NATO-ja konfirmoi të hënën se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj gati trevjeçare kundër Ukrainës dhe tha se disa janë vendosur tashmë në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë, ku Rusia është duke luftuar për të zmbrapsur një inkursion ukrainas.
“Sot, mund të konfirmoj se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se njësitë ushtarake të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin e Kurskut”, iu tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Rutte tha se masa përfaqëson “një përshkallëzim të rëndësishëm” në përfshirjen e Koresë së Veriut në konflikt dhe shënon “një zgjerim të rrezikshëm të luftës së Rusisë”, shkruan Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Shtimi i mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore do të grumbullojë më shumë presion mbi ushtrinë e lodhur dhe të stërngarkuar të Ukrainës.
Kjo gjithashtu do të nxisë tensionet gjeopolitike në Gadishullin Korean dhe në rajonin më të gjerë Indo-Paqësor, duke përfshirë Japoninë dhe Australinë, thonë zyrtarët perëndimorë.