
Shkencëtarët rusë planifikojnë të fillojnë provat klinike brenda dy javësh mbi një vaksinë për të luftuar koronavirusin, citohet të ketë thënë të shtunën ministri i shëndetësisë së Rusisë, shkruan “Reuters”.
Rusia rreshtohet në vendin e tretë me numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.
Zyrtarët e Kremlinit kanë thënë që studiuesit e vendit po punojnë për gati 50 projekte të ndryshme vaksinash.
“Testet janë duke u zhvilluar dhe ne planifikojmë të fillojmë provat klinike në dy javët e ardhshme,” u citua nga agjencia ruse e lajmeve TASS, Ministri i Shëndetësisë Mikhail Murashko. Ai tha se vullnetarët janë zgjedhur për të marrë pjesë në prova, transmeton Zeri.info.
Prodhuesit e barnave në gjithë botën po nxitojnë të zhvillojnë ilaçe dhe vaksina për virusin që ka shkaktuar 364,000 vdekje globalisht..
Aktualisht janë rreth 10 vaksina të koronavirusit që po testohen te njerëzit dhe ekspertët kanë parashikuar që një vaksinë e sigurt dhe efektive mund të zgjasë 12 deri në 18 muaj nga fillimi i zhvillimit.
Një nga projektet e vaksinave ruse është duke u ndërmarrë nga Instituti shtetëror Vektor në Siberi, ndërsa drejtori i përgjithshëm i këtij instituti, Rinat Maksyutov, tha të shtunën se ai shpresonte të përfundonte provat klinike në mesin e shtatorit.
Ndër të tjera, Maksyutov tha se provat e vaksinave mbi kafshët kishin qenë të suksesshme.