Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi të enjten, më 24 tetor, se trupat e NATO-s janë përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e Ukrainës, duke e përshkallëzuar situatën. Në një konferencë për shtyp pas samitit të BRICS-it në Kazan, Putin theksoi se jo veprimet e Rusisë, por përkrahja perëndimore për Ukrainën ka përkeqësuar konfliktin.
“Shtetet perëndimore e kanë armatosur vazhdimisht regjimin e Kievit. Ne e dimë se çfarë po bëjnë dhe nga po nisen mjetet lundruese pa pilot në Detin e Zi. Sepse e dimë se cilat shtete europiane të NATO-s janë të pranishme aty dhe si e bëjnë këtë punë”, tha Putin.
“Gjithashtu janë dërguar instruktorë, personel ushtarak, jo mercenarë, por personal ushtarak. Gjithashtu edhe armë të precizonit të lartë, armë moderne, përfshi raketa si ATACMS, Storm Shadow, e kështu me radhë. Ushtarët ukrainas nuk i përdorin dot ato pa mbështetje nga ajri nga Perëndimi. Dhe kjo është përfshirje e drejtpërdrejt e oficerëve të NATO-s”.
Putin rikujtoi ngjarjet e vitit 2014, duke e cilësuar përmbysjen e qeverisë në Ukrainë si një “grusht shteti” të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, ky veprim është një nga arsyet themelore të konfliktit aktual. “Nuk ishin veprimet e Rusisë që çuan në përshkallëzim, por grushti i shtetit i vitit 2014, i mbështetur kryesisht nga SHBA-ja”.
Këto komente të presidentit rus vijnë në një kohë kur tensionet ndërmjet Rusisë dhe vendeve perëndimore po vazhdojnë të rriten, ndërsa mbështetja për Ukrainën nga vendet e NATO-s vazhdon të zgjerohet në përmasa të reja./A2cnn