×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrëfehet kryeinfermierja e Pulmologjisë: Jemi detyruar të zgjedhim se cili pacient të jetë prioritet

    FrontOnline
    24 Gusht 2020

    Që kur janë paraqitur rastet e para me Koronavirus, stafi mjekësor ishte në vijën e parë të frontit përballë betejës me pandeminë, duke mos u kursyer për asnjë moment. Në mesin e tyre është edhe Arta Sejdiu – kryeinfermiere në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK është njëra nga infermierët që për asnjë çast nuk u ndal por punoi deri në 12 orë për t’u dalë në ndihmë të gjithë pacientëve të shtrirë në këtë klinikë.

    Ka rreth 30 vjet që punon si infermiere dhe gjatë këtyre viteve është ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet, por përballja me Koronavirusin po del të jetë ndër më të vështirat që po e përjeton.

    Në një rrëfim për Syri.net Kosovë, Sejdiu flet për jetën, punën në kohë pandemie e jo vetëm.

    Rrëfimi i Artës është ndryshe prej të tjerëve, pasi, përveç ndihmës që duhet t’u japë pacientëve, duhet të kujdeset edhe për shëndetin e saj. Ajo më 2018 u diagnostikua me karcinomë dhe u deshën dy ndërhyrje kirurgjikale e rrezatimi shtesë që të përmirësohej. Pasojat e kësaj sëmundjeje kanë lënë gjurmë në shëndetin e Artës. Edhe sot ajo vazhdon të marrë trajtimet e nevojshme që ta mbajë nën kontroll këtë sëmundje.

    Pavarësisht këtyre, ajo nuk u ndal, vazhdoi të jetë në krye të detyrës edhe në pandemi e në këtë formë rrezikoi shëndetin e saj vetëm që t’u dalë në ndihmë pacientëve që janë të shtrirë në Pulmologji, por misioni i saj tash e 13 ditë është i pamundur, pasi është vetë e infektuar me Koronavirus.

    “Në Klinikën e Pulmologjisë punoj rreth 30 vjet. Gjatë këtyre viteve kam pasur 9 eksperienca pune, duke filluar nga shëndetësia e deri në arsim! Në vitin 2018 jam diagnostikuar me karcinomë, gjë që nuk e kam përjetuar aq mirë, dy operacione dhe gjatë rrezatimit, më janë dëmtuar edhe veshkat, me të cilat kam ende telashe. Kam staz në të dyja veshkat, shkalla e dytë, andaj duhet të kem kontrolle të vazhdueshme dhe intervenim gati çdo tre muaj, pasi duhet të ma ndërrojnë stentën që e kam në veshkë, gjë më shkakton telashe, përcillet me dhimbje dhe shpeshherë edhe me temperaturë të lartë. Po ashtu jam edhe me hipertension, mirëpo me terapi adekuate, po arrij që t’i përmirësoj vlerat.”

    “…Pasi që nuk është kohë e gjatë që jam diagnostikuar me kancer, tek unë ende ekziston frika që kjo gjë mund të përsëritet dhe nuk mund ta mohoj faktin që ende kam drojë, sidomos tash që po jetojmë në kohë pandemie, së cilës nuk i shpëtova as unë!”

    Arta na tregon se sa e vështirë është të punosh në këtë kohë.

    “Kjo periudhë ka qenë e rëndë jo vetëm për mua, po për të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe bashkëpunëtorët të tjerë profesionalë. Që 6 muaj ballafaqohemi me pandemi. Gjatë kësaj kohe të gjithë kemi pasur barrë të madhe, lodhje, besa edhe frikë! Në të gjitha këto rrethana jemi munduar me tërë forcën tonë të ndihmojmë dhe të ofrojmë shërbime për të gjithë ata që ka pasur nevojë. Të gjithë janë të lodhur e të stërngarkuar. Vetëm bartja e rrobave mbrojtëse është gjë e lodhshme e lëre më puna e rëndë 12-orëshe, me mungesë stafi, orë të shtuara të punës dhe me staf të infektuar”.

    “Në këtë kohë kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë me orë të shtuara të punës dhe mund të them që asnjë ditë nuk jam kthyer në shtëpi në orar të duhur si dhe asnjë vikend nuk e kam pasur të lirë, unë dhe kolegët e mi”.

    Arta tutje tregon se mungesa e infermierëve ua ka vështirësuar punën dhe menaxhimin e situatës, andaj u kërkon falje qytetarëve.

