×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Kim Jong Un e quan Korenë e Jugut shtet të huaj armiqësor

    FrontOnline
    18 Tetor 2024

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka thënë të premten se Koreja e Jugut është shtet i huaj armiqësor, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

    Ajo publikoi fotografi të Kimit me ushtarë të rangut të lartë duke e analizuar një hartë të quajtur “Seul” në një post komandues.

    Kimi diskutoi për përdorimin e “forcës së ofensive” kundër Jugut si hakmarrje për cdo lëvizje që cenon sovranitetin e Koresë së Veriut, sipas artikullit në KCNA, në të cilin nuk pati shpjegim se cfarë force mund të përdoret.

    Një ditë më herët, Koreja e Veriut konfirmoi se Kushtetuta e saj e ndryshuar rishtazi e përcakton Korenë e Jugut si “vend armik” për herë të parë.

    Kimi e ka kritikuar vazhdimisht Korenë e Jugut këtë vit, duke e akuzuar se po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për ta rrëzuar regjimin e tij.

    Urdhri i Kimit në janar për ta rishkruar Kushtetutën befasoi shumë ekspertë të huaj, pasi u pa si një eliminim i idesë së shtetësisë së përbashkët ndërmjet Koreve të ndara nga lufta dhe si një shkëputje nga ëndrrat e paraardhësve të tij për të arritur paqësisht bashkimin e Koreve sipas kushteve të Veriut.

    Ajo i shkatërroi lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Jugun këtë javë, po ashtu. Këto veprime nënvizojnë “jo vetëm ndarjen fizike, por edhe fundin e marrëdhënieve të dëmshme me Seulin”, e citoi KCNA Kimin të ketë thënë.

    Seuli ka thënë se, nëse Koreja e Veriut shkakton dëme ndaj popullit të tij, “ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të koreanoverior”.

    Kimi i bëri këto deklarata gjatë inspektimit të selisë së Korpusit të 2-të të ushtrisë koreanoveriore të enjten, tha KCNA. Kjo është njësi e madhe ushtarake që përfshin disa brigada të vendosura përpara me armë të rënda në drejtim të Koresë së Jugut.

    “Kim po përpiqet t’i forcojë mentalisht ushtarët në vijën e parë me komentet e tij”, tha Yang Moo-jin, president i Universitetit të Studimeve për Korenë e Veriut në Seul.

    “Kjo retorikë e ‘dy vendeve armiqësore’ është, në fund të fundit, strategjia e mbijetesës së Kim Jong Unit… Mos ndërhy, jeto veçmas si një vend armik. Është një rrugë që (Koreja e Veriut) nuk e ka ndjekur kurrë më parë, dhe askush nuk mund të jetë i sigurt për suksesin e saj”.

    Tensionet mes dy Koreve janë rritur prej kur Veriu filloi të dërgonte balona me mbeturina përtej kufirit në Jug në fund të majit, duke e nxitur Seulin t’i përgjigjet me transmetime propagandistike me altoparlantë, gjë që e zemëroi Phenianin.

    Koreja e Veriut ka rritur retorikën e saj armiqësore ditët e fundit, duke akuzuar ushtrinë e Jugut për dërgimin e dronëve mbi kryeqytetin e saj për tri ditë këtë muaj dhe kërcënoi me një “katastrofë të tmerrshme” nëse zbulon një tjetër dron mbi hapësirën e saj ajrore.

    Qeveria e Koresë nuk ka treguar nëse ka dërguar apo jo dronë në Veri, apo nëse ata janë dërguar ushtria e saj apo nga civilë.

    Të premten, komandantët më të lartë ushtarakë të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara mbajtën një takim vjetor të Komitetit Ushtarak dhe shprehën shqetësim për sfidat e sigurisë që burojnë nga kërcënimet e Koresë së Veriut.

    Të dielën, Koreja e Jugut do të fillojë ushtrimet e mëdha ushtarake vjetore, të quajtura Hoguk, për të përmirësuar performancën operacionale./REL

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Policia e Shtetit e Shqipërisë ka njoftuar se është kanë pranuar informacion se në Himarë, dyshohet se është çarë diga e hidrocentralit,...
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të enjten se një “krizë e minutës së fundit” me Hamasin po pengonte miratimin izraelit për një armëpushim...
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes së Armëpushimit në Gaza. Në një postim në rrjetet sociale kreu i...
    Të tjera
    Lajme16 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës ka mbajtur dje një mbledhje në formë elektronike, në të cilin ka marrë dy vendime. Në njoftimin e lëshuar...
    Lifestyle16 Janar 2025
    Mishi i kuq ka qenë pjesë e dietave në mbarë botën që nga kohët e hershme të njerëzimit dhe është një burim...
    Lajme16 Janar 2025
    Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime për përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet elektorale nga disa subjekte politike....
    Zgjedhjet 202516 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Altin Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e nderimit të organizatave që kanë dalë nga lufta, duke...
    Lajme16 Janar 2025
    Në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim Shpëtim (QNTKSh), u realizua trajnimi intensiv për Mbijetesë Malore në kushte dimërore për kadetët e vitit...
    Lajme16 Janar 2025
    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, priti sot në takim Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian dhe Shefe e Misionit...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.