Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur sot një takim virtual me dr. Sergei Koryak, zyrtar ndërlidhës i OBSH-së në Kosovë, si dhe me zyrtaren profesionale të emergjencave, Isme Humolli.
Në takim është diskutuar nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe OBSH-së në përpjekje për menaxhim të suksesshëm të pandemisë COVID-19.
Kryetarja Osmani i ka njoftuar zyrtarët e OBSH-së në lidhje me iniciativën ligjore të ndërmarrë me qëllim që vendimet për masat anti Covid të kenë bazë ligjore, teksa organet e rendit të kenë mundësinë e veprimit aty ku hasen shkelje.
Gjithashtu, në këtë takim u potencua rritja e fokusit ndaj sektorit të shëndetësisë, ngase pandemia nuk ka përfunduar, ndaj veprimet e vonuara mund të shkaktojnë efekt zingjiror dhe dëme më të mëdha.
Palët diskutuan edhe për rëndësinë e shembullit që duhet të paraqesin liderët institucionalë, duke respektuar masat mbrojtëse, për të ndërtuar një normë të re të sjelljes në kohë pandemie.