
Prej përhapjes së pandemisë së Coronavirusit në Kosovë e deri më tani, Inspektorati i Punës ka bërë rreth dy mijë inspektime në kompani të ndryshme për ta parë nëse ato kanë siguruar pajisje mbrojtëse për punëtorët në mënyrë që ta parandalojnë përhapjen e Coronavirusit.
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit të punës, Valon Leci.
Ai ka treguar se Inspektorati ka vënë në dispozicion një linjë telefonike pa pagesë për të gjithë ata që kanë ankesa.
“Dua ta filloj me numrin e inspektimeve që i kemi bërë e të cilat kanë qenë rreth 2000 inspektime d.m.th. nuk e kam raportin për dy tri ditë e fundit, por kanë qenë rreth 2000. Është fjala vetëm për periudhën e pandemisë në këtë periudhë ne e kemi vë në funksion edhe një linjë telefonike pa pagesë të cilën e kanë shfaqur edhe institucionet e tjera. Kemi vë në funksion të gjitha emalit zyrtarë të udhëheqësve, time dhe të kolegëve d.m.th. kemi vë në funksion shumë mundësi që punëtorët të ushtrojnë ankesa dhe parashtresa, si dhe informata të ndryshme”, tha ai për Front Online.
Ai tha se në gjysmës e dytë të muajit prill, kanë filluar edhe me inspektimin e bizneseve të cilat kanë bërë shkelje ligjore sa i përket të drejtave të punëtorëve gjatë kohës së pandemisë.
Leci tha se ankesa më së shumti ka nga punëtorët të cilët punojnë në subjektet ekonomike
“Nga gjysma e dytë e prillit kemi vazhduar me këto inspektime. Ankesa më së shumti ka nga punëtorët të cilët punojnë në subjektet ekonomike ku është e ndaluar puna pasi që ata kanë pasur probleme edhe me pagat dhe çështje tjera, edhe përkundur faktit që Qeveria ka ndihmuar subjektet e tilla me një pagë”, u shpreh ai.
Leci paralajmëron masa për punëdhënësit që bënë shkelje në kohë pandemie
Leci për Front Online tha se pas evidentimit të shkeljeve ligjore që kanë bërë punëdhënësit në kohen e pandemisë do të marrin masa juridike sipas ligjit në fuqi për punëtorët.
“Po kemi vërejtur shkelje, tani kemi edhe një raport zyrtar, por nuk dua ta përmendi emrin kompanisë tani sepse janë procedura juridike, do të nxjerrët vendimi për të. Pala ka të drejt me u ankuar, por ajo që dua të them unë është që Inspektorati i Punës do të jetë në zbatim të ligjit dhe të gjitha ata që mendojnë ta shfrytëzojnë pandeminë dhe me i shkel të drejtat e punëtorëve do ta kenë Inspektoratin e Punës si institucion që mbron të drejtat e palëve në marrëdhënien e punës dhe do të ballafaqohen me pasojat ligjore”, tha ai për Front Online.
Numri i personave që humbin jetë në vendin e punës po bie
Kryeinspektori i punës për Front Online, foli edhe për punëtorët të cilët kanë humbur jetë në vendin e punës.
Ai tha se në dy vitet e fundit ka rënie të numrit të personave që kanë humbur jetën në vendin e punës.
Sipas tij, në këtë periudhë të vitin 2020 janë vetëm dy vdekje në vendin e punës.
“Në fakt kemi në mesin e lajmeve të këqija edhe lajme të mira pasi që është viti i dytë që kemi rënie të aksidenteve në vendin e punës, për dallim nga vitit 2018 që kanë qenë 22 persona në vitin 2019 kanë qenë 11 persona këtë vit kemi vijimësi të rënies ne i kemi pasur dy persona që kanë humbur jetën në vendin e punës. Jemi duke e trajtuar edhe një rast i cili po mendohet që është në vendin e punës pasi që ka ndodhur një aksident dhe pas një periudhe kohore ka vdekur personi por tani mbetet me udhën prej sektorit të shëndetësisë nëse vdekja është konsekuencë e aksidentit”, tha ai për Front Online.
Leci: Po përmirësohen të drejtat e punëtorëve
Sektori i ndërtimtarisë, konsiderohet si sektori më i rrezikshëm për punëtorë.
E, për këtë Leci tha se në Kosovë gjatë dy viteve numri i personave të cilët kanë humbur jetë në këtë sektor është më i vogël.
Të drejtat e punëtorëve, sipas Lecit, po shkojnë duke u përmirësuar.
Ai tha se vetëm gjatë viti 2019 kanë arritur që 1800 personave të cilët kanë punuar pa kontrata t’iu formalizojnë ato.
“Ka përmirësim të dukshëm edhe në përmirësim të marrëdhënies së punës në vitin 2019 e kemi përmbyll me 1800 persona për të cilat e kemi formalizuar vendin e tyre të punës pasi që kanë punuar pa kontrata apo pa i paguar kontributet dhe i kemi obliguar që t’i përmirësojnë këto çështje”, tha ai për Front Online.