Meksika ka nisur eksperimentin e të mësuarit të 30 milionë nxënësve të shkollave publike përmes televizionit, derisa dita e parë e shkollës në Shtetet e Bashkuara është ndikuar nga disa probleme të shërbimit për video-konferenca, Zoom.
Zoom – që është përdorur për gjithçka përfshirë takimet biznesore, mësimet online, dhe organizimet shoqërore gjatë pandemisë – është ndalur për pothuajse dy orë e gjysmë kur gati gjysmë milioni nxënës në gjithë Shtetet e Bashkuara kanë nisur mësimin në distancë.
Zoom nuk ka bërë të ditur shkakun e problemit, që ka vënë në pah varësinë e njerëzve ndaj teknologjisë, në kohën e pandemisë.
Shkollat fillore, të mesme, dhe universitetet janë duke u varur në aplikacionin Zoom dhe platforma të ngjashme si Microsoft Teams për të mësuar e punuar nga shtëpitë.
Ndërkohë në Meksikë, qeveria ka vendosur të nisë mësimin përmes televizionit, pasi në të kanë qasje 94 për qind e popullsisë, në krahasim me 70 apo 80 për qind sa janë të kyçur në internet.
Shumë prindër në Meksikë janë të shqetësuar për standardin e edukimit nga televizioni, pasi sipas tyre mbyllja në shtëpi do të ketë ndikim fizik dhe psikologjik te fëmijët.
Mësimet nëpër klasa është pezulluar në Meksikë nga muaji mars, njëherësh vendin e tretë të prekur më së keqi në botë nga koronavirusi, pasi SHBA-së dhe Brazilit.
Pas më shumë se pesë muajve prej kur Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandeminë, koronavirusi ka infektuar të paktën 23.5 milionë persona dhe ka lënë të vdekur më shumë se 811,000 të tjerë./rel/