Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) përmes një shkrese të cilën i përcolli ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi shprehu shqetësimin për pritjet pa afat dhe me vite që janë duke iu bërë investitorëve në Kosovë.
Oda e Afarizmit të Kosovës përgëzoi Ministrin për krijimin e Komisionit Ndër – Ministror për Investime Strategjike dhe njëkohësisht bëri thirrje që në periudhë sa më të shkurtë kohore të bëhet analizimi i aplikimeve të cilat janë në proces dhe të kalojnë bizneset të cilat i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.
OAK konsideron që tërheqja e investimeve dhe kalimi i aplikimeve që janë në pritje është e domosdoshme e sidomos në këtë periudhë pandemie, gjë që do të kishte ndikim pozitiv.
Për më tepër Oda e Afarizmit të Kosovës ka analizuar vendet e rajonit dhe oferta që kanë përgatitur për bizneset e interesuara që të investojnë, duke na bërë neve vendin e vetëm pa ofertë konkrete për investitorët potencial, duke na vendosur në pozitë jo garuese në krahasim me to. Përveç që Kosova ende nuk ka stimuj financiar për bizneset, po ashtu ambienti cilësohet të jetë më pak i përshtatshëm krahasuar me të gjitha vendet e rajonit.
Me këtë ligj është synuar që të krijohen lehtësira për bizneset të cilat marrin statusin e investitorit strategjik duke krijuar kështu edhe lehtësira në procedurat burokratike dhe përshpejtim të atyre administrative për investitorët potencialë.