
Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, i ka shkarkuar dje Ujkan Bajrën, Drita Shoshin dhe Fadil Osmanin nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës me arsyetimin se ata nuk i përmbushën detyrat e funksionit që ushtrojnë.
Këto shkarkime kanë nxitur reagimin e ish-anëtares së këtij këshilli, Laura Kryeziut, e cila ka dhënë dorëheqje para disa muajve.Sipas saj, shumica e akterëve që kanë përgjegjësi për vendimmarrje në UP dhe për UP-në kanë interesa të ngushtë me këtë institucion.
“Nëse ne vazhdojmë të kemi shumicën e anëtarëve të KD-së të zgjedhur nga Senati si dhe të emëruarit nga jashtë të lidhur ngushtë me interesat e UP-së, nuk besoj se do të jemi në gjendje të kemi vendimmarrje të pavarur dhe funksionim të duhur të UP-së”.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të saj:
Unë kam shprehur gjetjet, vendimet dhe arsyet e mia gjatë gjithë kontributit tim dyvjeçar si anëtare dhe kryetare e KD-së, të cilat i kam theksuar në letrën time të dorëheqjes disa muaj më parë.
Dorëheqja kishte të bënte me mungesën totale të përgjegjësisë dhe keqmenaxhimit të menaxhmentit të UP-së, gjë që anëtarët e tjerë të KD-së bënë shumë pak për t’i adresuar dhe bashkëjetuan me këto probleme për interesa të tyre vetanake.Fatkeqësisht, shumica e akterëve që kanë përgjegjësi direkte për vendimmarrje në UP dhe për UP-në kanë interesa të ngushtë me këtë institucion. Shumica e tyre janë në proces të angazhimit në mësimdhënie, avancimit ose punësim të familjarëve të tyre.Për të siguruar angazhimin e profesionistëve të pavarur në Këshillin Drejtues të UP-së duhet të kemi ndryshime në Statutin e UP-se si dhe në ligjin për arsimin e lartë për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve.Nëse ne vazhdojmë të kemi shumicën e anëtarëve të KD-së të zgjedhur nga Senati si dhe të emëruarit nga jashtë të lidhur ngushtë me interesat e UP-së, nuk besoj se do të jemi në gjendje të kemi vendimmarrje të pavarur dhe funksionim të duhur të UP-së.