Kuvendi i Kosovës i bëri kërkesë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që të shohë mundësinë e testimit për Covid-19 të zyrtarëve dhe deputetëve të këtij institucioni, tha për Radion Evropa e Lirë sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi.
Vetë Krasniqi ka rezultuar pozitiv me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
“Me pranimin e rezultatit të testit, e kam njoftuar stafin dhe jam izoluar”, tha ai.
Krasniqi tha se IKPSHK-ja nuk ka kthyer ende përgjigje sa i përket testimit të stafit të Kuvendit.
Edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka njoftuar të dielën se ka rezultuar pozitiv me Covid-19, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes.
Përndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës shtyu mbledhjen e paralajmëruar për të hënën, për një ditë tjetër.
Në njoftimin e Kuvendit nuk përmendet arsyja e shtyrjes.
Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me koronavirus.
Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur.
Numri i të shtrirëve në Kliniken Infektive në Prishtinë ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.
Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me koronavirus.