×
  • Opinione
  • Opinione

    Përse duhet rritur prodhimi vendas i grurit?

    Zef Preçi
    20 Korrik 2023

    Shkruan ZEF PREÇI:

    Ç’po ndodh me furnizimin me drithëra të nevojave të popullsisë dhe të blegtorisë në vendin tonë? A ka politika korrigjuese të zhvillimeve kontradiktore në tregjet rajonale dhe botërore për këtë kategori produktesh, veçanërisht për grurin?

    Duke ngritur këto pyetje dhe mbi bazën e fakteve të ofruara nga masmedia, në vijim do të ofroj një koment dhe një sugjerim timin rreth kësaj teme.

    NË VEND TË HYRJES

    Tashmë, është e njohur butësisht se për shkak të agresionit rus në Ukrainë, kaosit ekonomik në marrëdhëniet midis vendeve të varfra dhe atyre të pasura, por edhe të zhvillimeve të paparashikueshme klimaterike, çmimet e produkteve bujqësore po rriten me shpejtësi. Natyrisht që në rastin e ekonomisë sonë kombëtare problemeve globale të furnizimit me drithëra iu duhet shtuar situata kaotike e prodhimit vendas.

    INSTAT raportonte pak ditë më parë se në vitin 2022, indeksi i çmimeve të produkteve bujqësore i llogaritur me metodologjinë e EUROSTAT shënoi rritje vjetore me 11,1%, ndërsa rritjen më të lartë e kishte qumështi i lopës me 30 për qind dhe drithërat me 37%. Çmimet e prodhimeve blegtorale në përgjithësi në vitin 2022 ishin 22% më të larta se një vit më parë. Po kështu, nga produktet bujqësore pas drithërave, rritje më të lartë e shënuan bimët foragjere me 18%, bimët industriale me 16.7%, patatet me 16.3%, ndërkohë që prodhimet e ullirit si vaji dhe fruti shënuan rënie vjetore të çmimeve respektivisht me 6 dhe 2.2%. Çmimi i mishit u rrit me 16%, ndërsa mishi i të imtave shënoi rritjen më të madhe me 22%, çmimet e qumështit në të gjitha kategoritë pësuan rritja me nga 20-30%, çmimi i vezëve gjithashtu shënoi rritje me 26%, etj. Në të njëjtin vit (2022) numri i bagëtive në të gjithë vendin shënoi rënie me mbi 8%, ndërsa për një dekadë numri i krerëve gati është përgjysmuar.

    Kjo situatë meriton të analizohet edhe si refleksion i politikave sektoriale, përgjithësisht të dështuara në mbështetje të prodhimit vendas, të ndjekura për një periudhë të gjatë kohe, në rritjen e ndikimit të lobisteve dhe të oligarkëve për ndërmarrjen e politikave favorizuese për importet e lëndëve të para, etj.

    Gjithsesi, rezultati i kësaj situate është se gjatë dekadës së fundit është përkeqësuar furnizimi i tregut të mallrave ushqimore bazë me burim prodhimin vendas dhe është zvogëluar dukshëm numri i krerëve të blegtorisë, ndërsa për politika në favor të rritjes madhësisë së fermave – konsolidimit të tokës; shtimit të mundësive për përdorimin e farërave dhe fidanëve të zgjedhur, kafshëve të racës, kontrollit fitosanitar, etj.; fuqizimin e përdorimit të mekanizimit për të rritur produktivitetin dhe për të kompensuar largimin e fuqisë punëtore aktive; përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit; nxitjes se kooperimit të fermerëve e përmirësimin e shërbimit këshillimor të fermerëve që do të çonte në rritjen e rendimenteve për hektar a për krerë në blegtori, mirëpërdorimin e tokës bujqësore si pasuri kombëtare, etj., e për rrjedhojë, edhe të lidhjeve midis prodhimit dhe tregut/konsumit, mund të flitet pak ose aspak. Ky është fakti i parë.

    (https://www.monitor.al/cmimet-eprodukteve-bujqesore-rritje-rekord-ne2022-kulmojne-qumeshti-dhe-dritheratme-nga-30-37/)

    PO KOSOVA?

