×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Një raport ndërkombëtar zbulon “korridorin Ballkanik” të heroinës, Kosova vend transit i drogës

    FrontOnline
    24 Korrik 2020

    I ashtuquajturi “Korridori Ballkanik” i heroinës njihet më tepër për transportimin e heroinës nga Afganistani nëpër Iran, në Turqi dhe përmes Ballkanit perëndimor. Nga këtu droga dërgohet në tregjet kryesore në perëndim (Holandë, Gjermani, Britani, Francë dhe Spanjë). Kështu thuhet në raportin e fundit të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar me titull: Tentakulat Ndërkombëtare: Zonat Problematike të Krimit të Organizuar nga Vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Raportin, një kopje të së cilit e posedon portali “Front Online”, përmend Darko Shariqin, siç thuhet në raport njërin nga kriminelët më të suksesshshëm nga Ballkani dhe Naser Kelmendin, shqiptarin nga Kosova me nënshtetësi boshjnake.

    “Organizata e drejtuar nga Kelmendi besohet se ka qenë e përfshirë në trafikun e drogës (veçanërisht heroinë), kontrabandën e cigareve, pastrimin e parave të pista, dhe para me fajde me interesa shumë të larta. Bërthama e grupit kriminal Kelmendi përbëhet nga pjesëtarë të familjes dhe fisit (djem, kushërinj, dhe të njohur të tjerë)”, thuhet mes tjerash në raportin e përpiluar nga Walter Kemp, i cili drejton zyrën e studimeve të kësaj organizate dhe Observatorin e Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore.

    Tentakulat e oktapodit të shtrira në të gjithë botën, nga furnizimi me kokainë në Amerikën Latine deri në rrugët e Evropës perëndimore

    Sipas këtij raporti vendet e Ballkanit perëndimor shpesh konsiderohen si zona problematike të krimit të organizuar. Ashtu siç është raportuar edhe në publikime të tjera të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ky rajon është një korridor për trafikimin e drogës, armëve dhe qenieve njerëzore, dhe vuan nga nivele te larta krimi dhe korrupsioni. “Vetë rajoni paraqet një treg të vogël për mallra dhe shërbime të paligjshme – dhe disa nga grupet kriminale nga Ballkani perëndimor e kanë kuptuar se rajone të tjera ofrojnë pasuri më të mëdha”.
    Ky raport përqendrohet mbi zona problematike të krimit të organizuar në rang global, nga grupe që vijnë nga gjashtë vende të Ballkanit perëndimor – Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
    Shumica e grupeve kriminale nga ky rajon i kryejnë aktivitetet e tyre jashtë këtij rajoni, veçanërisht në Evropën perëndimore dhe Amerikën Latine, thuhet mes tjerash në raportin që e posedon “Front Online”.
    Sipas autorit, Walter Kemp,raporti mundohet të paraqesë një tabllo mbi aktivitetin kriminal 20 vjeçar të grupeve kriminale nga Ballkani perëndimor, përhapjen e tyre globale, dhe ngjitjen e shkallëve të hierarkisë kriminale.
    “Tentakulat e këtij oktapodi janë shtrirë nëpër të gjithë botën: që nga furnizimi me kokainë në Amerikën Latine, deri në rrugët e Evropës perëndimore; nga korridoret e trafikimit të heroinës në Turqi në Evropë; nga fushat e kanabisit në Shqipëri drejt Turqisë, dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Ballkani perëndimor mbetet epiqendra e këtyre trafiqeve: si rajon tranzit; si bazë rekrutimi për ushtarë të thjeshtë të grupeve kriminale; si rajon për t’iu fshehur autoriteteve, si dhe për të investuar e pastruar të ardhurat e krimit – por sidoqoftë aktiviteti i tyre kryesor zhvillohet jashtë këtij rajoni”, thuhet ndër të tjera në këtë raport që e posedon edhe “Front Online”.