    “Të gjithë e dimë se menaxheri kryen detyrat nëpërmjet të tjerëve, andaj është dashur që të jem në gatishmëri për një organizim dhe planifikim të duhur për shkak edhe të numrit të vogël të stafit të infermierëve, pasi një pjesë e madhe, pothuajse 70%, janë të infektuar. E në anën tjetër kemi shtim të shtretërve dhe numri i pacientëve me gjendje të rëndë shëndetësore sa vjen e rëndohet. Kjo periudhë ka qenë e vështirë për t’u organizuar por ia kemi dalë duke u kombinuar me kolegët e jashtëm të klinikës sonë dhe falë punës së palodhshme të stafit të kësaj klinike ia kemi arritur disi, por jo kënaqshëm!…”

    “…Këtë herë për shkak të kësaj gjendjeje të rëndë të krijuar, u kërkoj falje popullatës nëse s’kemi arritur t’iu ofrojmë shërbime cilësore, pasi ky virus po infekton dhe po merr jetë edhe të punëtorëve shëndetësorë. Mirëpo me një kujdes të shtuar nga qytetarët dhe duke iu përmbajtur rregullave të përcaktuara, i siguroj që bashkë do t’ia dalim”.

    Ajo ndër të tjera tregon se ka pasur raste kur është dashur të zgjedhin edhe se cilit pacient t’i dalin në ndihmë më përpara.

    “Për shkak të mungesës së stafit mezi kemi arritë të japim shërbime. Ka ndodhur edhe pacientët janë irrituar sepse terapinë nuk e kanë marrë në kohë. Ka pasur raste kur prioritet i kemi dhënë rastit më të rëndë”.

    E vetizoluar tash e 13 ditë, Arta tregon se si e përjetoi momentin kur kuptoi se kishte rezultuar pozitiv.

    “Nuk e kam përjetuar aq rëndë, sepse ka qenë e pritshme që do të infektohem, si 20 koleget e mia. Kushtet i kemi pasur të tilla, s’kemi pasur mundësinë të ruhemi, por e kemi rrezikuar shëndetin tonë për t’u ndihmuar të tjerëve. Kur jam infektuar, kam qenë e shqetësuar, duke dëgjuar çdoherë që rastet që po humbin betejën, janë pikërisht ata që kishin edhe sëmundje të tjera përcjellëse dhe unë isha njëra nga to”.

    Në fund Arta na tregon se si po e kalon këtë kohë që është e infektuar.

    “Tani që i kam bërë 13 ditë nga dita e testimit, ndihem më mirë. Nuk është se ka qenë e lehtë, mirëpo i jam përmbajtur terapisë, kam pasur kujdes të shtuar dhe jam munduar të mos merrem me sëmundjen dhe vetëm një mundësi të vogël nëse e kam pasur jam marrë me diçka që më ka ndihmuar të kaloj kohën në izolim dhe t’ia lehtësoj vetes simptomat. Vizatimi, bisedat me njerëz, kopshti dhe leximi më kanë bërë të ndihem mirë” – përfundon Arta

    Deri më tani në Kosovë 8 mjekë kanë vdekur nga Covid-19, ndërsa mbi 800 nga stafi mjekësor janë në vetizolim.

     

    Nga Rubrika
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se e ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit të ri për specializime. Në një...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta për 50% është...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Altin Krasniqi, jurist i diplomuar dhe një personalitet i njohur në fushën juridike dhe shoqërore, ka njoftuar kandidaturën e tij për deputet...
    Të tjera
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar rezultatet e intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror në pesë prokurori themelore. Para se të votohen në...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Policia ka bërë të ditur se e kanë parandaluar edhe një rast tjetër të kontrabandimit me mallra. Në njoftimin e lëshuar thuhet...
    Bota/Rajoni21 Dhjetor 2024
    Numri i të vdekurve nga sulmi me veturë në një treg të Krishtlindjeve në qytetin e Magdeburgut të Gjermanisë u rrit në...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje diasporës që sa më shumë të aplikojnë për t’u regjistruar për votuar në...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Leo gjatë orëve të vona të natës është sqaruar me Gjestin dhe Rovenën sa i përket nominimeve. Por Gjesti i tha se...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se gjendet në një vizitë pesë ditore në Jordani në cilësinë e eskpertit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.