×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Mungesa e punëtorëve fut Kosovën në krizë

    FrontOnline
    25 Qershor 2022

    Orar i stërzgjatur i punës, mohim i pushimit vjetor, punë pa kontratë, pagë e ulët e me vonesa – janë ankesat që, ndër vite, kanë shprehur punëtorë të sektorit privat në Kosovë.

    Shumë prej tyre janë raportuar shpesh edhe në Inspektoratin e Punës, por nga Sindikata e punonjësve të sektorit privat thonë se ato kanë kaluar pa u përfillur.

    Kryetari Jusuf Azemi thotë se, për pasojë, Kosova ka arritur në një gjendje të vështirë ekonomike: me biznese që ankohen se nuk gjejnë punëtorë dhe me të papunë që s’duan të punojnë.

    “Punëtorë e të rinj të shumtë në Kosovë po ikin jashtë vendit… Nuk duan të jetojnë më me shpresën se do të bëhet mirë. Nuk duan të punojnë në kushte jo të mira të punës e me paga të ulëta”, thotë Azemi.

    Gjatë vitit 2021, Inspektorati i Punës ka pranuar mbi 5,000 ankesa nga palë, që kanë konsideruar se u janë shkelur të drejtat në vendin e punës.

    Të dhënat e tij për vitin e kaluar tregojnë, po ashtu, se nëntë qytetarë kanë humbur jetën në vendin e punës, 40 kanë marrë lëndime të rënda dhe 139 lëndime të lehta.

    Zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë se duhet përmirësuar kushtet e punës – në të kundërtën, punëtorët do të ikin.

    Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se, brenda vitit, lëshon rreth 5,500 viza pune për aplikimet që bëhen nga qytetarët e Kosovës.

    Sektori privat vs. sektori publik

    Ligji i Punës në Kosovë parasheh 40 orë pune në javë, kontratë pune, pushim vjetor me pagesë e të tjera.

    Punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.

    Në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona, ndërsa paga mesatare bruto atje është rreth 620 euro.

    Nga sektori publik nuk raportohen probleme me mosrespektimin e Ligjit të Punës, e as me mungesë punëtorësh.

    Bujqësia, gastronomia, ndërtimtaria dhe tregtia raportojnë më së shumti vështirësi në gjetjen e punëtorëve.

    Mbi 750 mijë qytetarë – ekonomikisht joaktivë

    Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.

    Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.

    Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

    Si ndikon mungesa e punëtorëve në ekonomi?

    Mungesa e punëtorëve do të bëhet një nga pengesat kryesore të rritjes ekonomike në Kosovë, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka.

    “Trendi pozitiv i rritjes ekonomike që kemi parë gjatë disa viteve – përjashto vitin 2020 [pandemia COVID-19] – nuk do të arrihet dhe kjo për shkak të mungesës së fuqisë punëtore”, thotë Zeka.

    Për të zbutur problemin, ai thotë se duhet të bëhen përpjekje nga të gjithë – duke filluar nga institucionet deri te punëdhënësit, të cilët duhet të shqyrtojnë, para së gjithash, nivelin e pagave.

    Zeka thotë se mosadresimi i kësaj problematike nga Qeveria e Kosovës, është shqetësues.

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa herë kabinetin e kryeministrit të Kosovës në lidhje me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

    Kalludra: Ka punëtorë, nuk ka kushte

    Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive të tregut të punës dhe analiza, pranë Agjencisë së Punësimit, thotë se punëtorë ka – mbi 60 mijë punëkërkues janë të regjistruar, thotë ai.

    “Kur numri i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të bjerë në 10 mijë, atëherë mund të themi se punëdhënësit kanë të drejtë”, thotë Kalludra.

    Sipas tij, pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës kanë bërë që punëdhënësit të ballafaqohen me mungesa punëtorësh.

    Pagë 180 euro

    Radio Evropa e Lirë ka biseduar me një punonjës në Kosovë – bartës i një familjeje 6-anëtarëshe – që thotë se paguhet 180 euro në muaj.

    J.D. – emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë – thotë se punon në një kompani private pastrimi.

    “Këtu ku punoj, orari i punës respektohet, edhe ditët e pushimit, edhe kemi kontrata, por paga është e ulët. Në këtë kompani punoj qe 10 vjet. Në fillim, pagën e kam pasur 130 euro, tani e kam 180 euro”, thotë ai.

    Me shumë të ngjashme në Kosovë, sipas një studimi të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, paguhen rreth 105 mijë punonjës.

    Ata kryesisht punojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari etj.

    Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor, ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

    Sindikatat e punëtorëve janë ankuar edhe për këtë rritje që pritet, duke thënë se nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

    Kosova, si shumë vende të botës, po përballet me rritje të inflacionit, që ka nisur me pandeminë COVID-19 dhe ka marrë hov pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj është rritur për 12.5 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar./Front Online

    Nga Rubrika
    Lajme16 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga PDK, Altin Krasniqi, ka vizituar disa biznese në Parkun e Biznesit në Drenas. Ai ka shkruar se disa...
    Lajme16 Janar 2025
    Kandidati i LDK’së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka vizituar kompaninë Rronifer në Gjakovë. Abdixhiku është shprehur se këto biznese...
    Lajme16 Janar 2025
    Policia e Kosovës ka pritur sot në një vizitë disa nxënës të ciklit të mesëm të ulët, të cilët kanë pasur rastin...
    Të tjera
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Hamasi dhe Izraeli kanë arritur marrëveshje armëpushimi të ndarë në tri faza. Presidenti Joe Biden dhe pasuesi i tij, Donald Trump e...
    Lajme16 Janar 2025
    Në një kohë kur raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë pritej të ishin më të afërta, analisti Lutfi Bilalli shpreh shqetësimin se marrëdhëniet...
    Lajme16 Janar 2025
    Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht përfaqësuesit e saj kanë mbajtur prezantim/ligjëratë para kadetëve të Gjeneratës së 61 të Policisë së Kosovës e...
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Papa Françesku ka lënduar krahun e djathtë në një rrëzim, ka thënë Vatikani, vetëm disa javë pasi ai lëndoi mjekrën e tij...
    Vip16 Janar 2025
    Xheneta ka ngacmuar Xuxin për zarfin e zi të mbërritur në shtëpinë më të famshme në vend, Big Brother VIP Kosova. “Ti...
    Lajme16 Janar 2025
    Në një kohë kur raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë pritej të ishin më të afërta, analisti Lutfi Bilalli shpreh shqetësimin se marrëdhëniet...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.