     

    Veriu i Kosovës, terren pjellor për aktivitete të paligjshme

     

    Duke u fokusuar tek Kosova, thuhet se lufta në vitet 1998 dhe 1999 shkaktoi një tragjedi humanitare, çrregullime, dhe bëri të mundur krijimin e një terreni pjellor për zhvillimin e krimit të organizuar. “Ngaqë Kosova ishte një territor pa status të përcaktuar qartë, gjatë luftës kishte nevojë për ndihmë nga jashtë që të mbijetonte. Si rezultat, përveç mbështetjes financiare dhe politike nga jashtë (duke përfshirë edhe diasporën), filluan të lulëzonin edhe aktivitete të paligjshme, si trafikimi i armëve dhe drogës, kontrabanda e naftës, makinave të vjedhura, si dhe korrupsioni. Këto aktivitete mundësoheshin nga rrjetet informale dhe ekonomia gri, që ishin krijuar si rezultat i kushteve të vështira social-ekonomike në Kosovë gjatë viteve 90”, potencohet në këtë raport.
    Gjatë periudhës 1999–2008, Kosova u qeveris nga Misioni Ndërkombëtar Administrativ i OKB-së në Kosovë (UNMIK) – por transferimi i qeverisjes tek autoritetet vendore filloi aty nga viti 2005.
    Që nga viti 2008, Kosova është ndihmuar nga misioni i Bashkimit Evropian për respektimin e ligjit (EULEX) për të ngritur institucionet ligjore, dhe për të mundësuar procesin e integrimit të Kosovës në BE.
    Në këtë periudhë paslufte të ngritjes së shtetit, ku institucionet dhe infrastruktura ishin të dobëta, disa individë në pozita të forta, që kishin marrë pjesë në luftë dhe kishin lidhje të forta me diasporën, e shtuan ndjeshëm pasurinë dhe influencën e tyre, duke u marrë njëkohëshisht si me aktivitete të ligjshme, ashtu edhe me veprimtari kriminale.
    “Disa prej tyre iu futën politikës, madje kishin në dorë edhe administrimin e fondeve publike. Për disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u fol se ishin të përfshirë në aktivitete kriminale (si pika karburanti që përdoreshin për pastrimin e parave të pista).
    Disa të tjerë, veçanërisht ata që ishin përfshirë në të ashtuquajturin ‘biznes të mbrojtjes’, krijuan kompani të policive private për të maskuar me legjitimitet aktivitetet e tyre”. Megjithë hapat e hedhura përpara në proceset shtetformuese, qeveria e Prishtinës, edhe sot e kësaj dite, ka shumë pak kontroll mbi veriun e Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe. Institucionet e veriut të Kosovës kanë pushtet të limituar, si pasojë e hapave të ngadalshme të reformës së vetë-administrimit, ndërkohë që kjo zonë është bërë objekt konflikti midis Beogradit dhe Prishtinës në lidhje me statusin dhe kufijtë e zonës veriore.
    Si rezultat ky territor ka mbetur një zonë gri, dhe është kthyer në terren pjellor për aktivitete të paligjshme. Ashtu si thuhet pa dorashka edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën: “Situata në veri të Kosovës vazhdon të paraqesë sfida të mëdha për forcat e ruajtjes së rendit në lidhje me krimin e organizuar”, theksohet në raportin që e posedon “Front Online”.

     

    Fillimet e aktivitetit të paligjshëm kriminal në Shqipëri

    Sipas raportit, zanafilla e “korridorit ballkanik” të aktivitetit kriminal mund të gjurmohet, në vitet e komunizmit dhe pikërisht në vitin 1966, kur për të gjetur burime për thithjen e valutës së huaj, qeveria shqiptare pranoi një ofertë për t’u përfshirë në kontrabandën e cigareve, me një plan për të trafikuar në Itali cigare të markave amerikane, dhe që atje ato të shpërndaheshin në vende të tjera të Evropës, dhe në Lindjen e Mesme.
    Trazirat dhe përmbysjet e viteve 1990, sollën vështirësi por edhe shanse për grupet kriminale.
    Një ndërthurje e depërtimit të grupeve kriminale në strukturat e forcave serbe dhe vendosja e sanksioneve kriminale, krijuan kushtet për lulëzimin e aktivitetit kriminal, ku u përfshinë Beogradi dhe Podgorica, por ku më pas u përfshinë vendet fqinjë.
    “Sasi të mëdha nafte kalonin kontrabandë nëpër Liqenin e Shkodrës, nga Shqipëria në Malin e Zi, si dhe nëpërmjet kufirit tokësor të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në fakt, shkelja e sanksioneve, kufijtë e rinj të krijuar nga prishja e ish- Jugosllavisë, hapësirat dhe mundësitë e reja për të zhvilluar kontrabandë, sollën pasoja të papritura në zhvillimin e grupeve kriminale, dhe rritjen e ndikimin të tyre në ekonomitë e disa vendeve fqinje”, thuhet në raportin i cili fajëson si një nga faktorët komunitetin ndërkombëtar që vendosi sanksione, duke krijuar mundësinë e një rrjeti gjigand kriminaliteti.
    Rënia e skemave piramidale në vitet 1996 dhe shpërbërja që pasoi në Shqipëri, në vitin 1997 krijoi edhe më tej terren për kriminalitet si edhe për kontrabandë përfshirë atë të armëve në Kosovë.
    Lufta e Kosovës bëri gjithashtu të mundur krijimin e një terreni pjellor për aktivitete kriminale, që vazhdoi edhe pas saj, gjatë kohës së administrimit ndërkombëtar dhe përpjekjeve të konsoldimit të qeverisjes së vendit.

