
Kandidati i Nisma Socialdemokrate për kryeministër Fatmir Limaj ditën e sotme të fushatës zgjedhore e ka nisur duke kërkuar unitet nga gjitha partitë politike për t’u bërë bashkë për sfidat që e presin Kosovën në të ardhmen, teksa tha se kundërshtarët politikë i shohin si pasuri, e jo armiq.
Limaj para strukturave dhe simpatizantëve në Klinë po ashtu shpalosi disa nga prioritetet e tij qeverisëse. Ai tha se Qeveria e tij do të ketë më shumë zhvillim ekonomik dhe një shtet social.
Limaj duke folur për qasjen e tij unifikuese tha se Kosovës për t’u bashkuar i duhen njerëz me pjekuri politike.
Ndërsa, kryetari i Degës së Nismës në Klinë, njëherësh kandidat për deputet, Muhamet Gashi duke kërkuar votën për partinë e tij, tha se Nisma angazhohet fuqishëm për një arsim, zhvillim ekonomik dhe shëndetësi cilësore./Front Online/