    Duke parë gjendjen aktuale problematike të bujqësisë shqiptare, mendja të shkon në ekonominë e Kosovës dhe te bujqësia e saj. D.m.th., arsyetimi bazik niset nga premisa që në kushtet e heqjes së barrierave politike, fiskale, doganore, etj., të së shkuarës, janë të gjitha premisat që të realizojmë një integrim ekonomik më të madh midis pjesëve të trojeve shqiptare dhe jo vetëm në energjetikë, por edhe në lëmin e bujqësisë. Kjo para së gjithash, si refleksion i mundësive që ofron bujqesia e Kosovës për të prodhuar drithëra dhe ajo shqiptare, kryesisht ultësira perëndimore dhe fusha e Myzeqesë, për të prodhuar perime.

    Burimet nmediatike nga Kosova raportojnë se as këtë vit vendi nuk pritet të sigurojë mjaftueshëm prodhimin e drithërave, ndërsa rendimenti i grurit pritet që të jetë rreth 40 për qind më i ulët. Ndërsa ky rendiment ka shënuar një rritje relativisht modeste qysh nga vitet ’80, kur Kosova mbillte rreth 100 mijë hektarë me kulturat e drithërave (grurë, elb, thekër, tërshërë, misër, etj.). D.m.th., ashtu si Shqipëria, as Kosova nuk i ka dhënë akoma bujqësisë vendin që meriton si një ndër rrugët kryesore që rrit aftësinë konkurruese te ekonomisë se vendit, mundëson zgjerimin e punësimit brenda vendit dhe furnizimin e tregut të brendshëm me produkte deficitare, siç janë drithërat, sidomos në këtë kohë të turbullt për të gjithë ekonominë botërore. Ky është fakti i dytë.

    (Kosova as sivjet nuk pritet të sigurojë bukën, rendimenti i grurit do të jetë më i ulët për 40 për qind.

    TREGU I BRENDSHËM KA NEVOJË PËR GRURË, POR…

    Raportimet e masmedias kombëtare dhe burimeve të tjera të informimit bëjnë me dije se edhe në kushtet e mësipërme, d.m.th. të ekzistencës së një kërkese konsumatore për drithëra, kryesisht për grurë, në tregun e brendshëm si këtu ashtu edhe në Kosovë, ecuria e korrjeve është e ngadalshme dhe fermerët janë të pakënaqur me mbështetjen shtetërore nëpërmjet skemës së subvencioneve, naftës për bujqësinë, se çmimet e shërbimeve agro-teknike bazë si korrja, etj., janë shumë të larta, se çmimet e grumbullimit nuk justifikojnë çmimin e grumbullimit të produktit përfundimtar, etj.

    Po kështu, të dhënat zyrtare konfirmojnë se burimet e furnizimit me grurë nga jashtë vendit të nevojave të tregut shqiptar mbeten pak a shumë të pandryshuara. Serbia, (e cila ka zëvendësuar importet nga Rusia dhe Ukraina), Mali i Zi, Kroacia dhe Rumania. Gjysmë zyrtarisht bëhet me dije edhe se nëpërmjet vendeve të treta edhe gruri nga Rusia vazhdon të hyjë në tregun vendas (sipas “Top Channel”, 27.5.2023). D.m.th., tregu vazhdon të mbizotërohet nga importet dhe se politikat shtetërore janë larg realizimit të pritshmërive, pavarësisht nga rritja e fondeve buxhetore dhe financimeve të huaja për mbështetjen e këtij sektori. Ky është edhe fakti i tretë.

    BOTA NË TURBULENCA EDHE NË TREGTINË E GRURIT…

    Ditët e fundit, në shtypin ndërkombëtar dhe me burim Organizatën e Kombeve të Bashkuara është rritur shqetësimi në lidhje me pamundësinë e vazhdimit të eksportit të grurit nga Ukraina. Kjo për shkak se Rusia nuk pranon të vazhdojë marrëveshjen e ndërmjetësuar vitin e kaluar nga Turqia për të frenuar një krizë tjetër ushqimore në nivel botëror me ndikime negative, sidomos në vendet e varfra, marrëveshje e cila skadon të hënën e kësaj jave, dhe që duhet rinovuar çdo dy muaj. D.m.th., shqetësimi kryesor është se kjo situatë mund të çojë në rritjen e çmimeve të ushqimeve në nivel global. Po a është ky shqetësim ndërkombëtar një shqetësim edhe qeveritar në Tiranë dhe në Prishtinë? Të dhënat zyrtare statistikore, për fat të keq, provojnë të kundërtën.