    Zhvendosja e aktiviteteve kriminale në Perëndim

    Raporti vë në dukje se falë disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, që nga viti 2000 grupet kriminelë të Shqipërisë filluan ta zhvendosin veprimtarinë e tyre jashtë vendit, veçanërisht në Greqi, Itali, Zvicër dhe Gjermani.
    Vetëm gjatë muajve të pranverës të vitit 1997, rreth 10,600 shqiptarë, duke përfshirë edhe shumë kriminelë, emigruan ilegalisht në Pulia, Itali.
    Që nga viti 2001, grupe kriminale shqipfolëse (përfshirë edhe grupe nga Kosova, dhe Maqedonia e Veriut) ishin përfshirë në trafikimin e heroinës në disa shtete, evropiane, si në Republikën Çeke, Belgjikë, Greqi, Austri, dhe Zvicër.
    Itinerari i zakonshëm ishte blerja e heroinës nga organizata kriminale turke dhe transportimi i drogës drejt Evropës perëndimore, veçanërisht nëpërmjet Hungarisë.
    Nga viti 2001, Shqipëria u bë edhe vend origjine për kanabisin e shitur në Evropë pas mbjelljeve masive të kanabisit në vend gjatë viteve 90.
    Shqipëria u bë gjithashtu një nga burimet kryesore për barishte kanabisi për tregjet italiane dhe greke, dhe gradualisht u kthye në një nga burimet kryesore edhe për rezinën e kanabisit. Grupet kriminale shqiptare u përfshinë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore në Belgjikë, Francë, Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por ata ishin veçanërisht aktivë në Itali, ku punonin krah për krah me mafian italiane. Disa nga këto bashkëpunime do të krijonin themelet për krijimin e rrjeteve të mëvonshme të trafikimit të drogës.
    Raporti thotë se brenda një kohe të shkurtër shqiptarët, u transformuan në faktorë të rëndësishëm në fushën e trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, dhe trafikimit të qenieve njerëzore në disa vende të Evropës.
    Evropa ishte baza më e nxehtë e aktivitetit të grupeve kriminale të Ballkanit.

    “Mafia e Frankfurtit”

    Në raport përmendet Mafia e Frankfurtit e përbërë kryesisht nga shtetas maqedonas të qytetit të Velesit dhe u bë i njohur për trafikimin e heroinës në Frankfurt dhe Vienë.
    Në Suedi kriminelë nga vende të Ballkanit perëndimor gjithashtu ngjitën shkallët e krimit. Në vitet 70 dhe 80, disa kriminelë – si Arkani – u përfshinë në grabitje bankash dhe zhvatje. Një nga grupet kriminale kryesore në Suedi drejtohej nga Naser Xhelili, një shqiptar nga Maqedonia. Grupi ushtronte aktivitetin në Goteborg dhe merrej me trafikun e drogës, zhvatjes, dhe grabitjeve me armë. Raporti thotë se në fillimet e viteve 2000, shqiptarët filluan pak a nga pak të merrnin në në dorë tregun e madh të kokainës në Londër.
    “Nga viti 2015, ata ishin kthyer në disa nga trafikantët kryesorë në kryeqytetin britanik dhe zona të tjera anembanë vendit. Ata janë aktivë jo vetëm në shpërndarjen e drogës, por bandat shqiptare kanë marrë goxha nam dhe luajnë rol kryesor në shitjen e drogave, në grabitjet me armë, dhe zhvatjet. Një në dhjetë të burgosur në Britani është shqiptar”, thuhet në raport.

