Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Austri. Pomepo atje është takuar më ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin kanë diskutuar edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe veçanërisht për punën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Një gjë të tillë Schallenberg e ka konfirmuar në konferencën e përbashkët për media, derisa ka njoftuar se për rajonin e Ballkanit Perëndimor do të ketë edhe diskutime të mëtejshme në takimin që do ta kenë sonte në darkë.
Kryediplomati austriak ka thënë se SHBA’ja është një partner i rëndësishëm për të mbajtur rajonin e Ballkanit Perëndimor stabil dhe për t’i mundësuar zhvillim ekonomik.
“Sa i përket Ballkanit Perëndimor, një çështje për të cilën do të flasim përsëri në mbrëmje, sepse do të kemi diskutime të tjera. Ne konsiderojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner tepër i rëndësishëm për ne për të mbajtur rajonin stabil dhe për t’ia mundësuar këtij rajoni që të ketë një zhvillim të frytshëm ekonomik”, ka thënë Schallenberg, transmeton Gazeta Express.
Tutje politikani austriak ka thënë se SHBA dhe Evropa duhet të qëndrojnë krah për krah në çështjen e Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të sjellin këtë pjesë të Ballkanit sa më afër Bashkimit Evropian.
“Ne mirëpresim angazhimin e vazhdueshëm amerikan, dhe unë sapo mora vesh që do të ketë bisedime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit në fillim të shtatorit në SHBA në Washington. Kjo është diçka që SHBA dhe Evropa duhet të punojnë bashkë, duhet të qëndrojnë krah për krah që ta sjellin këtë pjesë të Evropës sa më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar Schallenberg.