×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri Hoti në Maqedoninë e Veriut, ky është fjalimi i plotë i tij

    FrontOnline
    23 Tetor 2020

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, është pritur sot me ceremoni të lartë shtetërore nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

    Në këtë takim, të dy kryeministrat konstatuan se vendet e tyre ndajnë interesa të përbashkëta në fushën politike, ekonomike dhe më tej, përfshirë këtu edhe aspiratat integruese në familjen evropiane, ndërsa fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe e konsideruan si alternativa e vetme dhe e duhur.

    Duke i vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Hoti vlerësoi se avancimi i bashkëpunimit në fusha konkrete ndërmjet dy vendeve do të forconte edhe më tej zhvillimin ekonomik, politik dhe tregtar.

    Ndërsa, Kryeministri Zaev theksoi se i mbështet përpjekjet e Republikës së Kosovës në rrugën e saj integruese, dhe njëherit e vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

    Për më tepër, Kryeministri Zaev vlerësoi se Kosova është një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

    Pas takimit kryeministri Hoti dhe kryeministri Zaev kanë mbajtur një konferencë të përbashkët me gazetarë.

    Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti në konferencë:

    Faleminderit shumë i nderuar kryeministër Zaev për pritjen shumë miqësore në Shkup.

    Kjo është vizita ime e parë në Shkup, dhe i uroj edhe kryeministrit punë të mbarë në mandatin e ri që e ka marrë dhe shfrytëzoj rastin që ta përgëzoj për veprimet e jashtëzakonshme që i ka ndërmarrë në mandatin e kaluar, veprime të rëndësishme, që nganjëherë në politikë edhe mund të kushtojnë, sa i përket perspektivës dhe karrierës politike të një kryeministri ose të një qeverie, por që hapin perspektivë për zhvillim dhe normalizim të marrëdhënieve.

    Në këtë drejtim arritja e marrëveshjes me Greqinë, është një sukses i jashtëzakonshëm i juaji personalisht, me mbështetje të miqve, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe besoj që është hap i mirë se si duhet të normalizohen marrëdhëniet në mbarë regjionin.

    Ju përgëzoj për avancimin e madh që keni bërë drejt integrimeve evropiane dhe në zhvillimin e nismave regjionale, për të cilat ne presim që t’iu bashkohemi dhe të punojmë bashkë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në regjion.

    Keni bërë një rrugëtim të gjatë, 30 vjeçar si shtet dhe ne, por edhe i gjithë regjioni ka shumë për të mësuar në reformat që keni ndërmarrë, në veçanti në fushën ekonomike, duke renditur vendin tuaj ndër reformatorët kryesor në nivel botëror.

    Dëshiroj t’iu falënderoj në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për koordinimin e ngushtë që kemi pasur si dy qeveri gjatë këtyre muajve, gjatë luftimit të pandemisë, ku qytetarët e të dyja vendeve, duke i tejkaluar të gjitha procedurat burokratike, kanë lëvizur shpejt për t’i kryer nevojat e tyre.

    Më vjen mirë që edhe me bisedën që kishim në mbledhjen e përbashkët tani kemi një dakordim që të lëvizim përpara në disa ide, në disa projekte që janë në interes të dy ekonomive tona. E mirëpres shumë idenë që të shkojmë drejt ndërtimit të pikës së përbashkët të kalimit kufitar ONE STOP SHOP, pastaj lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup, me mbështetje edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë që do ta transformojë komplet regjionin dhe më gjerë, sa i përket furnizimit me energji dhe stabilitetit të mbarë regjionit në furnizim me energji në këtë drejtim.

    Më vjen mirë që dëgjoj që keni avancuar në procedura sa i përket ndërtimit të autostradës nga Shkupi deri në kufi. Ne kemi përfunduar pjesën tonë dhe besoj që duke avancuar edhe me ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar, ne e lidhim Prishtinën me Shkupin në më pak se një orë të lëvizjes.

    Gjithashtu më vjen mirë që ka gatishmëri të plotë nga ana juaj që të shqyrtojmë mundësinë e studimit të fizibilitetit për autostradën Tetovë- Prizren, sigurisht specifikat që ka regjioni atje, por duhet t’i marrim parasysh ato.

    Odat tona ekonomike dhe asociacionet e biznesit do të jenë ngushtë në koordinim me odën ekonomike këtu, për të intensifikuar bashkëpunimin, por edhe për të identifikuar çfarëdo pengese që ne mund të kemi në mes të dy vendeve tona sa i përket intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik.

    Bashkëpunimi ynë ekonomik nuk kufizohet vetëm me vlerën e eksporteve dhe importeve që kemi si dy vende, por tejkalon atë edhe në fushën e shërbimeve, por edhe në komplimentaritetin që kanë dy ekonomitë tona në plotë aspekte.

    Unë pres që Samiti i Sofjes i cili organizohet në Bullgari, për të cilin ju përgëzoj, të jetë një sukses për regjionin me kontributin e juaj, duke i konkretizuar disa nga nismat regjionale të cilat ju i keni filluar në mandatin e kaluar, por tash mund t’i konkretizojmë dhe mund t’i çojmë përpara së bashku, si regjion mbi baza plotësisht të barabarta, si vende të Ballkanit Perëndimor.

    Pres me padurim që të takohemi prapë në Samitin e Sofjes më 10 nëntor që t’i konkretizojmë këto nisma.

    Është bërë një punë e mirë në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona, kemi më se 40 marrëveshje të nënshkruara. Unë pres me padurim që sapo të krijohen kushtet të organizojmë një mbledhje të përbashkët, ku do të rishikojmë marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani për të parë zbatimin e tyre dhe të identifikojmë mundësitë e tjera të bashkëpunimit duke nënshkruar marrëveshje të reja.

    Unë pres me padurim që t’ju mirëpres gjithashtu në Prishtinë.

    Shkëlqim Devolli takon guvernatorin e Texasit, Greg Abbott, flasin për rritje bashkëpunimi Kosovë – ShBA
    Nga Rubrika
    Lajme26 Prill 2024
    Të enjten ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ që përcakton rregullat për vendosjen e fotografive apo ilustrimeve të tjera dhe tekstit –...
    Lajme26 Prill 2024
    Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në kryeqytetin e Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga...
    Lajme26 Prill 2024
    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), ka njoftuar se më 1 maj, e mërkurë, do të organizojnë një protestë...
    Të tjera
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Gjatë protestës së sotme, Rithemelimi ka hedhur sërish molotov në derën e bashkisë së Tiranës. Pas hedhjes së molotëve, kanë ndërhyrë efektivët...
    Lajme26 Prill 2024
    Klinika e Mjekësisë Bërthamore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është pajisur me aparaturën SPECT/CT/PET. Në gjithë rajonin, Kosova do të jetë...
    Lajme26 Prill 2024
    Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar në Shtime ku ka thënë se ka takuar disa biznese në të...
    Lajme26 Prill 2024
    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se vrasjet e pasluftës janë përdorur me qëllim për të njollosur UÇK-në. Haliti në emisionin...
    Lajme26 Prill 2024
    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të enjten më 25 prill ka qëndruar në Bruksel në kuadër të takimit të pestë për çështjen...
    Lajme26 Prill 2024
    Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot çmimet në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, të mbajtur nga...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.