Nga: Raffaele Huang (me kontributin e gazetarit Dave Sebastian) / The Wall Street Journal (titulli origjinal: What Is TikTok Worth? Guesses Range From $20 Billion to Over $100 Billion)
Tani që presidenti Biden ka nënshkruar legjislacionin që detyron shitjen e operacioneve të TikTok-ut në SHBA, çdo marrëveshje e mundshme shtron pyetjen të madhe: Sa vlen aplikacioni i njohur për shpërndarjen e videove?
Ata që pyesin kanë disa shifra të mëdha – dhe shumë të ndryshme – të cilat duhet pasur parasysh. Një kërkues ka sugjeruar vlerën 20 miliardë dollarë, si çmim fillestar për operacionet në ShBA. Ekzekutivët në kompaninë ByteDance, e cila ka në pronësi TikTok-un, më parë kanë vlerësuar se operacionet globale të TikTok-ut vlejnë sa gjysma e vlerës së përgjithshme e kompanisë kineze gjë që, sipas njerëzve që njohin këtë çështje, do ta caktonte vlerën në mbi 100 miliardë dollarë.
Përcaktimi i vlerës së saktë do të jetë punë e vështirë, sepse industria e teknologjisë kurrë më parë nuk e ka përjetuar një shitje si kjo, ndërsa disa çështje ende mbesin të panjohura.
Faktor me rëndësi është gjëja që vjen me shitjen. A do të jetë i gjithë biznesi ndërkombëtar me më shumë se një miliard përdorues, apo vetëm operacionet e ShBA-së me 170 milionë përdorues? A do të përfshihej salca sekrete e TikTok-ut – algoritmi që krijon varësi në personalizimin e videove e të cilin Kina ka bërë me dije se nuk do të lejojë të shitet?
Pyetja tjetër varet nga ajo se sa tërheqës është biznesi i TikTok-ut në ShBA, pasi po ngadalësohet rritja e tij dikur marramendëse, ndërsa Instagram-i po ngrihet si rival.
Ka gjasa se duhen muaj të tërë për të vendosur çmimin e shitjes – nëse ndonjëherë bëhet fjalë për këtë. Presidenti Biden të mërkurën e nënshkroi legjislacionin, pasi ditëve të fundit Kongresi e miratoi projektligjin. TikTok-u po përgatitet të shtrojë padi, duke u bazuar te fjala e lirë, për të ndaluar kështu zbatimin e projektligjit. Legjislacioni ia jep ByteDance-it deri një vit për të gjetur blerës të përshtatshëm ose do të përballet me ndalim në ShBA.
Ndërlikimi i mëtejshëm i shitjes së mundshme është se themeluesi i ByteDance-it, Zhang Yiming, teorikisht mund të lejojë që TikTok-u të ndalohet në ShBA, ndonëse investitorët e jashtëm e kanë gjithashtu fjalën e vet.
Sipas kompanisë, Zhangu zotëron 20 përqindëshin e ByteDance-it, por aksionet ia japin atij të drejtat më të mëdha për votim. Afërsisht 60 përqind e ByteDance-it është në pronësi të investitorëve institucionalë globalë, përfshirë Carlyle Group, General Atlantic dhe Susquehanna International Group. Pjesa e mbetur prej 20 përqind është pronë e punonjësve të kompanisë.
Deri tash, kanë qenë të kufizuara deklaratat publike për interesimin për blerjen e TikTok-ut. Kevin O’Leary, kryetar i O’Shares ETF dhe ylli i shfaqjes televizive Shark Tank, ka thënë se po e përmbledh ofertën e cila, pa algoritmin, e vlerëson atë mes 20 miliardë dhe 30 miliardë dollarë. Wall Street Journal ka raportuar se ish-sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, ka thënë se po e formon një grup për të blerë TikTok-un, ndërsa Bobby Kotick – ish-shefi ekzekutiv i krijuesit të video-lojërave, Activision – i është afruar gjithashtu Zhangut.
Nëse Zhangu dhe aksionarët e tjerë bien dakord për shitje, çmimi fillestar i shitjes, sipas perspektivës së ByteDance-it, mund të jetë mbi 100 miliardë dollarë. Sipas njohësve të kësaj çështjeje, drejtuesit në ByteDance në vitin e kaluar ka thënë se TikTok-u mund të vlerësohet sa gjysma e vlerësimit për ByteDance.
ByteDance nuk pranoi të komentojë mbi pikëpamjen e saj për vlerësimin e TikTok-ut.
Në dhjetor, siç thanë disa, ByteDance ofroi 160 dollarë për aksion për t’i blerë ato nga aksionarët, duke u thënë atyre se kjo nënkupton vlerësimin prej 268 miliardë dollarëve.
