Lideri verikorean Kim Jong-un ka paralajmëruar autoritetet e shtetit që udhëheq që të përgatiten për rrezikun që përbën pandemia me koronavirus, por edhe një tajfun në ardhje, transmeton BBC.
Paraqitja e Kimit në një takim të partisë ka ardhur pas rritjes së spekulimeve për shëndetin e tij, dhe faktit se ai i ka deleguar një pjesë të autoritetit motrës së tij, Kim Yo-Yong.
Koreja Veriore deri më tani nuk ka konfirmuar asnjë rast të infektuar me koronavirus, dhe besohet se një shpërthim i madh do të mund të kishte efekt shkatërrues për këtë popull të varfër.
Ndërkohë, tajfuni Bavi pritet të godasë Korenë Veriore më vonë gjatë kësaj jave.
Përgjatë takimit, Kim ka thënë se ekzistojnë “disa mangësi” në përpjekjet e shtetit për të qëndruar larg virusit, ka raportuar media shtetërore verikoreane, pa dhënë më shumë hollësi.
Phenjani ka insisituar për kohë të gjatë se nuk ka asnjë person të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, ndonëse vëzhguesit kanë dyshime për këto pretendime.
Pas dyshimeve për një të infektuar javë më parë, një qytet kufitar verikorean është futur tërsisht në izolim, mirëpo infektimi nuk është konfirmuar asnjëherë zyrtarisht.