×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Rastet me Covid-19 rikthejnë izolimin në Azinë Qendrore

    FrontOnline
    02 Korrik 2020

    Vetëm disa javë pasi kanë dalë nga izolimet që kanë goditur ekonomitë e tyre të brishta, rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në Azinë Qendrore ka detyruar zyrtarët të rivendosin kufizime, që do të mbyllin biznese dhe do t’i lënë njerëzit pa punë.

    Megjithatë, puna gjatë pandemive është gjithmonë e bollshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe varrmihësit.

    “Normalisht në varrezat tona varrosen çdo muaj rreth pesë trupa”, thotë Turganbek Otebaev, varrmihës në periferi të qytetit Aktobe të Kazakistanit.

    “Por, në dy-tre ditët e kaluara, gjashtë ose shtatë trupa po sillen çdo ditë për varrosje”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Në rajonin Bukhoro të Kazakistanit, qeveria ka urdhëruar të vendosen “kufizime” në transportin publik dhe të mbyllen disa pazare nga 1 korriku, “për shkak të numrit në rritje të të infektuarve”, njofton media shtetërore.

    Qendrat tregtare dhe tregjet në të gjithë Uzbekistanin do të mbyllen gjatë fundjavave për dezinfektim, njoftoi më 30 qershor grupi punues kundër koronavirusit.

    Vendi më i populluar i Azisë Qendrore, Uzbekistani, me 32 milionë banorë, ka regjistruar së paku 230 raste të reja çdo ditë kohëve të fundit, megjithëse numri i vërtetë i të infektuarve mbetet i panjohur, për shkak të mungesës së testimeve dhe akuzave se zyrtarët nuk i raportojnë të gjitha rastet.

    Në Kazakistan, izolimi dyjavor do të nisë më 5 korrik. Masat e reja të karantinës janë ndërmarrë pasi ky vend ka përjetuar rritje të befasishme të rasteve me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, në tri javët e fundit.

    Presidenti Qasym-Jomart Toqaev ka urdhëruar zyrtarët që të ndërmarrin “masa të ngjashme me karantinën e rreptë” që Kazakistani ka pasur nga 16 marsi deri më 11 maj.

    Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus është rritur në mbi 41,000 më 1 korrik, nga rreth 5,000 në mes të majit, kur Kazakistani – ekonomia më e madhe në Azinë Qendrore – ka dalë nga izolimi mbarëkombëtar.

    Numri i rasteve të reja është duke u rritur edhe në Kirgizi, ku qeveria thotë se kriza ka vënë presion të madh mbi sistemin shëndetësor të vendit.

    Valë e dytë apo rimbushje e valës së parë?

    Zyrtarët në Kazakistan kanë nisur të ngrenë alarmin rreth rritjes së rasteve të reja në mes të qershorit, kur qeveria ka planifikuar t’i rihapë gradualisht qendrat e mëdha tregtare, kinematë dhe teatrot.

    Megjithatë, ajo është detyruar t’i shtrëngojë masat kufizuese për bizneset edhe një herë.

    Në Almati, qytetin e dytë më të madh në Kazakistan, të gjitha pazaret dhe dyqanet kanë zvogëluar orët e hapjes, që nga 15 qershori.

    Kufizime të ngjashme janë vendosur për restorantet, dyqanet ushqimore dhe tregjet në provincat Karangandi, Mangistau, Kazakistani Verior, Kazakistani Jugor, Turkestani dhe Kazakistani Perëndimor.

    Shumë spitale kazake kanë mbetur pa shtretër, për shkak të rritjes së numrit të njerëzve që pranohen me simptoma të Covid-19.

    Ky vend gjithashtu ka parë rritje të paparë të rasteve të rënda me pneumoni, shumë prej të cilave rezultojnë me vdekje. Pneumonia shpesh shkaktohet nga pacientët me Covid-19.

    Më 30 qershor, ministri i Shëndetësisë, Aleksei Tsoi, tha se 2,500 raste të reja me pneumoni po regjistrohen çdo ditë kohëve të fundit.

