Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi ka marrë pjesë sot në Takimin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor të fushës së TIK me temën ”Ballkani Perëndimor për Epokën Dixhitale” të organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe i realizuar në formë virtuale.
“Ndikimi i Marrëveshjes së Roamingut Rajonal dhe hapat e ardhshëm në drejtim të regjionit pa tarifa të roamingut deri më 1 Korrik 2021”, ka qenë çështja e parë e trajtuar në këtë takim ku Kuçi ka paraqitur të arriturat e palës kosovare për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe ka shprehur gatishmërinë për përmbushjen e obligimeve të radhës drejt heqjes së plotë të tarifave të roamingut deri më 1 korrik 2021.
Si çështje tjetër e trajtuar në këtë takim ministror ka qenë Axhenda e transformimit Dixhital në Ballkanin Perëndimor përtej vitit 2020.
Në këtë rast, Kuçi ka prezantuar planet dhe prioritet e Kosovës për zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), gjegjësisht të Agjendës Dixhitale të Kosovës.
Po ashtu ai ka shprehur gatishmërinë e vendit tonë në implementimin e veprimeve në kuadër të fushave për ekonominë rajonale (REA 2021-2024) dhe vazhdimin e bashkëpunimit me të gjitha palët në rajon, që të arrihen të gjitha objektivat në mënyrë sa më efikase.