Mësimdhënësit grevistë kanë mbetur pa pagat e muajit shtator.
Kjo ka ndodhur në një kohë kur inflacioni në vend sipas Bankës Botërore është rreth 20 %.
Nga Shoqata e Konsumatorëve thonë se për ta mbushur shportën mujore me produktet e nevojshme për jetesë, një mësuesi sikurse edhe tjerave kategori, u duhen mbi 230 euro.
“Artikujt e shportës që dikur mund t`i blinim me 115 euro. Sot nuk mund t`i blejmë as me dyfishin prej 230 eurove”, theksuan nga kjo shoqatë për “Front Online”.
Qeveria ka thënë se nuk do të procesohen pagat për punëtorët e sektorit publik, të cilët kanë qenë pjesë e grevës, me arsyetimin se kështu thotë ligji.
Sindikalistët po presin një arsyetim nga Hekuran Murati pse ua ndali mësuesve rrogat, për të ndërmarrë tutje hapa ligjorë.
Ekonomisti Imer Raçi përmend edhe një hall tjetër me të cilin përballen mësuesit si rezultat i mosmarrjes së rrogave.
“Paga është burimi kryesor i të ardhurave të një familjeje e veçanërisht për të punësuarit e sektorit publik dhe çdo vonesë në pagë atyre ua thellon krizën sepse ne e dimë që po thuajse të gjithë të punësuarit publik kanë edhe kredi bankare”, u shpreh ekonomisti Raçi për “Front Online”..
Rritje të çmimeve kanë pësuar gati të gjitha produktet bazike, nga buka, vaji, sheqeri, mielli deri te pemët e perimet.
Paga mesatare bruto në Kosovë është 484 euro. Paga minimale në Kosovë mbi moshën 35 vjeç është 170 euro ndërsa për personat nën 35 vjeç është 130 euro. Pensionet sillen nga 100 deri në 265 euro.
Por, sa ishte inflacioni në 8 vitet e fundit?
Këto janë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Në vitin 2014, Inflacioni ( indeksi i çmimeve të konsumit) ishte 0, 4 për qind.
Në vitin 2015, inflacioni ishte – 0, 4 për qind.
Në vitin 2016 ishte 0, 3 për qind.
Në vitin 2017 ishte 1, 5 për qind.
Në vitin 2018 ishte 1.1 për qind.
Në vitin 1019 ishte 2, 7 për qind.
Në vitin 2020 kishte rënë në 0, 2 për qind.
Në vitin 2021 ishte regjistruar në vlerë prej 3, 4 për qind./Front Online/