Investitorë e tjerë mendojnë se ByteDance vlen më pak. Sipas të dhënave nga Rainmaker Securities – broker me kapital privat – në tregjet e kapitalit privat ku aksionerët e ByteDance-it i shesin aksionet e veta, çmimet ishin më të ulëta se 130 dollarë për aksion. Kjo do ta vlerësonte gjigantin e teknologjisë kineze në më pak se 215 miliardë dollarë.
Gjithashtu, nuk ka konsensus se TikTok-u në të vërtetë vlen sa gjysma e ByteDance-it i cili operon me disa aplikacione të njohura në Kinë.
Sipas njerëzve që njohin këtë çështje, disa banka investimi dhe investitorë e vlerësojnë TikTok-un në pesëfishin e të ardhurave të tij nga reklamat dhe nga transmetimet e drejtpërdrejta. Prapë, sipas njohësve të çështjes, vitin e kaluar të ardhurat e TikTok-ut nga reklamimi dhe transmetimi i drejtpërdrejtë – të cilat janë burimet kryesore të të ardhurave të tij – ishin rreth 22 miliardë dollarë. Kjo sugjeron se TikTok-u mund të vlerësohet në 110 miliardë dollarë.
Këto pika fillestare supozojnë se ByteDance e shet gjithë TikTok-un, në vend që ta ndajë në dy biznese: një për ShBA-në dhe një tjetër për pjesën tjetër të botës.
Amerika është tregu më i madh i TikTok-ut dhe motor i madh për rritje të produktit. Njohësit e çështjes thanë se biznesi amerikan e nisi një shërbim të tregtisë elektronike në shtator, ndërsa synon të ketë 17.5 miliardë dollarë transaksione të mallrave në këtë vit.
Biznesi i TikTok-ut në ShBA arrin objektivat e veta të shitjes të reklamave, por rritja e përdoruesve po ngec, raportoi Journal në muajin e kaluar. Sipas firmës analitike Data.ai, përdoruesit mesatarë mujorë në ShBA, të moshës 18 deri në 24-vjeçare, ranë me gati nëntë përqind nga 2022 në 2023. Sensor Tower, një tjetër firmë analitike, vlerëson se koha ditore e shpenzuar në Instagram u rrit me 10 përqind gjatë vitit të kaluar, krahasuar me rritjen prej një përqind në TikTok – megjithëse TikTok-u ende dominon platformat e mediave sociale për kohën e përgjithshme të shpenzuar në aplikacione.
Është gjithashtu e paqartë nëse TikTok-u është fitimprurës. Në një intervistë në mars të vitit 2023, shefi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, ka thënë se ende nuk është fitimprurës, sepse shpenzon miliarda dollarë në përpjekjen për të bartur nga Kina operacionet në ShBA dhe në Evropë, me qëllimin për të qetësuar politikanët dhe rregullatorët e shqetësuar për lidhjet e aplikacionit me Pekinin.
Duke e shitur biznesin në ShBA, kjo do ta lejonte ByteDance-in të mbajë pjesën më të madhe të TikTok-ut, por Chew tha se duke bërë kështu kjo mund të “prish” aplikacionin. Një pjesë e tërheqjes në TikTok, tha ai, është se njerëzit jashtë ShBA-së mund ta përjetojnë amerikanizmin.
“Mund të jesh përdorues amerikan e, për shembull, mund të bëhesh viral në Francë”, tha ai. “Nëse ke dy kompani – një për ShBA-në dhe një për pjesën tjetër të botës – mendo se si do të ndërveprosh. Si e bën këtë”?
Një çështje tjetër që mund të ul çmimin e shitjes së TikTok-ut është kontrolli i algoritmit të aplikacionit, ose sistemi që personalizon videot të cilat i shikon përdoruesi. Vitin e kaluar Kina tha se shitja e TikTok-ut do t’i nënshtrohej miratimit të qeverisë, sepse algoritmi bie nën rregullat kineze të kontrollit të eksportit.
ByteDance mendon se algoritmi është kyç për ta bërë TikTok-un argëtues dhe krijues të varësisë, thanë investitorët dhe drejtuesit e kompanisë. Blerësit mund të bëjnë ofertë për TikTok-un, pa algoritmin, dhe atë mund ta instalojnë sistemin e vet.
“Duhet të jesh administrator për ta ndryshuar atë nga TikTok China në TikTok U.S.A.”, tha për SNCBC, në muajin e kaluar, O’Leary nga Shark Tank. “Të gjithë supozojnë se nuk do ta merrni algoritmin nga qeveria kineze dhe se nuk ka dilemë se ata nuk do ta shesin atë”. /Telegrafi/