Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka qenë i ftuar në emisionin “Expose”, prodhim i GazetaBlic, ku ka folur për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID-19, shkruan GazetaBlic.
Murati ka thënë se implementimi i pakos për t’u dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve është vonuar tejmase.
“Jo që është vonuar, por nuk e ka idenë se çfare po bën. Aty është problemi. Krejt çka kemi parë, ka qenë vazhdim zbatimi i pakos së dizajnuar në Qeverinë Kurti dhe kanë filluar pagesat, por fatkeqësisht ndodhi ajo që ndodhi, rrëzimi i qeverisë për interesa të tjera, të cilat po i shohim se nuk paskan qenë asgjë. Për disa marrëveshje mirëkuptimi. Tani kemi përfunduar në një situatë të tillë, kemi stagnim ekonomik, kemi mungesë të fondeve të diasporës, për shkak se jemi bërë vater e infeksionit dhe për më tepër edhe ata që mund të evitojnë frikën e kanë problem me ardhë sepse duhet të karantinohen, dhe kjo ka krijuar një boshllëk tjetër”, thotë Murati për “Expose”.
“Kryeministri Hoti ka dështuar në ekonomi, ndërsa deputetët marrin paga pa punuar asgjë”
Sipas Muratit, në ligj as që flitet për rimëkëmbje ekonomike, por vetëm për vetëm për sektorin e gastronomisë.
“Kush do që e ka lexuar atë ligj e di që nuk flitet asgjë për rimëkëmbje ekonomike. E vetmja gjë është që përmendet është sektori gastronomisë, ku thuhet se do të ulet TVSH-ja, por edhe ajo është politikë e gabuar”, thotë Murati.