    Italia, shqiptarët ngjiten shkallëve të hierarkisë kriminale

    Në raport flitet gjerësish për fuqizimin e grupeve kriminale nga Shqipëria në Itali, përfshirë trafikimin e kanabisit dhe kokainës, e cila është më fitimprurëse.
    Aty thuhet se shqiptarët kaluan nga trafiku i qenieve njerëzore në vitet ’90 tek ai i drogës.
    “Fillimisht shqiptarët ishin në shërbim të italianëve në këtë bashkëpunim, por gjatë dy dekadave të fundit, falë edhe lidhjeve me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine dhe rrjetet e tyre në vende të Evropës perëndimore ku ka shumë emigrantë shqiptarë, ata kanë arritur të ngjitin shkallët e hierarkisë kriminale, deri në atë pikë sa në disa raste janë bërë partnerë të barabartë me grupe mafioze italiane”, thuhet në raport.
    Bregu lindor i Italisë, duket të jetë porta kryesore për drogat, përfshirë Barin dhe Ankonën ku vijnë tragetet nga Durrësi. Grupet kriminale shqiptare janë bërë faktorë kryesorë në marrjen e vendimeve dhe ndonjëherë konsiderohen si krahu i armatosur i aleancave kriminale. Sipas autoriteteve italiane të rendit kombinimi i kriminelëve italiane dhe shqiptare është i rrezikshëm.
    Një nga vendet ku kriminelët shqiptarë fillojnë bashkëpunimin me ata italianë, janë burgjet siç përmendet rasti i Arben Zogut që filloi furnizimin e Romës me kokainë që tani kontrollohet nga shqiptarë, i cili vuante dënimin në një burg me Rocco Bellocco-n, bosin e një prej familjeve më të fuqishme të Ndrangetas.
    Lidhjet midis grupeve italiane dhe shqiptare janë evidentuar nga një numër operacionesh policie në periudhën midis 2019 dhe 2020. Një shembull nga raporti, është ai i operacionit Rëra 2 (Sabbia 2) në dhjetor 2019, ku nëntë të dyshuar, mes së cilëve shtatë shqiptarë, u arrestuan nga karabinierët si pjesë e goditjes së trafikimit të kanabisit dhe kokainës në Firence.
    Ndërsa në janar 2019, një shqiptar dhe një malazez u arrestuan së bashku me anëtarët e klanit të Kazamonikës në Romë, si pjesë e operacionit Brazil Loë Cost që shkatërroi një grup që furnizonte me kokainë Romën dhe Napolin. Shqiptari Dorion Petoku, thuhet se është një nga krerët e grupit të Arben Zogut. Grupi po planifikonte që të transportonte shtatë tone kokainë të pastër nga Brazili në Evropë, me avionë privatë.
    Më 1 gusht 2019, pesë shqiptarë, një rumun, dhe një italian u arrestuan në kuadër të operacionit Shqiponja e Zezë. Ata bënin të mundur transportimin e kokainës nga Kolumbia në Roterdam, ku ndahej në pako të vogla dhe më pas transportohej për në Itali nga shqiptarë me vetura të modifikuara, me dysheme me fund të dyfishtë, si dhe në furgonë dhe autostrada. Droga i shitej më pas grupeve italiane.
    Për të ilustruar forcimin e elementeve kriminalë shqiptarë, në raport thuhet se tani ata kanë filluar të mbajnë peng pjesëtarë të mafias italiane, si garanci për pagesën e drogës.
    Sipas një burimi nga policia financiare italiane, mbajtja e pengjeve është diçka normale në marrëdhëniet midis grupeve kriminale, “por kur shqiptarë mbajnë peng siçilianë, atëherë kjo tregon se gjërat kanë ndryshuar dhe janë bërë goxha të fuqishëm”.

    Spanja

    Në Spanjë, grupet kriminale nga Ballkani që fillimisht merreshin me grabitje, kaluan më pas në trafikim droge në vendin që shërben si portë kryesore për hyrjen e drogën nga Amerika Latine. Në raport përmendet një shembull për lidhjet mes Spanjës dhe grupeve të Ballkanit, sipas së cilit në janar 2015, një helikopter me rreth 900 kilogramë hashash në bord, që mendohej të ishte nisur nga Maroku, u përplas pranë Malagas. Piloti ishte major në forcat e armatosura të Shqipërisë.
    “Ky nuk ishte i vetmi incident i këtij lloji: duket se ka një trafik të vazhdueshëm helikopterësh dhe avionësh të lehtë që transportojnë drogë nga Maroku në Spanjë, por niveli i angazhimit të pilotëve nga Ballkani në këtë trafik është akoma i paqartë”, thuhet në raport.

