
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Gjendja e Jashtëzakonshme e kërkuar më parë nga Presidenti Hashim Thaçi, ishte kundërvënie sipas tij ndaj qeverisjes së mirë që po bënte.
Këto deklarata Kurti i dha pasi Presidenti Thaçi u shpreh se e urren Gjendjen e Jashtëzakonshme dhe se nuk ishte asnjëherë entuziast për një vendim të tillë.
”Gjendja e Jashtëzakonshme më shumë është menduar si një kundërvënie e qeverisjes së mirë që kishim ne, sesa që kishte të bënte me pandeminë”.
Më tej ai përmendi se kur ishte kërkuar shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme, kishte pak të infektuar.
”Atëherë kur u kërkua shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ishin vetëm 19 të infektuar”, ka thënë ai, duke iu referuar deklaratës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili më 17 mars kishte kërkuar që të shpallej gjendje e jashtëzakonshme”.
Kjo kërkesë e tij, kishte nxitur përplasje në koalicionin VV-LDK, që për epilog pati rrëzimin e Qeverisë Kurti, pas shkarkimit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Ndërkaq për manifestimin e 12 qershorit të paralajmëruar nga VV-ja, ai ka thënë se nuk do të jetë protestë.
”Do ta kemi një manifestim në shesh, do ta ruajmë distancën që të tregojmë se e ruajmë vetën”.
”Nuk është protestë është manifestim, tubim”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.