetërore, pavarësisht formës në të cilën jepet konsiderohet e ndaluar për shkak të shtrembërimit ose efektit potencial në shtrembërimin e konkurencës në treg, përderisa të mos i nënshtrohet një procesi paraprak të vlerësimit dhe vendimarrjes nga institucionet përkatëse të ndihmës shtetërore. Duhet të jetë e qartë se ndihma shtetërore duhet ti nënshtrohet këtij procesi vetëm kur dhënësit e ndihmës shtetërore janë institucionet shtetërore dhe ato pa dallim të nivelit apo llojit të tyre (si të tilla ato mund të jenë organe të autorizuara të administratës qendrore dhe të qeverisjes lokale, ndërmarrjet publike, apo ndonjë autoritet tjetër që vepron në emër të shtetit) kurse nga ana tjetër përfitues të ndihmës shtetërore mund të jenë të gjithë ata që kryejnë veprimtari ekonomike (qoftë person fizik ose juridik, privat ose publik). Megjithatë, legjislacioni parasheh edhe përjashtime nga rregulla parimore se çdo lloj ndihme konsiderohet e ndaluar, dhe këto janë rastet si në vijim:
(1) kur ndihma konsiderohet e lejueshme/pajtueshme me ligjin; dhe për dhënien e së cilës, dhënësit e ndihmës shtetëore nuk janë të kushtëzuar me aprovimin paraprak të Komisionit të Ndihmës Shtetëror (KNSH – Komisionit), këto raste përfshijnë: (a) ndihma e karakterit social që iu jepet konsumatorëve individualë; dhe, (b) ndihma për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ose ngjarjet e jashtëzakonshme. Kushti i vetëm për dhënësit e kësaj ndihme është që ndihma të jepet pa diskriminim lidhur me origjinën e produkteve që prek.
(2) kur ndihma konsiderohet në pajtueshmëri të kushtëzuar me ligjin; që do të thotë që për dhënien e kësaj ndihme, kushtet, kriteret dhe procedurat e vlerësimit të saj përcaktohen me akt nënligjor nga qeveria dhe dhënia e së cilës duhet që paraprakisht të autorizohet nga Komisioni, këtu bëjnë pjesë: (a) Ndihma shtetërore që jepet për të nxitur zhvillim ekonomik në rajonet ku standardi i jetesës është jo normalisht i ulët dhe ku ka papunësi të theksuar; (b) Ndihma shtetërore që jepet për nxitjen e realizimit të një projekti të rëndësishëm ose për mënjanimin e një çrregullimi serioz në ekonomi; (c) Ndihma shtetërore që jepet për të lehtësuar zhvillimin e disa fushave apo aktiviteteve të caktuara ekonomike, (d) Ndihma shtetërore që promovon kulturën dhe ruajtjen e trashëgimisë, deri në atë masë sa kjo ndihmë nuk ndikon ndjeshëm në kushtet e tregtisë dhe në konkurrencë, dhe,
(3) Ndihma “de minimis” është ndihmë e cila nuk konsiderohet ndihmë shtetërore dhe nuk është subjekt i njoftimit dhe autorizimit të Komisionit. Gjithësesi, kriteret, fushëveprimi dhe procedurat për dhënien e ndihmave “de minimis“ përcaktohen me akt nënligjor, po ashtu qeveria përcakton limitet e kësaj ndihme.
Çfarë tjetër parasheh legjislacioni në fuqi?
Ndryshe nga mësipër, për çdo rast tjetër të ndihmës shtetërore nuk ekziston ‘rasti’ i pajtueshmërisë apo pajtueshmërisë së kushtëzuar me ligjin, por për dhënien e ndihmës shtetëore autoritetet përkatëse të ndihmës shtetërore për çdo rast në baza individuale kryejnë një proces të vlerësimit, dhe vendimarrjes paraprake për dhënien e ndihmës dhe po ashtu të kontrollit dhe të monitorimit të ndihmës së dhënë. Në Kosovë, legjislacioni në fuqi e përcakton qartë korrnizën institucionale të kontrollit të ndihmës shtetërore dhe po ashtu edhe detyrimin e dhënësve të ndihmës shtetërore që autoriteteve përkatëse të ndihmës shtetërore t’iu ofrojnë informacione në lidhje me ndihmën shtetërore. Sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore përbëhet nga:
(1) Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH – Komisioni) si organ i pavarur vendimmarrës, i ngarkuar me detyrat dhe përgjegjësitë kryesore që kanë të bëjnë me: (a) përcaktimin nëse një masë në shqyrtim përbën ndihmë shtetërore, (b) me marrjen e vendimeve mbi pajtueshmërinë, mos-pajtueshmërinë ose pajtueshmërinë e kushtëzuar të ndihmës shtetërore, (c) monitorimin e ndihmës shtetërore ekzistuese, (d) publikimin e listës së zonave të pazhvilluara me qëllim të vendosjes së kufijve maksimal të ndihmës në lidhje me ato zona, (e) fillimin e hetimit zyrtar mbi një masë specifike të ndihmës apo (f) revokimin e ndihmës shtetërore përfshirë përcaktimin e normës së zbatueshme të interesit në këtë rast, dhe;
(2) Departamenti i Ndihmës Shtetërore (DNSH – Departamenti) i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), i cili ofron mbështetje profesionale dhe administrative KNSH-së. Në këtë aspekt, detyrë e DNSH-së është që të kryejë vlerësimin, kontrollin dhe monitorimin e ndihmës shtetërore.
Në të tre këto komponentë, DNSH-ja ka një rol të rëndësishëm që mund të përmblidhet si në vijim: (a) Së pari, DNSH-ja kryen vlerësimin mbi pajtueshmërinë e ndihmës individuale dhe të skemave të ndihmës shtetërore me dispozitat ligjore si dhe përgatit raportin e vlerësimin të ndihmës përfshirë edhe propozimet për vendimmarrje për KNSH-në; (b) Së dyti, DNSH-ja kryen kontrollin ex-post të ndihmës shtetërore si dhe mund të kërkojë revokimin e ndihmës së papajtueshme, dhe; nëse ndihma shtetërore është dhënë pa një vendim paraprak të KNSH-së, Departamenti fillon procedurat për kontroll të ndihmës së paligjshme dhe për revokimin e saj, dhe; (c) Së treti, DNSH-ja ka një rol të veçantë edhe në monitorimin e ndihmës shtetërore që konsiston në mbledhjen, përpunimin dhe regjistrimin e të dhënave për ndihmën shtetërore, përfshirë ndihmën shtetërore ‘de minimis’ me qëllim që të kontrollojë pajtueshmërinë e ndihmës shtetërore ekzistuese me kërkesat ligjore dhe me vendimet e KNSH-së si dhe të sigurojë transparencë në fushën e ndihmës shtetërore.
(Ky publikim është mbështetur nga projekti me titull “KSV 019 Asistenca Teknike në kuadër të Integrimit Evropian” i zbatuar nga Zyra për Kritere Ekonomike dhe Treg të Brendshëm në Zyrën e Kryeministrit dhe financuar nga Qeveria e Luksemburgut. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorit, dhe nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të Qeverisë së Luksemburgut).