    Holanda

    Në Holandë, grupet kriminele nga Ballkani filluan të bëhen objekte hetimi nga fillimi i viteve 90. Shqiptarët u përfshinë në trafikun e qenieve njerëzore në vitet 90 dhe më pas të emigrantëve, ndërsa pas vitit 2010 në trafikun e drogës.
    “Ashtu si përmendet edhe në lidhje me zona të tjera problematike të analizuara në këtë raport, ngjitja e shqiptarëve në shkallën e krimit ndjek pak a shumë të njëjtin model. Mesa duket ata hynë në tregun hollandez duke punuar për grupet italiane, por sot, në vitin 2020, ata janë shndërruar në një nga faktorët kryesorë të tregjeve kriminale. Në fakt, ka të dhëna se shqiptarët ndërrmarin operacionet e veta transatlantike”, thuhet në raport.
    Portet në Hollandë dhe Belgjikë (si Roterdami dhe Anversa) përdoren shpesh për të importuar sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori, Brazili dhe Kolumbia.
    “Në fushën e trafikimit të drogës grupet shqiptare në Hollandë shpesh quhen ‘uithalers’ – që do të thotë ‘marrësit’ – me fjalë të tjera, persona që e marrin drogën, veçanërisht kokainë dhe heroinë, nga porte dhe e shpërndajnë anembanë veriut të Evropës perëndimore. Shumë nga grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Hollandë (dhe Belgjikë) i përdorin bazat e tyre si platforma për trafikimin e kokainës në Britani, tregu më i madh i kokainës në Evropë”, thuhet në raport.

    Në raport thuhet se mendohet se shqiptarët luajnë rol të dorës së pare në botën e krimit në Amsterdam. Në vitin 2018, dy nga krerët e klanit Bajri u arrestuan në Roterdam për trafik droge, kontrabandë armësh, prostitucion, zhvatje, organizimin e llotarive të paligjshme, dhe lojëra fati pa leje. Ndërsa në gusht 2019, policia italiane arrestoi 17 persona që ishin pjesë e një rrjeti shqiptar për trafikimin e gati 200 kilogramëve kokainë nga Hollanda në Itali.
    15 grupe kriminele shqiptare që veprojnë në zonën e Beneluksit (Belgjikë, Hollandë dhe Luksemburg), kanë krijuar lidhje me tre-katër grupe shqiptarësh në Amerikën Latine.
    Zyrtarisht në Holandë ka 1,200 shqiptarë, por autoritetet mendojnë se mund të ketë rreth 40 mijë, shumica me pasaporta të rreme nga vende të BE-së.
    Një pjesë e mirë e tyre janë vendosur në zonën e Limburgut në Jug të vendit, e cila është bërë bazë e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, dhe llogaritet se ky aktivitet mund të sjellë rreth 200 milionë euro në vit.
    Raporti citon një prokuror të thotë: “Është e çuditshme sa të zotë janë në gjetjen e pikave të dobëta në shoqërinë tonë. Dinë si të përdorin dokumente identifikimi false për të marrë shtëpi me qera në mënyrë të paligjshme. E dinë si të shfrytëzojnë noterët hollandezë, janë në gjendje të përdorin agjencitë e pronave të paluajtëshme për të blerë shtëpi; përdorin metoda shumë të rafinuara, dhe e dinë shumë mirë si të veprojnë.”
    Sipas raportit, grupet shqiptare nuk konsiderohen si të dhunshëm, dhe nuk tërheqin vëmendjen e të tjerëve, pasi kjo do t’i prishte punë.
    Sipas një prokurori, edhe kur arrestohen, shqiptarët nuk bëjnë fjalë, dhe shpesh gjatë procesit gjyqësor “nuk e hapin gojën fare”.

    Republika Çeke, përmendet Princ Dobroshi nga Kosova

    Në Republikën Çeke, kriminelët shqiptarë nga Kosova Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut janë marrë më shumë me krimin e rrugës, përfshirë edhe trafikimin e personave dhe drogës, veçanërisht në qytetet pranë kufirit me Gjermaninë. Por mes tyre ka patur edhe disa kriminelë me emër, si në rastin e Princ Dobroshi nga Kosova, një nga trafikantët kryesorë të drogës dhe transportonte heroinë nëpër korridorin ballkanik në Republikën Çeke, dhe prej andej në vendet nordike. Ai u arrestua në Pragë, në shkurt 1999, dhe më pas u ekstradua në Oslo (ku ishte arratisur nga burgu në vitin 1997). Më pas u lirua me kusht ‘për sjellje të mirë’, dhe u urdhërua të largohej nga vendi në janar 2005. Mendohet që ai të jetë kthyer në Kosovë.
    Po ashtu Qazim Osmani nga Kosova, një nga themeluesit e kompanisë së lojërave të fatit Banco Casin, u tërhoq pikërisht nga elementi i lojrave të fatit, të cilat që nga vitet ’90 ishin përdorur për pastrimin e paravet të pista.Strukturat e krimit të organizuar nga vendet e Ballkanit perëndimor brenda rrjeteve globale të krimit të organizuar mund të përdorin fare lehtë rrjete ndërkombëtare për pastrimin e parave të pista dhe nuk kanë pse i mbajnë brenda Republikës Çeke.