    Në Kirgizi, shefi i Qendrës së Mjekësisë Urgjente, Iskender Shayakhmatov, tha se objekti pranon thirrje të shumta nga banorët e Bishkekut, që ankohen për simptoma të pneumonisë. Shayakhanov tha se kjo është jashtëzakonisht e pazakonshme për sezonin e verës.

    Statistikat e dyshimta

    Statistikat reale të koronavirusit është vështirë të përcaktohen në Azinë Qendrore, ku kritikët akuzojnë zyrtarët për mosraportim të të gjitha rasteve.

    Me përjashtim të Kazakistanit, shkalla e testimit mbetet jashtëzakonisht e ulët në të gjithë rajonin, ku ekspertët mjekësorë gjithashtu vënë në dyshim besueshmërinë e testeve.

    Në Taxhikistan, mjekët në spitalet provinciale thonë se nuk kanë qasje në testet e koronavirusit dhe se duhet t’i dërgojnë mostrat në kryeqytetin Dushanbe.

    Dy drejtorë spitalesh i kanë thënë Shërbimit të Taxhikistanit të Radios Evropa e Lirë se për shkak të mungesës së testeve, ata e vënë pneumoninë si shkak të vdekjes për të gjithë pacientët që vdesin nga simptoma të dukshme të Covid-19.

    Taxhikistani ka raportuar afro 6,000 infeksione deri më 30 qershor, ndërsa numri i viktimave ka mbetur i pandryshuar – 52 – për disa ditë.

    Por, një raport hulumtues i Radios Evropa e Lirë ka treguar se shifrat e zyrtarëve janë dukshëm më të ulëta se vlerësimet e aktivistëve lokalë dhe mjekëve.

    Një ueb-faqe e krijuar nga disa aktivistë e vë numrin e vdekjeve nga koronavirusi 437 deri më 14 qershor. Për këtë, ajo citon informacionet e dhëna nga të afërmit, autoritetet shëndetësore, zyrtarët lokalë ose raportet e mediave sociale.

    Radio Evropa e Lirë ka verifikuar më shumë se 150 prej këtyre vdekjeve nga koronavirusi.

    Autoritetet taxhike thonë se nuk kanë pasur raste me koronavirus në këtë vend deri më 30 prill. Para kësaj, zyrtarët kanë keqtrajtuar gazetarët që kanë vënë në dyshim rritjen e rasteve të dyshimta me simptoma të ngjashme me pneumoni.

    Turkmenistani, vendi më i fshehtë dhe shtypës në Azinë Qendrore, nuk ka raportuar asnjë rast të vetëm me koronavirus.

    Por, burime të ndryshme mjekësore i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se raste me Covid-19 janë regjistruar në pothuajse të gjitha rajonet e Turkmenistanit, pavarësisht mohimit të qeverisë.

    Pasi fillimisht ka refuzuar të lejonte një delegacion të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të vizitonte vendin, Ashgabati ka pranuar javën e kaluar që zyrtarët e OBSH-së të shkonin atje. Por, vizita nuk është realizuar ende.

    Disa punëtorë shëndetësorë thuhet se janë në mesin e atyre që janë infektuar me koronavirus në Turkmenistan.

    Dy mjekë kanë vdekur nga Covid-19 në spitalin e sëmundjeve infektive Choganly, në periferi të Ashgabatit, ndërsa disa mjekë të tjerë janë infektuar me koronavirus në institucione të ndryshme mjekësore në provinca, i kanë thënë burimet Radios Evropa e Lirë.

    Presidenti i Kazakistanit, Toqaev, ka thënë se qeveria e tij nuk ka “asgjë për të fshehur nga bashkësia ndërkombëtare” dhe se dëshiron të tregojë “situatën e vërtetë” në vend. Ai ka thënë më 29 qershor se Kazakistani ka kapacitet të kryejë rreth 28,000 teste në ditë.

