×
  • Opinione
  • Opinione

    Lufta për Kievin dhe propaganda për Moskën

    Jorgji Kote
    29 Mars 2023

    Nga Jorgji Kote

    Më 18 Mars, Putini bëri vizitën e tij të papritur në Mariupol, vetëm një ditë mbasi Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarrestin ndaj tij për krime lufte. Me inskenime tipike propagandistike, ai u mundua të jepte mesazhin se gjithçka është në rregull dhe se nuk do t’ia dijë për akuzat e Perëndimit.

    Gjithsesi, shfaqja më e madhe propagandistike ishte vizita tri ditore e presidentit kinez Xi Jinping në Rusi më 20-22 mars me mesazhin se Rusia nuk është as vetëm dhe as e izoluar. Dhe, për Kinën nuk ishte pak; ndonëse, nuk dihet sa mund të “ngjisë” pretendimi i Xin si paqebërës asnjanës me pohimin si mik i ngushtë me Putinin; të cilin e ka takuar 40 herë, ndërsa Presidentin ukrainas Zelenski as dhe njëherë të vetme, madje as në telefon!

    Në takimet me presidentin kinez Xi Jinping në Moskë, Putini propagandoi me demagogji se Rusia dhe Kina do të luftojnë ndaj kërcënimeve të përbashkëta të Perëndimit, për një rend të ri botëror shumëpalësh mbështetur mbi të drejtën ndërkombëtare dhe jo mbi “rregullat” që i shërbejnë miliarderëve të kamur në ar” duke nënkuptuar Perëndimin. Ndonëse këtë të drejtë ai e “ka shkelur me të dyja këmbët”, kur dhe si i ka dashur qejfi!

    E filluam shkrimin me këto dy shembujt më të fundit për të treguar se pas agresionit të 24 shkurtit 2022 ndaj Ukrainës, paralelisht me luftimet e ashpra në terren me objektiv Kievin, Rusia dhe Putini po bëjnë dhe një luftë tjetër po aq të fortë dhe jetike për ta – propagandën në Moskë dhe gjithë vendin në favor të kësaj lufte të padrejtë.

    Analiza e kësaj propagande ndihmon shumë për të kuptuar përse dhe pas një viti, megjithë vështirësitë e mëdha të shkaktuara nga 10 paketa sanksionesh të BE-së dhe të tjera nga ShBA-të, jeta në Rusi duket se në përgjithësi ecën normalisht; me një kundërshtim politik dhe publik pothuajse të papërfillshëm dhe hë për hë pa ndonjë dinamikë tjetër. Atëherë, si dhe përse po ndodh kështu?

    Përgjigja do gjetur kryesisht te propaganda, fushë në të cilën Rusia ka trashëguar traditë dhe përvojë të madhe nga koha e carëve, e Lenin-Stalinit dhe gjithë periudhës së ish-BRSS-së. Ajo vazhdon ta luajë këtë rol akoma më shumë dhe tani.

    Në një intervistë të ditëve të fundit për të përditshmen gjermane “Tagesspiegel”, politologu rus azilant politik në Letoni, Fyodor Krasheninkov, thotë “morali dhe propaganda janë po aq të rëndësishme sa armët për shpëlarjen masive të trurit”.

    Ekspertët shkojnë dhe më tej kur pohojnë se propaganda është shumë më e rëndësishme dhe se vetë e vërteta. Sepse e vërteta është njëjës, ndërsa propaganda shumës; ajo përdor shumë forma, mënyra dhe versione. Ndërsa, e vërteta mbështetet në fakte dhe në shifra. Plus, propaganda nuk e ka për gjë t’i manipulojë dhe shifrat, sipas interesave të politikës së ditës dhe proceseve zgjedhore.

    Historikisht, “propaganda e luftës” ka luajtur rol përcaktues nga lashtësia e deri më sot. Kështu po ndodh dhe në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës. Duke qëndruar larg teorizimeve akademike, le të hyjmë konkretisht në temë, duke iu referuar dy autorëve më të njohur në këtë fushë – Lordit Arthur Ponsonby (1871-1946) i cili në vitin 1928 botoi bestsellerin “Fallsiteti në kohë lufte” (Wartime Falsehood”) ku tregohen dhe 20 gënjeshtrat kryesore dhe parimet kryesore udhëheqëse të propagandës gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai thekson se “pa gënjeshtra nuk do të kishte arsye dhe as vullnet për luftë”. Ponsonby sugjeron se morali i civilëve dhe i ushtarëve duhet të mbahet lart me çdo kusht. “Ministria e Mbrojtjes, shtabet, admiralitetet merren me aspektin ushtarak. Ndaj duhet të krijohen departamente të posaçme propagande, për të përhapur gënjeshtra, për të ekzagjeruar fitoret dhe për mohuar ose minimalizuar humbjet”.

