Menstruacionet nuk janë privilegj dhe as luks. 1.9 miliardë gra në botë kanë menstruacione dhe nuk e kanë që të lehtë jetën gjatë “atyre” ditëve.
Diskriminimi që provojnë mund të jetë i llojeve të ndryshme: nga izolimi social, tek mosnjohja e dhimbjes nga injoranca në lidhje me simptomat e paramenopauzës, nga shakatë, tek urrejtja apo përçmimi, për të mos folur për vështirësitë për të aksesuar tualetet publike apo produktet higjienike.
Për këto arsye WeWorld, një organizatë e pavarur italiane që për mbi 50 vjet është përfshirë në bashkëpunimin zhvillimor dhe projektet e ndihmës humanitare për të garantuar të drejtat e të gjithë njerëzve, krijoi fushatën “Legalizoni Menstruacionet”.
Në kuadër të kësaj fushate janë publikuar disa postera që janë vendosur në rrugët e Italisë. Në shumicën prej tyre, fjala e përmendur me zë të ulët “menstruacione” shkruhet me të mëdha.
“Nuk duhet të flitet, të mos përmenden. Kur i kemi, duhet t’i fshehim. Nëse ndihemi keq, nuk mund ta themi. Tingëllon si një roman i Chuck Palahniuk. Edhe nëse e flasim, të tjerët mendojnë se gjatë atyre ditëve nuk jemi profesionale, nuk jemi seksi, nuk jemi të pastra, nuk jemi interesante. Të tjerë thonë: Punë grash. Në këtë pikë filluam të kuptonim se në fakt menstruacionet shikohen si diçka e paligjshme. Kështu lindi edhe emri i fushatës”, thonë organizatorët.
“Ajo që nevojitet është të adoptohet perspektiva e drejtësisë menstruale. Kur ka drejtësi menstruale, të gjitha ato që kanë menstruacione mund të kenë akses në produktet menstruale që dëshirojnë, të jenë të lira të vendosin për trupin e tyre, të marrin informacionin e duhur, të përjetojnë periodat e tyre pa stigma dhe shqetësime psikologjike dhe të mos jenë të kufizuara për të marrë pjesë në jetën shoqërore”, thotë Martina Albini, drejtuese e shoqatës./Tiranapost/