    Më 1 korrik, ueb-faqja zyrtare e Kazakistanit për statistikat e koronavirusit i ka dhënë fund praktikës së saj për të përjashtuar rastet asimptomatike nga numri i përgjithshëm.

    Deri më tani, raporti ditor i qeverisë për rastet e reja nuk i ka përfshirë ato raste – një metodë kjo që kritikët e quajnë “manipulim” të statistikave.

    Si shembull, më 30 qershor, zyra qeveritare për koronavirus ka raportuar 492 infeksione të reja në 24 orë.

    Por, kjo shifër nuk ka përfshirë 1,003 njerëz që në të njëjtën ditë kanë dalë pozitivë me koronavirus, por nuk kanë pasur simptoma. Ueb-faqja i ka raportuar rastet asimptomatike në një kategori të veçantë.

    Dr Bakhyt Tumenova, udhëheqës i organizatës publike Aman-Saulyk, thotë se metoda e tillë jep një pamje të shtrembëruar dhe mashtruese të situatës.

    “Njerëzit asimptomatikë janë po aq infektues sa ata që kanë manifestime klinike”, thotë Tumenova për Radion Evropa e Lirë.

    Çka pritet tani?

    Toqaev ka udhëzuar guvernatorët lokalë që t’i sigurojnë burimet kryesore për sistemin e kujdesit shëndetësor gjatë izolimit të ri, që do të fillojë më 5 korrik.

    Ai ka urdhëruar gjithashtu rritje për 50 për qind të numrit të shtretërve në spitalet e sëmundjeve infektive, deri në fund të korrikut, “duke pasur parasysh mundësinë e fillimit të një vale të dytë të pandemisë”.

    Qeveria kazake do të zhvillojë një takim më 10 korrik, për të diskutuar ndikimin e krizës në ekonomi, përfshirë masat për ruajtjen e vendeve të punës dhe aktivitetin ekonomik.

    Në prill, ky vend është zotuar se do të ndajë rreth 13.5 miliardë dollarë për të mbështetur qytetarët dhe bizneset e vogla gjatë pandemisë.

    Vendet e tjera të Azisë Qendrore ende nuk kanë dalë me plane konkrete veprimi për trajtimin efikas të krizës dhe mbështetjen e popullsisë.

    Taxhikistani dhe Kirgizia kanë vendosur për një rritje të vogël të pagave të punonjësve shëndetësorë dhe u kanë dhënë disa ndihma humanitare familjeve me të ardhura të ulëta.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni27 Nëntor 2024
    Dhoma e Përfaqësuesve në Australi miratoi të mërkurën një projektligj që do të ndalonte fëmijët deri në moshën 16 vjeçare të përdorin...
    Bota/Rajoni27 Nëntor 2024
    Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të mërkurën ndaj 21 bashkëpunëtorëve të tjerë të Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke i akuzuar ata...
    Bota/Rajoni27 Nëntor 2024
    Tarifat e reja të propozuara nga presidenti i zgjedhur Donald Trump për shtete si Meksika dhe Kanadaja do të çojnë në shkurtimin...
    Të tjera
    Lajme27 Nëntor 2024
    Profesori në Universitetin John Hopkins në SHBA dhe eksperti për çështjet e Ballkanit, Edward Joseph, mendon se SHBA dhe BE duhet të...
    Lajme27 Nëntor 2024
    Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se sot kanë festuar 112-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,...
    Vip27 Nëntor 2024
    E tërhequr për më shumë se një vit nga paraqitjet publike, Fjolla Morina është rikthyer me rrëfimin e saj, për përjetimet e...
    Lajme27 Nëntor 2024
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti shtroi drekë për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe...
    Lajme27 Nëntor 2024
    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaron se Suhareka i tha“po” ndryshimit që po troket në dyert e Kosovës, pas tubimit që mbajti...
    Lajme27 Nëntor 2024
    Për të enjten parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell, ndërsa në orët e mëngjesit pritet të ketë mjegull lokalisht nëpër lugina...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.