    Këtë përvojë e përditësoi dhe sintetizoi në dy dekadat e fundit Profesoresha e njohur belge me origjinë italiane në Universitetin e Lirë të Brukselit, Anne Morelli. Në librin e saj “Parimet elementare të propagandës së luftës” ( Principes elémentaires de propagande de guerre) ajo shpjegon se si këto parime funksionuan dhe në luftërat e zhvilluara dhe pas vitit 2001.

    Si pikë e madhe reference dhe për ditët e sotme, le t’i përmendim 10 parimet në fjalë, bashkë me disa ilustrime të shkurtra shpjeguese, të cilat ndihmojnë për të kuptuar më mirë propagandën e sotme të Moskës zyrtare në tërësinë e vet.

    “Ne nuk duam luftë”! Fajin për luftën e ka armiku, ai është djalli dhe e keqja! Ne mbrojmë një çështje fisnike dhe jo interesat tona! Krimet po i bën armiku, ndërsa ne dhe kur bëjmë gabime, ato janë pa dashje! Jo ne, por armiku përdor armë të ndaluara! Çështja jonë është e drejtë; ai që dyshon në propagandën tonë i shërben armikut, ndaj dhe është tradhtar!

    “Ne kemi pësuar pak humbje, ndërsa armiku shumë”! Kjo tezë është hedhur qysh në luftërat në lashtësi, sidomos nga helenët.

    “Artistët dhe intelektualët mbështesin çështjen tonë!”. Kjo është një traditë e njohur, bartës të së cilës kanë qenë dhe intelektualë të shquar perëndimorë. Tipik ishte “Manifesti 93” i 93 intelektualëve të shquar gjermanë – akademikë, shkrimtarë dhe nobelistë më 4 tetor 1914, i cili legjitimonte luftën për Gjermaninë. Asaj iu kundërpërgjigjën menjëherë 100 intelektualë francezë. Pas lufte, “New York Times” intervistoi 73 nga intelektualët e mbijetuar gjermanë, 60 prej të cilëve shprehën keqardhjen që e kishin nënshkruar Manifestin, ndërsa të tjerët pohuan se as nuk e kishin lexuar përmbajtjen e tij.

    Në këtë linjë, muajin e kaluar në Gjermani është nënshkruar nga mbi 600 mijë vetë “Manifesti për Paqen” me nismën e lideres politike komuniste Sara Wagenknecht dhe aktivistes së njohur civile, Alice Schwarzer; aty kërkohet ndërprerja e luftimeve dhe armëpushim me çdo kusht, duke venë shenjën e barazimit midis agresorit rus dhe Ukrainës. Me të drejtë po kundërshtohet në masë, sepse sipas publicistes Mariam Lau “nëse Rusia hedh armët, merr fund lufta, po nëse Ukraina bën një gjë të tillë, merr fund ajo”.

    Ndonëse propaganda është “specialitet” i regjimeve totalitare, të tilla parime dhe praktika i kanë përdorur rast pas rasti dhe aleatët tanë të mëdhenj. Por, më vonë ata i kanë shkuar në themel të vërtetës. E kundërta ngjet në vendet diktatoriale dhe sot në Rusi, ku sloganet dhe rezultatet e kësaj propagande marrin statusin e të vërtetës absolute, duke helmuar kohë të gjatë mendjet dhe zemrat e njerëzve.

    Sot, flamurin e kësaj propagande negative dhe të rrezikshme e ka rimarrë në dorë Rusia, duke i zbatuar besnikërisht këto 10 parime në sensin e tyre më negativ në agresionin e saj ndaj Ukrainës. Kjo propagandë trilluese është domosdoshmëri për Rusinë, sepse veprimet ushtarake në teatrin e luftimeve kërkojnë prapavijë të sigurt dhe motivuese, pa të cilat, aksionet ushtarake, megjithë nivelin e sofistikuar të armatimit nuk mund të kenë rezultatet e pritshme.

    Dhe, tani, le t‘i konkretizojmë këto ide me ngjarjet në Ukrainë, duke u ndalur te masakrat në Buça. Në kuadrin e propagandës së luftës, Rusia jep disa versione për realitetet e trishta atje. Versioni i saj i parë është se në Buça nuk ka ndodhur asgjë; kur kjo nuk zë vend, atëherë propaganda kalon në nivelin tjetër që “po, ka të vrarë, por jo aq shumë dhe aq sa pretendon Perëndimi”. Kur nuk ecën as kjo, kalohet në versionin tjetër se ajo është masakër e inskenuar me disa teori komplotuese ose konspirative. Gjithë bota e pa se si plasi gazi në Manila në takimin e G20 kur Lavrovi tha se Rusia po bën çmos të ndalojë luftën që ka nisur Ukraina! Dhe, kur këtë “gënjeshtër me bisht” nuk e ha më njeri, atëherë kalohet në pohimin vijues se “po, ka viktima, por ata janë vrarë nga ukrainasit dhe jo nga rusët; veç kësaj, të vrarët nuk janë civilë por ushtarë ukrainas të vrarë në luftim e sipër”. Mirëpo, vrasja e ushtarakëve armiq nuk është krim lufte dhe këtu mbyllet dhe kjo fushatë absurde propagandistike, e cila nuk del as huq dhe as bosh.