    Afrika e Jugut, krimi i organizuar nga Ballkani vjen nga serbët

    Në Afrikën e Jugut, krimi i organizuar nga Ballkani vjen kryesisht nga serbët që kanë një komunitet të konsiderueshëm në vend me dy valë, nga vitet 60 dhe 70 dhe nga mesi i viteve 2000. Në periudhën 2018–2019, Afrika e Jugut u trondit nga një valë vrasjesh dhe shumë nga autorët dhe viktimat ishin shtetas të vendeve të Ballkanit perëndimor, veçanërisht nga Serbia. Afrika e Jugut mund të kthehet në një zonë problematike për trafikun e drogës për grupet nga Ballkani Perëndimor.

    Turqia, trafikanët e drogës fituan 1.7 miliardë dollar në vit

    Turqia, që konsiderohet edhe porta e lindjes, është një bazë e rëndësishme për trafikimin e heroinës dhe trafikimit të emigrantëve. Grupe kriminale nga Ballkani perëndimor kanë patur lidhje me Turqinë që nga vitet 70 dhe 80.
    Nga tregëtia e mallrave si veshjet me valixhe nga Turqia në Ballkan u kalua në tregëtimin e mallrave të paligjshme si cigaret dhe drogat. Shumë shqiptarë (kryesisht nga Kosova) filluar të përfitojnë nga numrat gjithnjë e të mëdha të emigrantëve shqiptarë në Evropën perëndimore për të zgjeruar rrjetin dhe veprimtaritë e tyre dhe u përfshinë në të gjitha hallkat e trafikimit që nga blerja, trafikimi dhe shpërndarja.
    Një rast i tillë ishte ai i Sami Hostanit (i mbiquajturi shqiptari) nga Maqedonia e Veriut i cili trafikonte sasi të mëdha droge nëpër Turqi, Amerikën e Jugut, dhe Evropë dhe kishte lidhje të dyshimta biznesi me rrjete të trafikimit të drogës në Hollandë dhe Kolumbi. Ai më pas filloi të investonte shumë në fushën e lojërave të fatit dhe ishte një nga pronarët e kazinosë në Hotel Sheraton në Stamboll. Ai u dënua me katër vjet burg për krijimin dhe drejtimin e një rrjeti kriminal.
    Trafikantët nga Ballkani kanë përfituar edhe nga bumi i heroinës në Afganistan dhe bëjnë përpunimin e saj para se ta shesin, për të maksimizuar fitimet.
    Në vitin 2015, u llogarit se fitimi i përgjithshëm bruto nga trafikantët e opiateve në Evropën juglindore ishte rreth 1.7 miliardë dollarë në vit.
    Ndërsa kërkesa në rritje për kanabis, ekstazi dhe droga sintetike në Turqi krijoi mundësi për shtetasit e vendeve të Ballkanit perëndimor që të transportonin këto lloj drogash nga Evropa në Turqi në shkëmbim të heroinës. Taksat e larta mbi cigaret në Turqi krijuan një treg në rritje për kontrabandën e cigareve shumë më të lira nga Ballkani.
    Fakti që banorët e Ballkanit dhe të Turqisë mund të lëvizin pa viza dhe që kushdo që fut 250 mijë dollarë fiton shtetësinë pa pasur nevojë ta deklarojë burimin e ka shtuar mundësinë për aktivitete të paligjshme.
    Nganjëherë heroina magazinohet përkohësisht në baza të ndryshme në vendet e Ballkanit perëndimor. Ministria e rendit në Maqedoninë e Veriut ka raportuar mbi shkatërrimin e një organizate kriminale në muajin shkurt 2019, në bashkëpunim me agjencinë e luftës kundër drogës të Shteteve të Bashkuara (DEA). Grupi kriminal ishte përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në trafikimin e heroines dhe kanabisit nga Turqia në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, dhe më pas drejt Zvicrës, dhe vendeve të Evropës perëndimore. Ky grup kishte ngritur edhe laboratorë për prodhimin e stimulantëve tip amfetamine (ATS). Ka të dhëna se heroina kalon tranzit edhe nga Kosova.
    Kohët e fundit në disa raste trafikantët shqipfolës janë përpjekur që të anashkalojnë rrjetet turke të trafikimit të drogës, dhe të krijojnë kontake direkte me furnizuesit iranianë të heroines dhe kjo sinjalizon një ndryshim të mundshëm të strukturës së trafikut të heroinës.
    Forcat e rendit kanë arrestuar disa grupe shtetasish shqiptarë dhe kanë konfiskuar sasi të mëdha heroine dhe substancash të tjera.

