Simone Inzaghi e ka refuzuar mundësinë që t’i bashkohet Manchester Unitedit, teksa ‘Djajtë e Kuq’ po vlerësojnë alternativat e mundshme për ta zëvendësuar Erik Ten Hag.
Ten Hag pati një fillim të dobët të sezonit në Ligën Premier dhe përkundër faktit që iu dhurua një kontratë e re në verë, ai po lufton që ta shpëtojë punën e tij.
Sipas SportItalia, hierarkia e Unitedit e ka kontaktuar trajnerin e Interit për të pyetur nëse do të dëshironte të kalonte në Angli, por morën përgjigje negative.
Italiani e udhëhoqi Lazion drejt Ligës së Kampionëve para se të punësohej nga Interi. Inzaghi i ka udhëhequr më pas ‘Nerazzurrët’ drejt titullit të Serie A, dy trofeve të Kupës së Italisë dhe një finale të Ligës së Kampionëve.
Pasi Harry Maguire me golin e tij ndaj Portos ‘shpëtoi kokën’ e Ten Hagut, tekniku holandez e di se duhet patjetër të marrë një rezultat pozitiv ndaj Aston Villës për të vazhduar tutje si trajner i tyre.
Në rast se Unitedi vendos që ta shkarkojë atë, atëherë duhet të vlerësojnë opsionet e tjera pas Inzaghi nuk ka për synim të lëviz nga Interi./Telegrafi/