    Më të prirë për t’i besuar kësaj propagande janë të moshuarit, sidomos lidhur me akuzat për bashkëpunim të Ukrainës me nazizmin gjerman. Këtë fakt e pohoi dhe legjenda e boksit botëror, Vladimir Klitschko, në një debat të gjerë në televizionin gjerman “ZDF” më 23 shkurt kur tha se dhe babai i tij i ndjerë, ish gjeneral major në ushtrinë ukrainase e besonte propagandën ruse! Vetëm kur shkoi dhe vizitoi ShBA-në u bind se gjithçka kishte dëgjuar nga propaganda ruse ishte gënjeshtër e madhe! Në Rusi ndiqet shumë këngëtari “patriotik” 31 vjeçar Shaman, i cili këndon nëpër sheshe, stadiume dhe në frontin e luftës, për t’i dhënë zemër ushtarëve rusë.

    Problemi dhe vështirësitë lindin me rininë, e cila nuk bindet dhe nuk tërhiqet dhe aq kollaj nga kjo propagandë lufte. Në fakt, ndikimin kryesor mbi të tani e ushtrojnë rrjetet sociale. Në këto kushte, propaganda e luftës ruse reduktohet në forcimin e masave dhe ligjeve shtrënguese, kërcënuese dhe në masa administrative, si burgosja, zgjatja e afateve të moshë të rekrutimit etj. Mirëpo, ndryshe nga të moshuarit, rinia i trembet “si djalli nga temjani” këtyre masave, sepse e ka të vështirë të ndahet nga jeta e qejfit, argëtimi, etj.

    Me këtë rast, disa ekspertë theksojnë se propaganda ruse nuk fokusohet te shtimi i simpatisë për Putinin, qeverinë dhe ushtrinë ruse. Më shumë se aq, ajo kërkon dhe sajon shkaqe dhe arsye për të legjitimuar agresionin e saj në Ukrainë. Për këtë qëllim përdor kujtimet dhe nostalgjinë për Ushtrinë e Kuqe, rilindjen e ish BS-së, urrejtjen për liderët e Ukrainës dhe Perëndimin në përgjithësi. Kështu, Igor Strelkov, ish-ministër i Mbrojtjes së Donjeckut të vetëshpallur u thotë rusëve se ju mund të mos e doni Putinin dhe udhëheqjen e ushtrisë ruse për gabimet e saj; por, në këto momente, ne nuk mund ta “lemë kursesi ushtrinë tonë në baltë”!

    Së fundi, lidhur me reagimet perëndimore, politologu i lartpërmendur Krasshenikov në disa prononcime mediatike pohon me keqardhje se ai e ka humbur fuqinë e tij për t’iu kundërvënë propagandës agresive ruse të luftës. Kjo mbasi propaganda perëndimore po mbështetet kryesisht në ndalimin ose kufizimin e debateve me të ftuar rusë për të dhënë idetë dhe mendimet e tyre, mbylljen e stacioneve televizive ruse dhe hapjen e tyre jashtë vendit. Mirëpo, duke vepruar kështu, në vend që ta zgjidhin, ata e ndërlikojnë problemin. Putini dhe propaganda ruse i shfrytëzon këto masa ndaluese për t’u treguar njerëzve se Perëndimi cenon lirinë e medias dhe shprehjes dhe se zbaton dy standarde të ndryshme, sipas parimit “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”. As insinuatat se Putini bashkëpunon me forcat e ekstremit të djathtë në Evropë nuk “pinë ujë” në Moskë; sepse dihet se ish BRSS-ja ka bashkëpunuar me forcat majtiste dhe jo ato djathtiste.

    Ja pse, për t’iu kundërvënë propagandës së saj, si beteja tjetër e madhe ndaj Rusisë krahas frontit ushtarak, Perëndimi duhet të ketë më shumë liri, fantazi dhe hapësirë veprimi, sipas grup moshave, shtresave dhe profesioneve të ndryshme.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump është “tepër i shqetësuar” nga përdorimi në rritje i llojeve të ndryshme të armatimeve në luftën gati trevjeçare të...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nesër e pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashin. Sipas njoftimit, në...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Deputeti nga Lista “Guxo”, Burim Meta ka qenë i ftuari i radhës në “Reel Talk” që realizohet nën moderimin e gazetarit Nebih...
    Kronika24 Nëntor 2024
    Për një vrasje që ndodhi në prill të këtij viti, tek këto ditë u ngrit aktakuzë. Klan Kosova ka siguruar aktin akuzues...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Turneu i Ndryshimit”, siç e quan Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot mbajtur tubim në Malishevë. Kreu i këtij subjekti politik, Lumir...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po instalojnë ashensorë nëpër banesa kolektive, pasi ka kërkesa të qytetarëve që nga viti...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.