    Nga ana tjetër, edhe grupet iraniane duket se po përpiqen që të krijojnë bazat e tyre në Ballkanin perëndimor. Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë në Ballkan.
    Mendohet që trafikantët e heroinës përdorin të paktën 18 rrugë të ndryshme nga Turqia për në tregjet evropiane dhe destinacioni kryesor i heroinës janë Hollanda, Gjermania, Shqipëria, dhe Moldavia.
    Hetime të zhvilluara në Turqi, Greqi dhe Shqipëri tregojnë se rrjetet turko-shqiptare shfrytëzojnë portet detare të Turqisë, dhe mijëra mole të vogla përgjatë bregdetit të Detit të Zi, Detit të Marmarasë, Detit Egje dhe Detit Mesdhe për trafikimin e kanabisit dhe heroinës.
    Origjina primare e transportit të drogës me rrugë detare ka qenë Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, ndërsa ngarkesat që dalin nga Turqia kanë si destinacione Hollandën, Gjermaninë, Belgjikën, Italinë, Britaninë, Greqinë dhe Italinë.
    “Që nga viti 2015, forcat e rendit në Turqi kanë konfiskuar sasi të mëdha droge nga mjete detare transporti që kontrolloheshin nga grupe kriminale shqiptare. Zakonisht kontrollet dhe siguria në mole janë të kufizuara dhe duket se kjo është edhe pika më e dobët në kontrollin e kufirit të Turqisë me vendet e Bashkimit Evropian. Që këtu jahte luksoze dhe skafe që përdoren nga shqiptarë hyjnë e dalin pa ndonjë kontroll sigurie”, thuhet në raport.
    Një pjesë e drogës transportohet edhe nga ajri.
    Turqia po bëhet një treg gjithnjë e më i madh për ekstazi të prodhuar në Evropë, dhe grupet nga Kosova janë përfshirë në këtë trafik. Po kështu ka të dhëna se disa shtetas të vendeve të Ballkanit perëndimor janë përfshirë në prodhimin e methamfetaminës në Turqi.
    Kur sektori antidrogë i policisë në Stamboll zbuloi një laborator methamfetamine në vitin 2018, organizata kriminale ndërkombëtare përbëhej nga shtetas nga Turqia, Uzbekistani, Irani, Britania, dhe Shqipëria.
    Kanabisi është droga më e përhapur në tregun turk. Edhe super marihuana (skunk), një lloj droge me bazë kanabis (e prodhuar në Shqipëri), është mjaft e përhapur: 11 tonë nga kjo drogë u kapën në vitin 2018, një rritje prej 530 për qind krahasuar me një vit më herët.
    Raporti thotë se nuk ka të dhëna zyrtare mbi numrin e trafikantëve të kanabisit nga vendet e Ballkanit perëndimor, por sipas raportit mund të arrihet në përfundimin se shqiptarët janë përfshirë në trafikimin e kanabisit në Turqi. Së pari, shqiptarët sjellin sasi të mëdha kanabisi me mjete detare transporti në porte.

    Deti Adriatik, autostradë detare për trafikun e drogës

    Autoritetet turke kanë konfiskuar sasi rekord të super marihuanës që nga viti 2016, dhe ekspertët mendojnë se një pjesë e madhe e super marihuanës furnizohet nga rrjete shqiptare.
    “Në të vërtetë, disa grupe shqiptare e kanë kthyer Detin Adriatik në një autostradë detare për trafikun e drogës”, thuhet në raport.
    Sipas raportit, një nga trafikantët më famëkeqë është shqiptari Met Kenani, që transportonte sasi të mëdha drogash me mjete detare dhe që u arrestua në një aksion në vitin 2018. Raporti përmend disa aksione në disa vende të lidhura me rrjetin e tij.
    Por megjithë arrestimin e Kenanit, rrjedha e kanabisit ka vazhduar. Në nëntor 2018, tre persona u arrestuan, duke përfshirë edhe një shtetas shqiptar që i jepte kamionit nga doganierët turq në kufirin me Greqinë, duke kapur 1.5 tonë hashish në një kamion që transportonte sojë.

