Nga Hisen Berisha:
Trajtimi i Presidentit/es së vendit në mënyrë të papërshtatshme gjatë një udhëtimi zyrtar, siç ndodhi më Aeroportin e Shkupit, përbën një ndërhyrje të papranueshme ndaj dinjitetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Çdo veprim që përfshin kontrollin fizik ose trajtimin e pavend të një udhëheqësi shtetëror gjatë udhëtimeve zyrtare është një shkelje e qartë e protokollit diplomatik. Kjo lloj sjelljeje dëmton marrëdhëniet dypalëshe dhe minon normat ndërkombëtare që rregullojnë trajtimin e zyrtarëve të lartë.
Siguria dhe integriteti i zyrtarëve të lartë duhet të jenë gjithmonë prioritare.
Në rrethana më specifike, kjo do të mund të çonte jo vetëm në prishje të marrëdhënieve ndërshtetërore politike e diplomatike, por do të mund të çonte edhe në konflikt të armatosur mes dy vendeve. Ketë qëndrim e nxiti më shumë spjegimi i këshilltarës së presidentes se “ka pasur edhe veprim fizik ndaj presidentes” ndërkohë që sipas informatave informale, as që ka qenë fare me Presidentën atë ditë që po udhëtonte për Kroaci.
Një incident i tillë dëmton reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, duke e paraqitur shtetin si të pafuqishëm për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e udhëheqësve të tij. Kjo mund të ndikojë në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet sovran dhe të aftë për të mbrojtur interesat e tij kombëtare.
Por, mosdalja e zyrës së presidentes me një sqarim zyrtar rreth incidentit tejet të rëndë dhe fyes në aeroportin e Shkupit, po lë hapësirë për spekulime shqetësuese rreth institucionit më të lartë në shtet.
Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nisur nga reagimet e ndara dhe kontradiktore nga spektri politik i Shkupit zyrtar, me theks reagimit shantazhues të subjektit politik LSDM dhe MPB të RMV.
Ky mosreagim i zyrës së Presidentes së Kosovës dhe reagimet kontradiktore të Shkupit zyrtar, krijojnë hapësirë për spekulime dhe dyshime tjera.
Tani pikëpyetjet për qytetarët janë edhe në terma si: a është e ditur agjenda e të parës së vendit qoftë ajo edhe personale si presidente; nëse presidentja ishte në udhëtim zyrtar apo privat; nëse ishte privat, kush e pagoi udhëtimin; nëse nuk pagoi askush, atëherë a mund t’i përdorë benefitet e presidentes dhe taksat e qytetarëve për udhëtime të karakterit personal. Këto e rrethana tjera do e shqetësojnë në vazhdimësi çdo qytetarë dinjitoz të këtij vendi.
Në këto rrethana të supozuara, a ndryshon protokolli i sigurisë nëpër aeroporte, meqë kur udhëtohet zyrtarisht, me protokoll shtetëror e të sigurisë, paraprakisht bëhen të ditura informacionet e detajuara për zyrtarin/en e lartë të shtetit dhe stafin shoqërues, për atë çfar përjashtohet nga protokollet e sigurisë etj. Këto rregullohen me Konventen e diplomacisë të Viennes dhe praktikat ndërkombëtare.
Po ashtu, si u bë që ditën kur u poshtërua presidentja e shtetit, rastisi që presidentja e Maqedonisë së Veriut, ultranacionalistja Grodanovska, ndodhej për vizitë në Beograd?!
Kryeministri Kurti do të jetë për vizitë në Maqedoni! Në një shtet ku përfaqësuesit e lartë të tij janë të unifikuar dhe e kanë prioritet shtetin dhe dinjitetin e tij, Kryeministri do të duhej ta anulonte vizitën deri në sqarimin e plotë të situatës.
Pastaj, derisa nuk pati ndonjë notë zyrtare, as reagim zyrtar të Kryeministrit, a do të kërkojë sqarim nga Kryeministri i Maqedonisë së veriut, për këtë fyerje të nivelit më të lartë shtetëror të Kosovës dhe vet Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo për faktin se kryeministri Kurti është edhe pjesë e qeverisë maqedonoveriore, meqë garoi me suvjektin e vet politik atje dhe është pjesë e koalicionit qeverisës VLEN/VMRO. Atëherë, kjo të qon te hamendësimi se a do të thotë se presidentja është viktimë e vet kryeministrit?
Sido që të jet, sjellja ndaj Presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit është çështje serioze, por për të përcaktuar nëse kjo është një arsye e mjaftueshme për prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut apo për eskalim situate, duhen marrë parasysh disa faktorë të rëndësishëm. Në rend të parë është ai diplomatik, faktori ligjor dhe ndërkombëtar – respektimi i protokolleve ndërkombëtare, ndihmon përpjekjet për sqarim dhe llogaridhënie, përmirësim të marrëdhënieve dhe në aspektin e sigurisë ndihmon shmangien e rrezikut për eskalim në luftë.
Në situata të tilla, diplomacia është mjeti kryesor për të zgjidhur konfliktet. Përpara se të mendohet për prishjen e marrëdhënieve ose për eskalim të situatës, duhet të bëhen përpjekje për të dialoguar dhe për të kërkuar sqarime zyrtare. Kjo përfshin takime të nivelit të lartë, shkëmbime diplomatike dhe përdorimin e kanaleve ndërkombëtare për të adresuar shqetësimet.
Kërkimi i sqarimeve dhe llogaridhënies nga pala maqedonase është një hap thelbësor. Nëse Maqedonia e Veriut pranon gabimet dhe merr masa për të parandaluar përsëritjen e tyre, kjo mund të ndihmojë në rikthimin e besimit dhe përmirësimin e marrëdhënieve.
Çdo veprim që shkel protokollet diplomatike ndërkombëtare duhet të adresohet në forume ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, organizatat rajonale dhe ndërkombëtare përfshirë edhe partnerët strategjikë të Kosovës, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten. Kjo do të ndihmojë në mbrojtjen e dinjitetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Pavarësisht nga incidentet, është e rëndësishme të përmirësohen marrëdhëniet dypalëshe përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Prishja e marrëdhënieve nuk duhet të jetë opsioni i parë, pasi mund të çojë në pasoja të padëshiruara për të dyja palët.
Sido qoftë, incidenti me Presidenten e vendit në aeroportin e Shkupit është një shkelje serioze e protokollit diplomatik dhe një ndërhyrje e papranueshme në sovranitetin e Kosovës. Duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm dhe të vendosur, për të adresuar këtë çështje dhe për të siguruar që dinjiteti dhe siguria e udhëheqësve të Kosovës të mbrohen në çdo kohë.
Për të shmangur keqkuptime dhe incidente të ngjashme, është e domosdoshme që Kosova dhe Maqedonia e Veriut të punojnë për avansimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kjo mund të arrihet përmes dialogut të hapur dhe ndërtimit të besimit reciprok. Kjo për faktin se shqiptarët atje janë komunitet shtetformues.
Duhet të rishikohen dhe forcohen masat e sigurisë për udhëheqësit shtetërorë gjatë udhëtimeve zyrtare, duke përfshirë protokolle më të forta për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen. Po ashtu, edhe të përcaktohen procedurat standarde të veprimit në situata të tilla e të ngjajshme. Këto nuk guxojn të na qojnë në përplasje të karakterit çfare i shkaktoi presidentja duke thirrë Kryekzvendarin maqedonas dhe duke i përballur organet e sigurisë në situata inkompatibile me përgjegjësitë që kanë.
Vetëm përmes një qasjeje të koordinuar dhe të vendosur mund të ruajmë integritetin dhe reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.