    EPILOG:

    E ofrova këtë shënim me shqetësimin publik se e ardhmja ekonomike e vendit duke filluar me furnizimin me bukë, është e pasigurt dhe se vëmendja duhet kthyer drejt prodhimit vendas, se vetëm kështu do të fuqizohet ekonomia jonë kombëtare, ajo do të behet më konkurruese në rajon dhe më gjerë, vetëm kështu do të frenohet braktisja e vendit, d.m.th., duke krijuar mundësi punësimi dhe mirëqenieje për qytetarët e vet.

    Pa pretenduar për një trajtim shterues që meriton hapësira dhe mediume të tjera, kjo situatë në prodhimin vendas mund dhe duhet të kapërcehet jo duke ndërmarrë pirueta politike, siç është p.sh. kuadri ligjor për legalizimin e kanabisit “për qëllime mjekësore” (mbasi qeveria e ka tundur “zhdukjen e kanabisit kriminal 99.8% si fitoren më të madhe të dekadës”), e cila për ironi të fatit, po diskutohet me urgjencë në Kuvendin e Shqipërisë…

    Personalisht, mendoj se zgjidhja lidhet me madhësinë e subvencioneve shtetërore për njësi prodhimi apo për krerë (e cila duhet rritur urgjentisht të paktën në nivelin e mesatares së rajonit), me fazat e mbështetjes financiare shtetërore për punimet kryesore bujqësore, me riorganizimin e sistemit të grumbullimit të drithërave dhe të kredimit të bujqësisë nga programet shtetërore dhe bankat tregtare, me rolin e kompanive të sigurimeve dhe mbikëqyrjen e tyre, etj. D.m.th., janë të gjitha kushtet që në marrëdhëniet e shtetit me fermerët të adoptohen ato principe që garantojnë konkurrencën, fuqizimin e sektorit privat, mbrojtjen e prodhimit dhe të prodhuesit, nxitjen e zgjerimit të sipërfaqes së mbjellë, etj. Këto principe dhe mekanizmat përkatës zënë fill nga kriza bujqësore amerikane e viteve ’70 të shekullit të kaluar, që kanë zënë vend në politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së. Është çështje e thellësisë së njohurive qeverisëse dhe e vullnetit politik për të rikthyer vëmendjen drejt prodhimit vendas e sidomos drejt bujqësisë e blegtorisë, shumë më tepër se burimet financiare të kufizuara apo pengesa të tjera që politika shqiptare vetëm sa i liston në çdo fushatë zgjedhore, por qe ndërmerr pak ose aspak politika adekuate për kapërcimin e tyre në qeverisjen e ekonomisë së vendit.

    E ndërsa po shkruaja këto radhë, nga “Dritarja e Hapur” (në masmedia) shoh vazhdimin e “Ballkanit te Hapur” (z. Rama pret në një drekë joformale disa prej liderëve të Ballkanit në “Vila 30”), për të folur mbi “Procesin e Berlinit” (i pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i BE-se për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli), por me “Shqipëri të Mbyllur” (në mbledhje mungon Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti)…

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme24 Nëntor 2024
    Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka marrë pjesë mbrëmë në një koncert të zhvilluar në Gjakovë në...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në konventën politike të...
    Sport24 Nëntor 2024
    Lille është duke udhëhequr ndaj Rennes, në kuadër të Ligue 1. Golin e ka realizuar kush tjetër pos Edon Zhegrovës, i cili...
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Nuk kanë munguar incidentet në takimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama me shqiptarët e Britanisë së Madhe. Kreu i qeverisë shqiptare u...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka publikuar një video nga një mbledhje e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike ku deputetët...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nënrkyetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami “u zbraps” në përplasjen mes tyre në distancë për kontratat...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.