    Në qershor 2019, sektori antidrogë i policisë së Stambollit goditi një rrjet ndërkombëtar të krimit të organizuar që trafikonte rregullisht super marihuanë nga Shqipëria në Turqi, dhe konfiskoi 525 kilogramë super marihuanë. Në tetor 2019, policia greke zhvilloi një hetim mbi një grup trafikantësh shqiptarë që trafikonin sasi të mëdha marihuane nga Shqipëria në Turqi, nëpërmjet Greqisë.

    Amerika Latine

    Kriminelë nga Ballkani perëndimor filluan të hyjnë në biznesit e kokainës në Amerikën Latine, sidomos në Ekuador and Kolumbi rreth viteve 2008–2009 dhe janë kthyer në ndërmjetës të suksesshëm midis furnitorëve vendas dhe grupeve kriminale të konsoliduara, dhe tani së fundmi janë transformuar në faktorë kyç dhe shpërndarës të fuqishëm.
    Në informacionet më të hershme në vitin 2001, u arrestuan tre shqiptarë në kuadër të operacionit Rrugëtimi (Journey), që zgjati dy vjet, dhe u zhvillua nga DEA në bashkëpunim me vende të tjera për të goditur trafikimin me rrugë detare nga Kolumbia. Po atë vit u zbulua edhe grupi i parë shqiptar që trafikonte kokainë.
    Policia arrestoi gjashtë pjesëtarë të një grupi, duke përfshirë dy persona që në atë kohë punonin në prokurorinë e përgjithshme në Tiranë. Operacioni Rrugëtimi konfirmoi se ky grup kishte patur kontakte me kartelin e Medellin në Kolumbi që nga viti 1999, dhe ishte pjesë e një rrjeti të trafikimit të kokainës të shpërndarë në të gjithë botën.
    Por trafiku i vërtetë duket se ka nisur rreth periudhës 2008–2009, kur serbi Darko Shariç u përfshi në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Evropë.
    Ndërsa Shariç po vazhdonte me sukses trafikun në Amerikën Latine, shqiptari Arbër Çekaj shkoi në Ekuador dhe hapi një kompani për tregtinë e bananeve. Brenda pak viteve Çekaj u bë trafikanti më I madh i drogës në Shqipëri, duke e fshehur drogën në ngarkesat me banane që i eksportonte në Evropë. Shumë shpejt të tjerë filluan të ndjekin shembullin e Shariçit dhe Çekajt, pasi kapjet e ngarkesave me drogë nga policia, arrestimet, dhe artikujt e lajmeve tregojnë se ka një angazhim gjithnjë e më të madh të kriminelëve nga Ballkani perëndimor në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine.
    Elementë të ndryshëm i kanë bërë tërheqës këto vende për grupet kriminale nga Ballkani, përfshirë lehtësinë për të hyrë dhe për të qendruar, korrupsionin dhe lehtësitë në sistemin gjyqësor siç e shpjegon një rast kur në vitin 2014, tetë ekuadorianë, dy shqiptarë, dhe një shqiptar i Kosovës u kapën në kuadër të operacionit Ballkani dhe u akuzuan për magazinimin e sasive të mëdha drogash në Guayaquil, për t’i trafikuar në Evropë.
    Megjithë natyrën serioze të këtyre akuzave, Remzi Azemi nga Kosova u lirua një muaj pas arrestimit të tij. Në nëntor 2018, një shqiptar dhe një grek u arrestuan në një aksion antidrogë në bregdetin ekuadorian dhe u akuzuan për trafik droge, së bashku me gjashtë ekuadorianë. Kur çështja shkoi në gjykatë, gjykata e shkallës së parë dënoi ekuadorianët por la të lirë shtetasit e huaj.
    Kjo pandëshkueshmëri ekziston edhe në Kolumbi. Në këtë vend këto grupe përfituan edhe nga vakuumi i krijuar kur pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me qeverinë, organizata FARC filloi të tërhiqej nga territoret që mbante nën kontroll.

    Në raport thuhet se që nga viti 2008, shqiptarët vajtën në Amerikën Latine si emisarët e grupeve mafioze italiane si ‘Ndrangheta dhe Kamorra, dhe si përfaqësues të grupeve grupeve mafioze nga vende të tjera evropiane, si Greqia dhe Spanja. /Front Online/

     

    Nga Rubrika
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte do të zhvillohet rimeçi mes dy nga boksierëve më të mirë në vitet e fundit, Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk. Kjo...
    Hulumtime19 Nëntor 2024
    Një tender në vlerë prej 15 milionë €, të cilin ia kishte dhënë Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.