Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të konsiderojë seriozisht pjesëmarrjen në inciativën Open Balkan.
Kjo organizatë përmes një komunikate për media thotë se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë në këtë inciativë ashtu siç kanë theksuar edhe përfaqësues të administratës së SHBA-së.
“Duke njohur rëndësinë e koordinimit dhe integrimit ekonomik, stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor përmes lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thërret Qeverinë e Republikës së Kosovës që të konsiderojë në mënyrë serioze pjesëmarrjen në iniciativën në vijim për tregun e përbashkët rajonal. Oda Amerikane rithekson thirrjet e përfaqësuesve të administratës së Shteteve të Bashkuara se çfarëdo iniciative e bashkëpunimit rajonal duhet të mundësojë përfaqësim të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se është përgjegjësi e tri shteteve nismëtare të Ballkanit të Hapur, që të adresojnë brengat e Qeverisë së Kosovës dhe ato të vendeve të tjera skeptike. Asnjë iniciativë për treg të përbashkët rajonal nuk mund të ketë sukses në rrethana kur jo të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me respekt, dhe nëse nuk bëhen përpjekje serioze për largimin e aspekteve që irritojnë bashkëpunimin”, thuhet në komunikatë.
Tutje OEA thekson se bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativë në këto kohëra të pasigurta për ekonomitë./Front Online